Një vajzë 16-vjeçare nepaleze ka vdekur si pasojë e praktikës së traditës lokale të “Chaupadi”, ku gratë me menstruacione detyrohen të jetojnë në kasolle larg shtëpive të tyre.

Anita Sand nga provinca Baitadi, në pjesën perëndimore të vendit, në kufi me Indinë, raportohet se ka vdekur dje, të mërkurën, nga një kafshim gjarpëri teksa ishte duke fjetur. Vdekja e saj është vdekja e parë e raportuar nga praktika “Chaupadi” që nga viti 2019, dhe aktivistët kanë frikë se përparimi për të çrrënjosur praktikën po lëkundet.

Çfarë është praktika “Chaupadi”

“Chaupadi” bazohet në besimin e vjetër se gratë dhe vajzat janë të shenjta dhe nuk duhet të preken gjatë menstruacioneve. Ata nuk lejohen të bëjnë një sërë aktivitetesh dhe në disa raste detyrohen të qëndrojnë në “kasolle menstruacionesh” për gjithë kohëzgjatjen. Tradita, e cila ka lidhje me hinduizmin, është e rrënjosur thellë në Nepalin perëndimor.

Praktika e “Chaupadi”-t, e nxjerrë jashtë ligjit në 2005, dënohet me tre muaj burg dhe gjobë prej 3,000 rupi nepaleze (rreth 23 euro). Policia e provincës Baitadi tha se po hetonte vdekjen e Anitës. Familja e saj mohoi se ajo kishte menstruacione kur ajo vdiq.

“Ne po punojmë për t’i dhënë fund kësaj praktike, por (kemi) shumë për të bërë,” tha Bina Bata, nënkryetare e bashkisë rurale Panchesuar në Baitadi.

Vdekja e fundit e raportuar nga “Chaupadi” ishte në vitin 2019.

Parvati Budha Rawat, 21 vjeçe, ishte viktima e fundit e kësaj praktike. Ajo vdiq pasi kaloi tre netë në një kasolle. Vdekja e saj ishte e pesta atë vit nga praktika. Gratë dhe vajzat vdiqën nga sulmet e kafshëve dhe nga thithja e tymit pasi u ndezën zjarret në kasollet pa dritare. Kunati i Rawat-it u dënua me tre muaj burg.

Vdekja e saj nxiti programe dhe fushata në të gjithë vendin për t’i dhënë fund praktikës. Mijëra kasolle u shkatërruan, por duket se kanë nisur të rindërtohen.

“Pas vdekjes së Rawat-it, ne shkatërruam më shumë se 7,000 ‘kasolle menstruacionesh’ në rreth,”, tha Pashupati Kunwar, i cili ka bërë fushatë kundër “Chaupadi”-t për 25 vitet e fundit. Ai theksoi se njerëzit filluan të informohen për menstruacionet dhe për legjislacionin.

“Pastaj papritur erdhi Covid dhe e gjithë vëmendja u zhvendos te Covid. Më pas, njerëzit filluan të ndërtonin përsëri ‘kasolle menstruale’”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re