I ftuari i parë i Mustafa Nanos mbrëmjen e kësaj të premteje në “Provokacija” është Gjergj Meta, Ipeshkv i Dioqezës së Rreshenit. Nano e fokusoi bisedën me Dom Gjergjin tek çështjet social-politike të vendit, ku ai ka qenë mjaft aktiv. I pyetur për fenomenin e ikjes masive të shqiptarëve, Dom Gjergji tha se nëse do të kishim një politikë më të përgjegjshme, largimet do ishin më të buta. “Shpopulli është protesta e heshtur e shqiptarëve! Janë dorëzuar përballë këtij sistemi”, u shpreh ai.

Ndërsa sa i takon debatit në media, ai tha se “këtu, ndonjëhere mediat i kanë zaptuar nejrëzit me pushtet dhe para, ne dëgjojmë vetëm oligarkë e politikanë dhe ngjarje kriminale, kronika e zezë po na helmon shpirtin. Duhet të ngremë pozitivitetin e njerëzve të tjeshtë”.

INTERVISTA E PLOTE

Mustafa Nano: Kam të ftuar në studio Gjergj Metën, apo siç e quan komuniteti katolik dhe jo vetëm Dom Gjergji. Shihemi pas një kohe të gjatë, pasi keni refuzuar më shumë se një herë të vini.

Dom Gjergji: Nuk e refuzoj median asnjëhere, por largësia dhe angazhimi në Dioqezën e Rreshenit nuk më lejojnë të bëj lëvizje të shpeshta.

Nano: Terhiqem! Gjergj Meta është nga ata njerëz që ka një këndvështrim të ndryshëm nga ai imi, por kam kënaqësi të bisedoj me të.
Unë do ta nis me një gjë që ua thashë “off record” që është një përmasë e fortë laike në ato që thoni, për shqetësimin civil dhe qytetar. Ju shoh pak djathtas dhe antikomunist.

Dom Gjergji: Eshtë e vertetë, përpiqem të mpreh vështrimin tim mbi realitetin. Të qenurit prift nuk do të thotë të jesh i mbyllur rreth kontureve të dogmës, apo i rrethshkruar brenda kishës. Nëse i hedhim një sy historisë vëmë re se përgjatë historisë shumë priftërinj janë angazhuar në jetën sociale të vendit.
Antikomunizmi mund të duket si klishe, por kam mendimin se komunizmi ka qenë fatkeqsia më e madhe e këtij vendi. Diktatura ishte një mekanizëm pervers, çnjerëzor, vinte njeriun kundër njeriut, duke e shpërfytyruar njeriun. Duke parë këtë rezultat unë s’kam si pajtohem dhe çdo shqiptar i ndershëm duhet të jetë antikomunist.

Nano: Ju jeni prift dhe mund të kujtoj psh. se Voitila retorikën e vet e kishte të shkarkuar.

Dom Gjergji: Shkarkimi duhet të ndodhë kur të kesh të bësh me njerëzit. Unë refuzoj gjithë sistemin komunist, por ne jetojmë me njerëzit, që do të thotë se unë ulem me një person që ka qenë pjesë e komunizmit, por nuk mund të qendroj në tryezë nëse edhe sot e kësaj dite vazhdon ta mbrojë atë ideologji. Ai sistem kishte mekanizëm pervers.

Nano: Ju jeni në një linjë me klerin katolik shqiptar për sa i përket antikomunizmit.

Dom Gjergji: Po kleri katolik shqiptar iu kundërvu komunizmit dhe tashmë u vertetua ajo që kishte thënë kisha.

Nano: Me aktivizimin në jetën publike, ju jeni në rezonancë me traditën. Kleri katolik shqiptar para Luftës së Parë Botërore ishte i pranishëm, i zëshëm dhe shprehej për jetën publike, kulturore.

Dom Gjergji: Mendoj se ka ndryshuar situata me vitet ’20, ’40 apo ’50, angazhimi i kishës sot njeh sektorë të tjerë. Nëse më parë angazhimi ishte në etnologji, histori e letersi sot ndoshta një prift s’ka nevojë të merret me këto gjëra, në ato vite ka bërë pune suplementare, sot ka kush ta bëjë historinë e gjuhësinë, ne mund të angazhohemi në gjëra të tjera për ti dhënë zë jetës njerëzore. nuk e përjashtoj angazhimin në letersi. Edhe unë kam filluar të shkruaj letersi, të bëj tregime, pres të botoj një vëllim.

Nano: Kryqi që mbani në qafë…?

Dom Gjergji: Eshtë dhuratë e shokëve të klasës ku kam studiuar në Itali. Ditën që jam bërë Ipeshkv më kanë dhuruar këtë kryq prej druri që e ka mbajtur një prift Tonino Bello, ipeshkv i qytetit ku kam studiuar. Një person me famë shenjtërie të jashtëzakonshme. Në 1991 hapi shkollën e priftërinjve për shqiptarët që zbarkuan atje.

Mustafa Nano: Dua që biseda të fokusohet tek çështjet social-politike të vendit. Dukuria e ikjes, ka shumë shqiptarë që duan të ikin dhe ju keni shprehur shqetësim?

Dom Gjergji: Po kjo është e vertetë e kam shkruar në shumë raste, kam bërë intervista dhe kam mendimin e qartë, e shoh problematike sepse përthan jetën shoqërore në Shqipëri, lë një boshllëk në hapësirën e përbashkët që ne kemi. Është dhe një shkulje nga tradita. Shqiptarët kur shkojnë në Europë dhe Amerikë s’kanë për të punuar për të ndryshuar sistem. Ikja është një lloj dorëzimi për të mos ndryshuar realitetin, njësoj sikur lodhesh tek shtëpia me debate dhe thua ‘ke të drejtë po dal pak’. Shpopullimi është protesta e heshtur e shqiptarëve!

Mustafa Nano. Kjo është e vertetë, por unë nuk e shoh me syze dramatike, ata ikin por jo një here e mirë, duke qenë jashtë ata ndikojnë për vendin e shoh edhe pozitivsht.

Dom Gjergji: S’ka asgjë poztive, ne s’kemi statistika të kthimit, apo të ndikimit të tyre në jetën në vend. Pas viteve 1990-2000 shqiptarët që kanë ikur kanë krijuar një familje atje dhe nuk preferojnë të sjellin para në Shqipëri, por preferojnë të marrin pleqtë apo vëllezërit atje. Ky është një varfërim.

Nano: Se kam tek paratë, por tek fakti se ata kanë prindërit këtu dhe përfitimi është automatik sepse prindërit e emigrantëve janë më të emancipuar se të tjerët.

Dom Gjergji: Kjo ha debat, nuk më duket kështu dhe jemi në nivelin e opinioneve kështu mund të vlejë njësoj si opinioni y dhe i imi. Në Mirditë ka një rast një grua që ka 10 fëmijë në emigrim dhe është vetëm.

Nano: Pra mes shqipatarëve që dum me ndejt këtu dhe atyre që ikin ti empatizon të parët?

Dom Gjergji: Në një shkrim të para disa kohë kam thënë rastin, kur të rinjtë vijnë e më thonë “Dom Gjergj ne po ikim…”- U kam thënë se “ju kuptoj nëse ikni ju admiroj nëse rrini”.

Duhet të ikin sepse secili duhet të kërkojë lumturinë e vet dhe kjo është që në kohën e Aristotelit. Çdo njeri ka të drejtën e tij të pamohueshme të gjejë lumturinë. Ata që duan të rrinë dhe të ndryshojnë diçka unë i admiroj dhe është tejet personale.

Nano: Ikja është fenomen në botë, italianët, kroatët boshnajët, kosovarët janë të shqetësuar.

Dom Gjergji: Po kjo nuk prek vetëm Shqipërinë, por ne duhet të përgjigjemi për arsyet se pse ikin shqiptarët. Nëse do kishim klasë politike të përgjegjshme ikja do të ishte më e butë.

Nano: Problem janë ata që mbeten këtu, janë komunitetet që kanë katapultuar para të paraudhëve që sundojnë vendin…

Dom Gjergji: Mund të them se ka një anestezi, apati që tregon dorëzim. Ka nevojë për një moment reflektimi…mungon kreativiteti komunitar,mungon hapësira për të krijuar sepse kreativiteti është në dorë të pak njerëzve… qeverisë, vetëm ata janë kreativ në këtë vend nuk ke mundësi, hapësira për angazhim qytetar. Ka qytete që s’kanë librari, teatro. Në Rreshen ku jeton unë ka bibliotekë por s’ka librari, por nga Rrësheni kanë dalë nejrëz të pranishëm në media dhe në sektor të ndryshëm të jetës shoqërore të vendit. Nga ata mësues dhe ata persona të jashtëzakonshëm, por s’ka një lirabri për të shitur libra, për të marrë libra…që është një aspekt social-kulturor. Gjithçka në vend varet nga politika dhe kjo është e tmerrshme është tipike komuniste. Po pati diçka që vjen nga politika bëhet në të kundërt nuk bëhet. Njeriu duhet të priret nga kultura, për të mos mendu vetëm për barkun por edhe për mendjen. Eshtë e trishtueshme që i sheh lokalet plot me vajza e djem të rinj ndërsa libraritë janë bosh.

Nano: Kam vënë re mungojnë faktorët edukative, nuk janë në eficene të plotë kleri, media, shkolla, familja dhe për këto shkaqe apo të tjera shoh disponimin e njerëzve për tu korruptuar, për ta mirëkuptuar korrupsionin. Pra mendoj se shoqëria shqiptare është më e korruptuar. Ju si e shihni?

Dom Gjergji: Fenomeni i prishjes, degradimit vjen nga sistemi komunist, ai ishte sistem i korruptuar. Një pjesë e kemi marrë nga ai regjim, pjesën tjeter e kemi shtuar… kur hyn në lojë paraja sepse paraja është pushtet, njerëzit tundohen. Para një zarfi tundohet një mjek, një punonjës i tatimeve. Tani është kthyer në stil jetese prandaj sot kemi njerëz që nuk e bëjnë një hap pa marrë para. Familjet shqiptare vendosin edhe çmimin e korrupsionit, ata mendojnë se për të shkuar në spital duhet ta kesh xhepin plot, në administratë duhet njohësh njerëz apo të kesh para. Kjo është në mendje pavarësisht nismave që meren nga qeveria për digjitalizim, ka një bindje të brendshme që nëse nuk njeh apo paguan s’mund të marrësh shërbim.

Nano: Këtë stil korruptiv në familje e kanë të gjithë që nga intelektualët e deri tek njerëzit e thjeshtë, e kanë kthyer në stil.

Dom Gjergji: Po ne kemi një natyrë, mendësi korruptive dhe është vështirë për tu ç’gdhendur.

Nano: Edhe angazhimi politik është me motive korruptive, aktivizi në një subjekt politik. Shkojmë tek kutia e votimit se do të marrim diçka në këmbim, me fut çunin në punë në shtet

Dom Gjergji: Në kështu është, nëse nuk është paguar më përpara vota me theshin e miellit. Ka ndodhur rëndom kjo në Shqipëri përgjatë gjithë këtyre viteve.

Nano: Natyra jonë konfliktuale në debatin publik…a është edhe faji i ynë, gazetarëve?

Dom Gjergji: Për mua stili i debatit në Shqipëri është gjëja më negative në jetën e shqiptareve, është edhe faji i gazetarëve, po jo vetëm i tyre. Ju e nxisni debatin, jeni për këtë gjë jeni medium, instrument, bota e medias duhet të nxjerre të vertetën, sigurisht jo në rastet kur manipulohen gjobisin, paguhen, blehen përcaktohen lajmet nga forca politike.

Neve që dëgjojmë televizor, ne qytetarët që shohin TV jemi të neveritur si debatohet në TV, ku askush nuk dëgjon askënd. Të gjithë akuzojnë njëri tjetrin kakofoni egersi një lloj lufte që nga ekrani hyn në mendjen dhe zemren e shqiptareve dhe kjo reflektohet nesër në debate. Është e pamundur që të ulesh në mëngjes në kafe dhe të të mos fillosh debat politik. Janë të rralla bisedat për libra dhe e bëj me pak njerëz. Politikanët në mënyrë të veçantë kanë still arrogant shpërfillës ndaj njëri tjetrit. Kjo nuk është politike është xhungël.

Nano: Pata një monolog për atë që pashë mbrëmjen e së enjtes në opinion. E kam fjalën për Ramën ku përsëriti logjiken reciviste atë që ka bërë edhe here të tjera. Unë i shoh këta personazhe publike, përfshirë edhe mua e ty në rolin e një edukatori. Në pjesën më të madhe jemi edukatorë të këqinj. Por kur sheh edhe Presidentin dhe Kryeministrin me gjuhën që përdorin, çfarë mendon për rolin e tyre?

Dom Gjergji: Këto kohët e fundit kam ndjekur një person që cilësohet si ati i kombit, është Mattarella, një person i jashtëzakomshëm që ka marrë njerëz të zakonshëm në Itali dhe i ka dekoruar për gjeste dhe veprime të tyre njerëzore duke u thënë se “faleminderit për atë që keni bërë për Italinë”. Ky është edukator i madh.

Këtu, ndonjëhere mediat i kanë zaptuar nejrëzit me pushtet dhe para, ne dëgjojmë vetëm oligarkë e politike dhe ngjarje kriminale, kronika e zezë po na helmon shpirtin. Duhet të ngremë pozitivitetin e njerëzve të tjeshtë. /Abcnews.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re