Kryeministri Edi Rama nga Dhërmiu ku po shpërndan tituj pronësie, është shprehur se fjalët e përhapura se po bëhet politikë për shpronësimin e himariotëve, është një gënjeshtër e madhe.

“Fakti është se në  këtë proces është vullneti maksimal për ta mbyllur këtë histori që u bë e pakuptimtë. Ndërkohë që të tjerë e kanë shfrytëzuar sa kanë mundur këtë ngërç për të helmuar mendje e zemra njerëzisht, duke treguar përralla të shëmtuara dhe  shumë të ulëta.

Sepse të thuash që qeveria do të marri pronat në Himarë do të thotë të tregosh një përrallë shumë të shëmtuar dhe të ulët, nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën.

E para, nëse qeveria edhe sikur ta ketë ndërmend nuk e bën dot këtë punë. E dyta, ata që kanë zhvilluar prona private janë sipërmarrës që kanë kontrata me pronarët, jo me qeverinë.  Jeni dëshmitarë që ata kontrata me përftim gjithmonë e më të madh për pronarët, sepse çmimi i tokës në këtë zonë është rritur dhe kjo nuk ka ardhur nga qielli, deti apo malet, por ja ku jemi sot.

Pjesë të caktuara të kësaj zone e kanë çmimin më të lartë se në Korfuz. Sigurisht që këto metra katrorë nuk i disponojnë të tjerët, por pronarët që janë këtu që kanë të drejtën e tyre të bëjnë çfarë të duan.

Patjetër që janë në të drejtën e tyre dhe t’i kenë për hajër të gjitha. Ama të thuhet se këtu është bërë një politikë për të shpronësuar himarjotet dhe banorët autokton në funksion të oligarkëve. Oligark në Shqipëri nuk ka, është një fjalë e hedhur në erë, por ta thuash këtë do të thotë të thuash një gënjeshtër të madhe’, tha Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re