Në redaksinë e gazetës “SOT”, pas botimit në tre numra rradhazi, të rrëfimit të ish-ushtarakut të lartë të marinës shqiptare, zotit Aleko Pojani, në lidhje me ngjarjet historike të viteve 1959-1961 në “Nëndetësen 105”, në momentin kur Shqipëria komuniste po ndahej politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht me ish-Bashkimin Sovjetik, që PPSH dhe Enver Hoxha e akuzonte se kishte devijuar nga vija marksiste “Lenin-Stalin” dhe nga komunizmi.

Gazeta “SOT”, pranoi botimin e dëshmive të zotit Pojani, duke i qëndruar korrekt dëshmive të tij deri në “presje”, nisur dhe nga fakti që këto janë në proces në shtypshkronjë, duke u botuar dhe si libër me 410 faqe, me titullin: “Nëndetësja 105, kujtimet e një komandanti”. Sipas rrëfimit të bërë në rubrikën “Dosjer” të gazetës tonë, ish-ushtaraku Aleko Pojani deklaroi se ka qënë komandant i “Nëndetëses 105”, në ato vite kur zhvillohej dueli politiko-luftarak Shqipëri-Rusi, por dhe me parë e më pas viteve 1959-1961.

Këtë rrëfim të zotit Aleko Pojani e ka kontestuar me reagim sqarues, qytetari Agron Gërbi, duke dërguar në redaksi nëpërmjet dy komunikimeve elektronike (e-mail) dhe një takimi në redaksinë e gazetës “SOT”, por dhe me deklarim e tij me shkrim, disa prova që sipas tij, konfirmojnë se zoti Aleko Pojani nuk ka qenë komandant i “Nëndetëses 105”. Ai ka qenë në grupin e nëndetëseve shqiptare si ushtarak i lartë e drejtues, i nderuar dhe shumë i përkushtuar në funksionet që ka patur dhe në përmbushje të detyrave të ngarkuara.

Reaguesi Agron Gërbi e argumenton sqarimin e tij, me tre saktësime: Së pari, marina shqiptare nuk ka patur nëndetëse me numër “105” dhe për rrjedhojë, gjersa nuk ka patur një nëndetëse me këtë numër, nuk ka se si të këtë pasur komandant të nëndetëses “105”. Së dyti, nëndetësja që thuhet se ka qenë me numër “105” është një trillim i kinematografisë së kohës së komunizmit, duke e bërë dhe film, mbasi nëndetësja ku janë zhvilluar ngjarjet shqiptaro-ruse e ka patur numrin “196” dhe jo “105”.

Së treti, kjo nëndetëse e cila në filmin “Ballë-Përballë” u quajt “Nëndetësja 105”, në kohën kur nisi dhe u zhvillua dueli i nëndetëseve me sovjetikët, nuk ka patur fare komandant, por vetëm zëvendëskomandant dhe ky ishte Beqir Gërbi, i cili sipas urdhërit të shërbimit, kryente detyrën e komandantit dhe quhej “komandant fuqi-plotë”. Komandanti i kësaj nëndetëseje, në ato muaj dueli me rusët, ishte i sëmurë dhe gjendej jashtë shërbimi, me rapot mjeko-ligjor.

 

Letra e plotë e Agron Gërbit: Nuk ka patur nëndetëse “105” dhe as komandant

Sqarim. Drejtuar Gazetës “SOT”, lidhur me shkrimin për nëndetësen “105”!

Personi që është paraqitur në gazetën “SOT”, në shkrimin e rubrikës “Dosjer”, si komandant i nëndetëses “105” nuk është zoti Aleko Pojani. Nuk ka pasur fare nëndetëse “105” në vitin 1960-1961, por vetëm nëndetëse me numër “196”. Në këtë nëndetëse janë zhvilluar realisht dhe ngjarjet që trajtohen në shkrimin e gazetës tuaj, të rrëfyera prej zotit Aleko Pojani, por që zoti Pojani, i ka paraqitur si kujtime prej nëndetëses “105”, ngjarje që janë trajtuar në filmin “Ballë-Përballë”.

Kjo nëndetëse, për të cilën zoti Aleko Pojani, dëshmon dhe prezantohet publikisht, sikur ka qenë komandant i saj, nuk ka patur fare komandant, por vetëm zëvendëskomandant. Komandanti i kësaj nëndetëseje, në ato kohë ka qenë i sëmurë e jashtë shërbimit dhe detyrën komandantit e ka kryer zëvendëskomandanti Beqir Gërbi (i afërmi im), i cili sipas rregullave të shërbimit ushtarak në marinë, kishte gjithë kompetencat drejtuesve e komanduese të nëndetëses “196” e cila në film quhet me numër “105”.

Por në cënim të historisë faktike ashtu si dhe në film, rrëfehet edhe prej zotit Aleko Pojani, në shkrimin e botuar prej gazetës tuaj, sikur ka patur nëndetëse me numër 105 dhe sikur ai ka qenë komandant i saj.

Se kush e ka kryer funksionin e komandantit në këtë nëndetëse historike për marinën luftarake shqiptare dhe faktin që nuk ka patur fare nëndetëse me numër “105”, por nëndetëse me numër “196”, këtë e vërtetojnë më qartë e më plotë dëshmitarët e mbetur gjallë, ish marinarë e ushtarakë të lartë të marinës detare luftarake shqiptare, por sidomos prova dokumentare, seria e Veprave të Dokumentave Kryesore të PPSH, volumi nr. 4, faqe 45, botim i PPSH dhe Këshillit të Ministrave, në vitin 1970.

Sipas këtij dokumenti, vërtetohet se në momentin e diversionit ushtarak detar rus, për rrëmbimin e nëndetëseve, komandanti faktik i kësaj nëndetëseje (me numër 196 e jo me numër 105) ka qenë Beqir Gërbi, atëherë me detyrën e zëvendëskomandantit të saj. Këtë sqarim nuk e bëj për të denigruar asnjë individ, madje as personazhin e shkrimit, por për të publikuar të vërtetën historike, ashtu siç është.

Me respekt, Agron Gërbi (nënshkrimi).

 

Dokumenti i PPSH i vitit 1970, provon se kush e drejtonte nëndetësen

Për të argumentuar më plotësisht e më qartë sqarimin e tij, në lidhje me faktin se kush ishte komandant faktik i nëndetëses me numër “196”, që në filmin “Ballë-Përballë” u emërtua nëndetësja “105”, por që ishte nëndetësja “196”, zoti Agron Gërbi përmend një dokument zyrtar qeveritar e politik të PPSH, të viteve të komunizmit, saktësisht të vitit 1970.

Konkretisht, zoti Gërbi, solli në redaksi Veprën nr. 4, faqe 45 të dokumentave kryesore, botim i PPSH dhe Këshillit të Ministrave, në vitin 1970. Ja se çfarë thuhet në faqen 45, të këtij volumi dokumentar: “Të tërheq vëmendjen fakti, se në përpjekjet për të krijuar argumenta kundër ekuipazheve dhe komandantëve shqiptarë, arrihet deri sa të deformohen ngjarjet dhe faje të rënda, të shkaktuara nga pjestarë të personelit sovjetik në bazën e Vlorës, t’u atribuohen ekuipazheve shqiptare.

Tipik në këtë drejtim është rasti i incidentit që ka ndodhur më 30 prill 1961, në nëndetësen shqiptare 196: roja sovjetike në këtë nëndetëse, kapter Trofimenko, në bazë të udhëzimit të dhënë personalisht nga instruktori sovjetik në këtë nëndetëse, kapiten i rangut të III-të Kllaponov dhe nga zëvendës shefi i sigurimit, kapiten-leitnant Finin, kërcënoi me automatik zëvendëskomandantin e nëndetëses, togerin shqiptar B. Gërbi si dhe efektivin shqiptar të anijes…”.

 

Pjesë nga intervista me zotin Aleko Pojani

Lidhur me ato momente të luftës politike e ushtarake, flet Aleko Pojani, ish-komandanti i “Nëndetëses 105”. Ditari i Aleko Pojanit, sjell krejt historinë reale të shërbimit të nëndetëseve shqiptare, të cilën do ta botojmë në vazhdim. Në numrin e sotëm, ish-komandanti i “Nëndetëses 105” Aleko Pojani, rrëfen kur ekuipazhi i marinës nënujore qëndroi 22 ditë me shërbim e mision luftarak në thellësi të detit, me nëndetësen “105”, duke demonstruar krenarinë dhe forcën detare ushtarake të shtetit shqiptar, përballë revizionistëve sovjetikë dhe imperialistëve amerikanë: “.

Ishte fundi i muajit qershor 1969. U njoftova nga komandanti i brigadës, Dashamir Ohri, që nëndetësja e parë (105) të përgatitej për një lundrim të gjatë nën ujë. Kjo ishte një përvojë krejt e re e pa provuar ndonjëherë prej nesh. Rrjedhimisht e pa njohur më parë, që kërkonte angazhimin për t’u përgatitur seriozisht. I vetmi lundrim i gjatë nën ujë, në kufijtë e autonomisë të nëndetëses së këtij projekti në brigadën e nëndetëseve, ishte kryer në muajin dhjetor 1959, me nëndetësen e 4-ërt, por me ekuipazhin rus, të komanduar nga komandanti i saj Kozllovi, në detin Mesdhe.

Natyrisht, ky lundrim ishte një shembull i mirë, por jo e gjithë përvoja e tij, mund të merrej për bazë, në përgatitjen e lundrimit tonë. Kjo për faktin, sepse ndërsa lundrimi i kryer nga nëndetësja e 4-ërt ishte bërë në periudhën e freskët të vitit dhe kur nëndetësja ishte e re, me “moshë” vetëm 3 vjeçare. Sipas planit, lundrimi ynë do të kryhej nga fillimi i muajit gusht, pra në periudhën e nxehtë të vitit, në një mikroklimë krejt tjetër, shumë më të vështirë dhe mbi të gjitha, me një nëndetëse 10 vjet më të madhe në moshë.

Gjatë periudhës dhjetëvjeçare shënim i gazetës: 1959-1969) të komandimit të nëndetëses, kisha akumuluar jo pak përvojë për drejtimin e saj, por isha i ndërgjegjshëm dhe e pranoja, se dijet e mija në këtë fushë ishin shumë të kufizuara dhe, patjetër lipsej të kërkoja me ngut materiale për t’u thelluar në të gjitha drejtimet.

 

Të dhënat e nëndetëses:

Karburanti: Në 1 orë lundrim, 175 litra karburant; Rezerva e karburantit: 119 tonë diesel; Sasia e ujit: 11.3 ton ujë një çisternë; Sasia e vajit:9.8 tonë vaj; Gjatësia: 76 metër; Gjerësia 6.3 metër; Pesha: Në sipërfaqe 1045 tonë; Pesha: Në zhytje 1298 tonë; Bateritë: 224 bateri në 2 dhoma; Pesha e një baterie: 750 kg; Temperatura: Ne verë 45 gradë; Përmbante: 12 silura; Diametri i 1 silure 533 mm; Koka shpërthyese: 400 kg tritol; Sasia e minave: 22 mina fundore; Hapësira: me 7 dhoma.

 

Nga: Përparim HALILI /Agjensia e Lajmeve Sot News/

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re