“Poezia arabe është antologji e llojit të vet,

thesar i urtësive arabe,

zbulim i letërsisë arabe dhe

“arkiv” ku ruhen shkencat e tyre”.

(Carlo Alfonso Nalino)

Jeta dhe veprimtaria

Një nga figurat më të njohura të orientalistikës botërore konsiderohet edhe ori­entalisti dhe arabologu italian Carlo Nalino (1872-1938). Nalino u lind më 17 shkurt të vitit 1872 në Torino të Italisë nga e ëma Hanna Montini dhe i ati Gio­va­no Nalino. Ndërroi jetë më 25 korrik të vitit 1938 në Romë.

Pas përfundimit të arsimit të mesëm Carlo do të regjistrohet në Universitetin e Torinos. Për pasion kishte gju­hën arabe dhe gjeografinë. Si një student i ri ai për herë të parë do t’a publikojë një punim të tij shkencor me titull “Matja e meridianit nga gjeografët arabë”, për­mes së cilës do të njihet si entuziast i shkencës, me këtë edhe i gjuhës dhe letërsisë ara­be. Në punimet e tij të mëvonshme do të tregojë aftësi për një qasje adekuate ndaj studimeve filologjike. Gjatë moshës rinore të tij, Carlo Nalino do të angazhohet si bashkëpunëtor në Këshillin për botimin e një enciklopedie të titulluar “Enci­klo­pe­dia Islame”. Si një en­tuziast dhe intelektual i ri, Nalino në moshën njëzet e tre vje­ça­re do t’a publikojë pu­nimin e tij shkencor me titull “Sistemi i fiseve arabe gjatë pe­riu­dhës paraislame”. Në këtë punim do t’a shpjegojë dhe interpretojë çështjen e ren­dit­jes kronologjike të fi­seve arabe dhe zgjerimit të tyre nga aspekti historik, politik e so­cial. Gjatë skalitjes si një intelektual i ri, Carloja do të tregohet si njohës i shkathtë i gju­hës arabe, madje – për­veç Ignjat Goldziherit – nuk mund t’ia kalonte askush tjetër nga orientalistët e ko­hës kur jetoi. Studionte veprat e shkencëtarëve arabë të sferës së astronomisë dhe le­tërsisë. Duke gjurmuar pas shkencës, Carlo Nalino do të udhëtojë në Spanjë, përkatësisht në bib­li­o­tekat e njohura si në Korodbë, ashtu edhe në disa qytete tjera, me qëllim të gjetjes së literaturës për­ka­tëse, pasi që dihet se në Spanjë do të mund të gjente materiale dhe libra të ndry­shëm historik të trashëgimisë islame të përkthyera në ndonjë nga gju­hët evropiane, qof­të spanjolle apo latine.

Prej vitit 1893 e deri në vitin 1894 Carlo Nalino do të qëndrojë në Kajro të Egjiptit, ku do të njihet për së afërmi me kulturën dhe traditat egjiptase arabe, si dhe me is­la­min. Në vitin 1894 do të emërohet si mësimdhënës në katedrën e gjuhës arabe në In­­sti­tutin Oriental të Napolit ku do të qëndrojë dy vite. Në vitin 1900 do t’a  pub­­likojë veprën me titull “L’Arabo parlato in Egitto: grammatica, dialoghi e raccolta di circa 6 000 vocaboli” (“Gjuha arabe në dialektin e Egjiptit: gramatika,  dialogu dhe për­­mbledhja e rreth 6000 fjalëve”), vepër kjo e cila do të bëhet edhe doracak për më­­simin e gjuhës arabe. Në vitin 1902 qeveria e atëhershme italiane Carlo Nalinon do t’a emërojë si ligjërues në Departamentin e Gjuhës Arabe në Universitetin e Paler­mos, ku do të qëndrojë deri në vitin 1913. Në vitin 1905 do të udhëtojë në Algjeri ku do të merr pjesë në një konferencë shkencore të orientalistëve botëror. Për një kohë të caktuar në kuadër të qeverisë së atëhershme Italiane Carloja do të angazhohet si kla­si­fikues dhe sistematizues i lëndëve arkivore të cilat ishin trashëgimi nga ad­mi­nis­tra­ta Osmane në Tripoli të Libisë, si dhe Drejtor i Zyrës për Përkthim, nga puna e të ci­lit qeveria italiane do të përfitojë mjaft. Ndërmjet periudhës kohore të viteve 1909-1910 qëndroi si i ftuar special në Universitetin e Egjiptit, me qëllim që të ligjërojë rreth historisë së astronomisë tek arabët dhe historisë së letërsisë arabe.

Në vitin 1921 Nalino do të emërohet si ligjërues i rregullt në Universitetin Sa­pi­enza të Romës, e më pas do t’a themelojë Institutin për studime Orientale ku edhe do të zgjidhet si drejtor i këtij institutit. Në revistën shkencore “Oriente Moderno”Na­li­no vazhdimisht do t’i publikojë punimet tij të sferës së letërsisë arabe, historisë dhe islamit. Carlo Nalino në Egjipt do të udhëtojë në periudha të caktuara kohore si li­gjë­ru­es edhe gjatë viteve 1928-1931, ku ligjëronte në Fakultetin Filozofik rreth historisë dhe kulturës jemenase. Në vitin 1933 do të zgjidhet anëtar i Shoqatës së Filologëve të Egjiptit. Thuhet se nuk kishte orientalist i cili më së afërmi ishte i ndërlidhur dhe i pa­si­onuar me Egjiptin dhe kulturën arabe, siç ishte Carlo Nalino. Kah fundi i jetës së tij Nalino do të udhëtojë sërish në Egjipt, e më pas edhe në Arabinë Saudite, prej ku edhe do të inspirohet për të shkruar një studim për tra­ditën dhe kulturën e arabëve të Hixhazit (të Arabisë Saudite). Pas përfundimit të vë­llimit të parë, ai nuk arriti ta përfundojë edhe vëllimin e dytë, me që së shpejti do të ndërrojë jetë në vitin 1938.

Carlo Nalino: arabolog i shkëlqyer dhe simpatizues i Islamit

“Dashuria ime ndaj Kur’anit, islamit dhe Profetit të Islamit, shkaktoi që edhe miqtë e mi të më përshkruajnë si gjysmë mysliman”.

(Carlo Alfonso Nalino)

Si studiues i gjuhës dhe letërsisë arabe, Carlo Nalino do të arrijë të dallohet si njo­hës i shkëlqyer i kësaj sfere shkencore. Ai do të publikojë një varg veprash të ka­lib­rit akademik shkencor të cilat kanë të bëjnë me gjuhën dhe letërsinë arabe. Ishte një studiues me virtyte të larta shkencore. Në opusin e gjerë in­te­lektual të tij asnjëherë nuk u shfaq ndonjë qëndrim i ashpër e rigoroz ndaj kulturës dhe qytetërimit arabo-islam, madje ai mbante qëndrim mesatar dhe të matur sa iu për­ket interpretimeve dhe komenteve që kishin të bëjnë me arabët dhe islamin[1].

Me që libri më së miri tregon për qëndrimet e autorit rreth ndonjë çështjeje, këtu duhet për­mendur veprën e tij “Historia e letërsisë arabe”, në fakt përmbledhjen e li­gjë­ra­ta­ve të cilat ai i mbajti në Universitetin e Kajros.

Përveç veprës nga gjuha dhe letërsia arabe me titull “Gjuha arabe në dia­lek­tin e Egjiptit: gramatika,  dialogu dhe përmbledhja e rreth 6000 fjalëve”, siç përmen­dëm më lartë, Carlo Nalino do t’a botojë edhe veprën “Literatura origjinale arabe në ko­hën e dinastisë së Emevitëve”. Në studimet e tij Nalino do të konstatojë se letërsia e përgjithshme arabe kaloi përmes gjashtë periudhave bazore. Pasi analizoi çdo një­rën nga ato periudha mjaft të rëndësishme, ai veçanërisht flet për poezinë parais­la­mi­ke arabe, ndërsa jetës dhe veprimtarisë së poetit të njohur të Hixhazit, Ebu Hilal el-Askeriut, do t’i kushtojë më te­për vëmendje, që d.t.th. se i jep një vend të rëndësishëm e të veçantë në tërë tra­shë­giminë e shkruar arabe. Carlo Nalino do t’i përkushtohet me një vëmendje të ve­çan­të studimit të margaritarëve poetik paraislam arab, përkatësisht të a.q. muallaka, si dhe autorëve të tyre paraislamik të zonave të ndryshme të Arabisë së asaj kohe, e në veçanti të kra­hinës së Hixhazit[2]. Duhet theksuar se shtatë muallekatët (shtatë po­ezitë) konsiderohen si remek-vepër e poezisë klasike arabe[3]. Sa iu përket qasjeve ndaj poezive te periudhës klasike arabe, Carlo Nalino do të konstatojë se: “Arabët e periudhës paraislamike në fushën e le­tërsisë prozaike nuk u zgjeruan jashtë kornizave të eseve dhe tregimeve të shkur­t­ra e koncize. Po qe se do të mund të bënim ndonjë krahasim të një vepre tepër me vle­rë fetare me ato vepra tjera (tekste letrare arabe), do të kisha thënë se Libri i parë i publikuar dhe i zgjeruar në gjuhën arabe ishte Kur’ani Fisnik”.

Në konstatimet e tij në aspekt të përsosurisë gramatikore e letrare të Kur’anit, Nalino shpreh mahnitje të thellë. Ai në një mënyrë i “përkulet” stilit të lartë ku­ranor, madje thotë se “Kur’ani është një shprehje e përsosur e arabizmit, burim prej ku juristët dhe filozofët thithën “brumin” hyjnor për projektet e tyre integrale”.

Na­lino është i mendimit se Kur’ani luajti një rol vendimtar edhe në afirmimin e gju­hës arabe. Madje, siç do të konstatojë intelektuali iranian Murteda Muttaheri, gjuha ara­be është e vetmja gjuhë e cila – po qe se nuk do të ishte Kur’ani – do të humbej ose së paku do të mbetej një dialekt i panjohur dhe i lënë pas dore, siç ndodhi me qin­dra gjuhë dhe dialekte të tjera për të cilët nuk dimë asgjë. Me një fjalë, do të ish­te një gjuhë e beduinëve dhe asgjë më tepër. Mirëpo, Kur’ani i dha energji dhe e ru­aj­ti atë. Prandaj, me plot bindje mund të themi se gjuha arabe nuk iu takon vetëm ara­bëve, por arabët i takojnë kësaj gjuhe[4]. Gjuha arabe është njëra nga gjuhët e rra­lla të gjuhëve në familjen e gjuhëve semite. Kjo gjuhë njëkohësisht është edhe gjuha më e re që lindi në truallin e Azisë jugperëndimore. Gjuhët semite janë të rëndë­sish­me, sepse përfaqësojnë gjuhët e qytetërimeve të lashta (akade, asiriane, babilonase) nga të cilët gjinia njerëzore trashëgoi shumë gjëra[5]. Historia e gjuhës letrare arabe, që mund t’a ndajmë nga shumë varietete dialektike, fillon në shek. IV të erës së re. Za­konisht në zhvillimin e kësaj gjuhe dallohen tre periudha, si në vijim:

Periudha e gjuhës së lashtë (deri në paraqitjen e Islamit në shek. VII).
Periudha e gjuhës klasike (deri në kohën e rilindjes në shek. XVIII).
Periudha e gjuhës bashkëkohore arabe.

Shkenca e gjuhës tek arabët është shumë e vjetër, por mjaft e zhvilluar. Prej shek VIII e deri në shek. X të erës së re, u njohën dy shkolla të mëdha arabe gramatikore, edhe atë:

– shkolla e Basrës dhe

– shkolla e Kufes[6].

Pa dyshim, gjatë periudhave të ndryshme kohore, përfshirë që nga shek. VII e de­ri më sot, gjuha arabe luajti një rol vendimtar në analet e historisë së qytetërimeve. Kjo gjuhë ishte ajo që ndikoi në rilindjen e shumë drejtimeve shkencore që gjatë mes­jetës u zhvilluan pikërisht në këtë gjuhë. Gjatë historisë së kalifatit islam, si në Spa­njën myslimane, ashtu dhe në Lindje, edhe pse gjuhë polisemike (me shumë do­me­thënie), gjuha arabe ishte gjuhë zyrtare. Ndërmjet shekullit IX dhe XII në këtë gju­hë do të shkruhen më shumë libra se në cilëndo gjuhë tjetër në lëmin e filozofisë, mje­kë­sisë, historisë, religjionit, astronomisë dhe gjeografisë. Gjuhët e Evropës pe­rën­dimore akoma e bartin vulën e ndikimit të gjuhës arabe në shumë huazime nga kjo gjuhë. Pas latinishtes (alfabetit latin), sot gjuha arabe është gjuhë që më së shum­ti përdoret në botë.

Sidoqoftë, aty ku Carlo Nalino flet për letërsinë arabe dhe zhvillimin e saj në periudhën e ka­li­fëve të parë islam (hulefairr-rrashidin), fillon me analizën e të gjitha specifikave të kësaj periudhe, si dhe me shqyrtimin e pozitës së letërsisë arabe në të, duke shp­reh mospajtimin e tij me disa historianë të cilët konstatonin se me fillimin e Shpalljes së Kur’anit poezia tek arabët fillon t’a humb domethënien, ndërsa vlera e poezisë duk­shëm është devalvuar! Si argument ndaj qëndrimeve të këtilla, Carlo Nalino do t’a ci­to­jë shkencëtarin dhe sociologun mysliman, me këtë edhe autorin e Mukaddimës së famshme, Ibn Haldunin (1332-1406), i cili konstaton se Kur’ani (me këtë edhe Profeti Muhammed) nuk i ndaluan poezitë që përmbanin do­methënie edukative e arsimore, madje Kur’ani si Fjalë e Zotit nuk mund të mposh­tet asnjëherë, ndërsa poezitë janë me prejardhje nga njeriu si krijesë, edhe pse të do­bishme, ato në literaturën dhe vetëdijen myslimane gëzojnë vendin e tyre. Me që­llim që të ofrojë një pasqyrë më të qartë në këtë aspekt, Nalino bën një klasifikim mjaft interesant të poetëve duke i ndarë ata në tre grupe, edhe atë siç vijon:

Në grupin e parë i vendos ata poetë të cilët e pranuan islamin dhe të cilët për­mes poezive të tyre e mbronin islamin dhe profetin Muhammed (a.s.v.s.), siç ishin Hasan ibn Thabit, Ka’b bin Dhuhejr, etj.
Në grupin e dytë i vendos ata poetë të cilët nuk e pranuan islamin, mirëpo gja­të zhvillimeve të rrethanave të caktuara anonin kah myslimanët dhe në poezitë e ty­re përshkruanin trimërinë e luftëtarëve myslimanë të cilët luftonin kundër idh­uj­ta­rë­ve, si dhe i vajtonin ata përmes poezive të tyre, siç ishin poetët Abdullah bin ez-Za­b’ari, Dirar ibn el-Hattab, etj.
Në grupin e tretë i vendos ata poetë të cilët e pranuan islamin, mirëpo në po­ezitë e tyre nuk lanë gjurmë të besimit islam. Kryesisht këta ishin beduinë arabë, si Muttamin ibn Nuvejjr, Ebu Mihxhan eth-Thekafi, etj.

Më tej Nalino konstaton se “përmbledhja me fjalë të urta e titulluar si “Neh’xhul-Belaga”, nuk është vepër e Ali ibn Ebi Talibit (r.a.), por e Sherif el-Mur­ta­dit, edhe pse këtu ekzistojnë fjalë edhe të Aliut (r.a.)”!

Siç theksuam më lartë, në aspekt të studimit Nalino i kushtoi vëmendje të veçantë poetëve të njohur paraislam të Hixhazit, ndër të cilët edhe Ka’b bin Dhuhejrit, një konvertit i mëvonshëm në is­lam. Në fakt, Kabi ishte i biri i poetit Dhuhejr, një ndër poetët e cilësuar në “mu­a­llaka”, poezitë e të cilëve në periudhën pagane paraIslamike vareshin në muret e Qa­bes. Gjithashtu, edhe Ka’bi ishte një poet i fuqishëm si i ati, por ai vazhdimisht i sa­ti­ri­zonte Profetin dhe Islamin. Atëherë kur do të çlirohet Meka, Ka’b bin Dhuhejri do të ikë drejt qytetit Taif. Megjithatë, aty nuk gjeti strehim. Me që Kabi kishte një vë­lla i cili quhej Buxhejr, do të ndodh që ky i fundit t’ia dërgojë një letër Kabit ku i shpje­gonte se Muhammedi i falte të gjithë ata që pendoheshin për veprimet e tyre ar­miqësore, e që konvertoheshin në myslimanë. Ai e këshilloi vëllain e tij Ka’bin që të udhëtojë drejt Medines dhe t’a shpreh pranimin e islamit në prani të Profetit Mu­ham­med (s.a.v.s.), me që, siç i shkroi në letër, “për ty nuk ekziston rrugë tjetër më të mi­rë”. Buxhejri i shkroi me sinqeritetin më të mëdha vëllait të tij Ka’bit, pasi që vër­te­të nuk kishte rrugë tjetër shpëtimi për të. Pasi që Ka’b bin Dhuhejri do të mendojë the­llë, vendosi të thurë një poezi lavdëruese për Muhammedin (s.a.v.s.) në një stil vër­tetë të pasur gramatikor, e kështu do të arrit fshehurazi të futet në Medinë. Ditën e nesërme në mëngjes u fut në xhami dhe fali namazin e sabahut nën udhëheqjen e Mu­hammedit (s.a.v.s.). Pas namazit u paraqit para Profetit Muhammed (s.a.v.s.). Ra në gjunjë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, Kabi u pendua për të kaluarën dhe u bë mys­liman. Po t’a sjell këtu, a e fal”?

“Po”. Tha i Dërguari i Allahut.

Ka’bi tregoi se kush ishte, duke i thënë: “Unë jam Ka’b bin Dhuhejri”!

Njëri nga medinasit iu hodh menjëherë sipër Kabit për ta vrarë atë, mirëpo Mu­hammedi (s.a.v.s.) nuk e lejoi, duke thënë: “Ai u pendua dhe erdhi si mysliman”!

Kabi nxori letrën me poezi (kasiden) që kishte përgatitur dhe filloi t’a recitojë:

“I Dërguari i Allahut është një dritë me anë të së cilës ndrit çdo gjë!

Është një prej shpatave të Allahut,

E zhveshur për t’a prerë të keqen e për t’a hedhur..!”

Këto vargje të bukura poetike do t’a kënaqin Muhammedin (s.a.v.s.) i cili me kë­të rast e nxori këmishën (burda) e tij dhe ia hodhi atë krahëve Ka’bit. Prej këtu kjo ka­side (poezi për Muhammedin s.a.v.s.) u bë e njohur me emrin “Kasidet-ul-Burda”  قصيدة البردة.

Poezia paraislame arabe përfshinte mjaft emra gjeografik. Në ato poezi gjej­më shumë emra të mikrotoponimeve të gjeografisë arabe, përkatësisht të rraf­shi­na­ve, burimeve, kodrinave dhe të vendeve të ndryshme historike arabe. Në to shpesh­he­rë përshkruheshin edhe dukuri të ndryshme historike, fenomene natyrore që ndo­dh­nin në shkretëtirë, etj. Panairet tregtare që organizoheshin në kohë të caktuara lu­a­nin rol të madh në zhvillimin e poezisë, pasi që ato kishin edhe karakter të ma­ni­fes­ti­me­ve letrare poetike. Panairi më i njohur i asaj kohe mbahej në Ukadh, në afërsi të Me­kës. Aty, përveç tregtisë, organizoheshin edhe konkurse poetike dhe mbrëmje ora­torie. Poezia e shkruar e cila merrte vendin e merituar si poezi ndër më të mirat, siç përmendëm më lartë qu­hej mual-laka (poezi e varur në mur), me që poezia e zgjedhur fituese nga juria shkru­hej në varak[7], përkatësisht në një copë bezeje të madhe që varej në murin e Qa­­­besë.

Thuhet se ndër poetët më të njohur të periudhës paraislamike njihej edhe Imru’l-Kajsi, pas tij Dhuhejr ibn Ebi Sulma, Tarafa ibn-ul-Abdi, Antara ibn Sheddad, Amr ibn Kulthum, Lebid ibn Rebia dhe Haris ibn Hilliz[8]. Arabët e vjetër, veçanërisht beduinët, inteligjencën e tyre e matnin përmes po­e­zive dhe oratorisë. Në Arabinë nomade poetët ishin pjesë e pajisjes ushtarake të fi­seve. Ata i mbronin forcat e fisit të tyre dhe i dëmtonin fiset armike me një fuqi e ci­la vepronte në mënyrë misterioze dhe përbëhej nga përpilimi i vargjeve interesan­te që do të tërhiqnin vëmendje dhe do të mbaheshin mend gjatë kohë[9].

Burimet:

BOŽOVIČ, Rade, “Udžbenik savremenog arapskog jezika – sa vježbankom i rječnikom”, Sarajevë, 1988.

S. Margoliouth, “Mohammed and the Rise of Islam”, New York-London, 1905.

HITI, Filip, “Istoriaj Arapa”, Veselin Masleša, Sarajevo, 1973.

RAMIĆ, Jusuf, “Obzorja arapsko-islamske književnosti”, Sarajevë, 1999.

SMAILAGIĆ, Nerkez, “Klasična kultura islam”, II, Zagreb, 1976.

Islamska Misao, nr. 134, 1990, Sarajevë.

[1] Ekzistojnë një varg orientalistësh të cilët gjatë veprimtarisë së tyre shprehën respekt të plotë ndaj islamit, ndër të cilët ishte edhe orientalisti rus Ignjatij Julijanoviç Kraçkovski. Ai është autor i qindra veprave në lëmin e his­to­ri­së së letërsisë arabe. Në njërën nga veprat e tij Kraçkovski flet për ndikimin e poezisë dhe shkencës në Evropë, mad­je ai hulumtoi evolucionin e zhanreve të poezisë klasike arabe, si dhe poezinë arabo-islame. Kraçkovski i ana­li­zoi me kujdes edhe gjurmët e qytetërimit islam në Spanjë, si dhe manifestimet kulturore në këtë siujdhesë mys­li­mane të Evropës.

[2] Në krahinën e Hixhazit bëjnë pjesë qytet: Mekka, Taif, Medine, Xhide, Jenbu, etj.

[3] HITI, Filip, “Istoriaj Arapa”, Veselin Masleša, Sarajevo, 1973, f. 79.

[4] MUTTAHERI, Murteda, “Nužnost učenja arapskog jezika”, Islamska Misao, nr. 134, 1990, Sarajevë.

[5] BOŽOVIČ, Rade, “Udžbenik savremenog arapskog jezika – sa vježbankom i rječnikom”, Sarajevë, 1988, f. 7.

[6] BOŽOVIČ, Rade, po aty, f. 7.

[7] Pëlhurë e hollë që i ngjante letrës.

[8] RAMIĆ, Jusuf, “Obzorja arapsko-islamske književnosti”, Sarajevë, 1999, fq. 9-35.

[9] D. S. Margoliouth, “Mohammed and the Rise of Islam”, New York-London, 1905.

/tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re