Nga: Sali Shasivari

Përreth festave të shumta kombëtare që ngërthen në vehte muaji Nëntor; festa këto të cilat do të duhej të ngërthenin në vehte: përkujtimin dhe analizimin e të kaluarës së lavdishme historike (me të mirat dhe të këqiat e saj, si dhe mësimet e nxjerrura)…; progresin dhe të arriturat e deritanishme (duke përfshirë analizimin e sukseseve dhe dështimeve)…; si dhe projeksionet dhe vizionet për të ardhmen (duke përfshirë planet dhe strategjitë afatgjate)… Realiteti është se, këto ‘nëntore’ – tashmë vite me rradhë – po i gjejnë ‘shqipëritë’ tona në gjendje gjithmonë e më të palakmueshme se sa në vitin paraprak…!

Kështu, përpos thellimit të amnezisë dhe sklerozës në aspektin historik, regresit dhe dështimeve të njëpasnjëshme në planin aktual, si dhe mungesës së platformave dhe strategjive për të ardhmen…; ‘shqipëritë’ tona po ballafaqohen gjithnjë e më tepër me: probleme identitare…; kriza të vlerave…; probleme politike, ekonomike, sociale, kulturore, arsimore…; përhapje të korrupcionit, degjenerimit, fatkeqësive, tragjedive, dhe krimit…; etj.

Nën hijen e këtij realiteti të hidhur, është obligim i gjithësecilit prej neve që të jemi vetëkritikë, dhe të mendojmë në lidhje me shkaqet e vërteta përkitazi me këto probleme, të cilat po na ndjekin si hije për dekada dhe vite me rradhë…!

Për më tepër, një herë e përgjithmonë, duhet pranuar faktin se, kërkimi i fajit gjithmonë te një palë tjetër, qofshin ata armiqët tanë, apo përfaqësuesit tonë politik, përpos që nuk do t’i zgjidhë problemet tona, një praktikë e tillë rrezikon të na bëj të ‘pandjeshëm’ ndaj defekteve reale të cilat i ngërthejmë në vetvete, si dhe, ndaj gabimeve vetanake të cilat vazhdojmë t’i bëjmë…!

Kjo, ngase:

– Duke akuzuar gjithmonë armiqët dhe ‘të tjerët’, ne harruam detyrat dhe obligimet tona…!

– Duke akuzuar përfaqësuesit tanë politikë për krim dhe kriza, ne harruam se, të njejtët, janë ‘bijtë e gjakut dhe të fisit’, të votuar dhe të zgjedhur nga dora jonë (e shumicës sonë)…!

– Duke akuzuar politikanët tanë si tenderokratë, ne harruam se, ata që i realizojnë ato tendere në mënyrë të mangët dhe me shumë defekte janë shumë individë tjerë të fisit dhe mëhallave tona…!

– Në momentin që flasim për korrupsionin, ne harrojmë faktin se, jemi ne ata që jemi të gatshëm të ofrojmë ryshfet për gjithçka…!

– Në momentin që flasim për klientelizëm, ne harrojmë se, jemi të parët që pranojmë ‘oferta të majme’ me të padrejtë dhe pa meritë, kurdo që na ofrohen…!

– Në momentin që flasim për nepotizëm, ne harrojmë se, edhe ne do ta praktikonim të njejtën gjë, po të na jepej mundësia…!

– Në momentin që flasim për mospërmbushje të standardeve, ne harrojmë se, jemi të parët që mundohemi të gjejmë ndonjë ‘vrimë’ apo ‘rrugëdalje’ për t’i ikur përmbushjes së standardeve dhe normave ligjore…!

– Në momentin që flasim për shkelje të rregullave, harrojmë se, jemi vetë ne që e bëjmë një gjë të tillë, sa herë që na jepet mundësia…!

– Në momentin që flasim për ikje nga përgjegjësia, ne harrojmë se, jemi të parët që mundohemi të gjejmë ‘ndërmjetës’ dhe ‘të njofshëm’, kurdo që bëjmë ndonjë shkelje…!

Në saje të kësaj që u tha, dhe shumëçkahit tjetër që nuk u tha, është e pashmangshme pyetja: a thua vallë ku qëndron problemi?

Të shumta janë shkaqet e gjendjes së mjerueshme të ‘shqipërive’ tona (qoftë përgjatë historisë, poashtu edhe në ditët e sotme), në mesin e të cilave, ndër më të rëndësishmet janë: injoranca, papërgjegjësia, dhe servilizmi; ndërsa, edhe më e rrezikshmja nga të gjitha këto, është fakti se “Shqiptarët nuk e denoncojnë kriminelin; dhe kjo është pengesë për bërjen e shtetit”, siç konstatoi dikur studiuesja, shkrimtarja, artistja, etnografja, antropologia, dhe humanistja britanike Edith Durham (e cila ishte mike e madhe e shqiptarëve, dhe jetoi shumë vite në Shqipëri)!

Bile-bile, për fat të keq, ne, tashmë, si popull, kemi kaluar në një stad edhe më të ‘avancuar’ (në krahasim me kohën në të cilën foli Edith Durham), me ç’rast, jo vetëm që nuk i denoncojmë kriminelët, por të njëjtët edhe i glorifikojmë!

Andaj, mjaft folëm për padrejtësitë dhe krimet që na bëjnë të tjerët, si dhe për korrupcionin dhe krimin e “elitave tona politike”…; ngase, duke orientuar në vazhdimësi ‘gishtin tonë drejtues’ të akuzës kah armiqët tanë, si dhe kah klasa jonë politike, ne harruam ‘katër gishtërinjtë tjerë të dorës sonë, të cilat janë të orientuar kah vetvetja jonë…!

Së këndejmi, është koha të flasim për korrupsionin dhe ‘krimin’ që e bëjmë secili prej nesh…; korrupsion dhe ‘krim’ ky, i cili ka kapluar të gjitha poret e shoqërisë sonë…!

Kështu:

Një popull që ndjek më shumë dramat dhe emisionet televizive degjeneruese, se sa ‘dramat’ e përditshmërisë së tyre të hidhur…!

– Një popull që mendon se di gjithçka, ndërsa në realitet nuk di asgjë…!

– Një popull që mallkon gjithkënd dhe çdo gjë përreth, ndërsa glorifikon vetëm vetveten…!

– Një popull që glorifikon matrapazët, banditët, hajnat, hajdutët, dhe kriminelët, dhe të njejtët i identifikon me emra perkëdhelës, si ‘mangupa’ (në kuptimin pozitiv) dhe ‘të gjindshëm’…!

– Një popull që bllokon rrugët kur burgoset ndonjë kriminel apo cub i mëhallës, ndërsa nuk ngrihet në këmbë kur i shkelet dinjiteti, e tashmja dhe e ardhmja…!

– Një popull që ankohet plotë katër vite nëpër ndeje dhe kafene, duke mallkuar politikën dhe politikanët, ndërsa, kur i ofrohet rasti që ta ndryshoj realitetin përmes votës, ai, ose nuk del në votime, ose e shet votën për lirë pare, apose i voton po të njejtit që dje i shante…!

– Një popull që për sllogane të tij ka marë maksimat e llojit: ‘kush të dojë le të bëhet plak katundi, vetëm ti mos u bën’!; ‘hapi sytë dhe ji i gjindshëm si filani!’ (pa çka nëse filani është matrapaz, bandit, hajn, hajdut, apo kriminel); dhe, ‘hallall apo haram, ti mere hisen tënde’!; etj.!

– Një popull që kërkon rregulla, standarde, etj, ndërsa në anën tjetër tallet me të njejtat, dhe mundohet me çdo kusht të ju ikë të njejtave…!

– Një popull që investon më shumë për shtëpia, dasma dhe salltanate, e më pak për shkollë, kulturë dhe shëndetësi…!

– Një popull që ka ‘akademi të yjeve të estradës’, por nuk ka akademi të mirëfillta shkencore…!

– Një popull që ka vetëm “elita” politike, por nuk ka elita shoqërore dhe intelektuale…!

– Një popull i cili ka shumë analista por pak analiza…; shumë gazetarë, por pak gazetari të mirëfilltë dhe hulumtuese…; shumë kanale mediatike dhe portale, por pak lajme të vërteta dhe të mirëfillta; etj.!

… Një popull që i ka të gjitha këto cilësi që u përmendën më lartë, ai popull është i destinuar që ‘ta hajë kokën e vet’…!

Përderisa nuk e kuptojmë dhe pranojmë faktin se, ‘ndryshimi i vërtetë fillon prej vetvetes sonë’…; ne do të vazhdojmë të përpëlitemi në realitetin tonë të hidhur…; dhe në ndërkohë, do të vazhdojmë ta ‘vetëmashtrojmë’ vehten me sllogane dhe parulla nacional-romantike, dhe turbo-folklorike…!

Urime Festat e Nëntorit; dhe, Gëzuar 28 Nëntorin!

P.S. Shkrimi i mësipërm nuk duhet kuptuar si tentim për ‘prishje të ahengjeve’ të Nëntorit, por si domosdoshmëri reflektimi mbi esencën e problemeve, si parakusht i domosdoshëm për gjetjen e zgjidhjeve…!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re