Barcelona ka bërë një lëvizje të papritur në merkato, duke afruar në radhët e saj dy talente të cilët mendohet se do të bëjnë emër në futboll në të ardhmen. Sipas medias koreane “Koreajoongang daily”, dy vëllezërit binjakë 14-vjeçarë Li Dae-han dhe Li Min-guk, do t’i bashkohen akademisë së të rinjve të Barcelonës.
Detajet nuk janë bërë publike, por bëhet fjalë për dy futbollistë të cilët ndiqen prej vitesh nga shumë klube për aftësitë e tyre. Ajo që e bën më interesante këtë lëvizje, është se Barcelona ua ka marrë lojtarët rivalëve katalanas të Espanjolit, të cilëve u ka rrëmbyer kohët e fundit edhe portierin Joan Garsia.
Vëllezërit u transferuan në Spanjë në moshën gjashtë vjeç duke u regjistruar në akademinë e Espanjol. Li Min-guk luan si mbrojtës i djathtë dhe konsiderohet një lojtar premtues me krosime të sakta dhe një aftësi të shkëlqyer për të goditur topin me kokë. Li Dae-han është një sulmues krahu dhe fitoi çmimin për sulmuesin më të mirë në turneun e të rinjve të kësaj grupmoshe.