Nënat siriane që humbën fëmijët e tyre në sulmet e regjimit të Bashar al-Asadit në Siri, po përpiqen të kujdesen për nipërit e tyre jetimë, ndërsa vazhdojnë jetën me dhimbjen e fëmijëve të tyre.

Në vendin ku lufta civile vazhdon prej më shumë se 11 vitesh, mijëra gra humbën jetën dhe u plagosën nga sulmet e regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij. Sulmet e regjimit kanë lënë dhjetëra mijëra gra pa burra, pa fëmijë, pa vend e të pastreha.

Hamide Yasin, 60-vjeçare, e cila humbi djalin e saj në sulmet e regjimit sirian të Asadit dy vjet më parë, që atëherë ka jetuar me mall për djalin e saj.

Yasin e cila pasi humbi djalin e saj për shkak të sulmeve të vazhdueshme emigroi nga lagjja Maratunnuman e Idlibit dhe u strehua në një kamp, ​​po lufton për mbijetesë me nusen dhe 3 nipërit e saj.

Familja, e cila nuk ka asnjë burim të ardhurash, po përpiqet ta mbajë jetën me ndihmat që u jepen atyre.

Nënat siriane jetojnë në kushte të vështira

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA) me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Gruas”, Hamide Yasin tha se djali i saj 28-vjeçar Khaled humbi jetën në sulmet e regjimit të Asadit në lagjen Marattunnuman dy vjet më parë.

Duke thënë se djali i saj u mbijetoi dy herë sulmeve të regjimit, Yasin tha: “Herën e tretë djali im vdiq”.

Yasin tha se i është ndalë fryma pasi mori lajmin për vdekjen e Khaledit. “Ne si nëna siriane jetojmë në kushte të vështira. Ne duhet të migrojmë vazhdimisht. Shumica prej nesh jetojmë në çadra”, tha ajo.

“Pasi humba fëmijët e mi, dua të vdes dhe të shkoj në parajsë”

Amira Izzettin, 68-vjeçare e cila humbi 3 fëmijët e saj në sulmet e regjimit të Asadit, po qep rroba për të siguruar kafshatën e gojës për t’i mbajtur gjallë nipërit e saj.

Izzettin, e cila duhet të punojë për t’u kujdesur për nipërit e saj, pavarësisht moshës së saj të thyer tha: “Ne vazhdojmë të jetojmë me paratë që fitoj nga shitorja e fustaneve me nipërit, mbesat dhe nusen time”.

Ajo thotë se një nga nipërit e saj është me aftësi të kufizuara mendore. “Pasi humba fëmijët e mi, unë dua të vdes dhe të shkoj në parajsë. Gjithçka që dua është që nipërit e mi të kenë një jetë të mirë”, u shpreh Izzetin.

Situata në Idlib

Turqia, Rusia dhe Irani, në takimin e zhvilluar në vitin 2017 në Astana, vendosën formimin e katër “zonave të deeskalimit” në territorin që nuk ndodhej nën kontrollin e regjimit të Asadit.

Forcat e regjimit, terroristët me mbështetje iraniane dhe Rusia vazhduan sulmet dhe morën nën kontroll tri nga zonat dhe u drejtuan drejt Idlibit. Edhe pse Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin, sulmet u intensifikuan sërish në maj 2019. Armëpushimi respektohet në masë të madhe pas marrëveshjes së re që Turqia siguroi më Rusinë më 5 mars 2020.

Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në zonat pranë kufirit me Turqinë për t’u larguar nga sulmet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re