Pesha rajonale dhe globale gjithnjë e në shtim e Turqisë vërtetohet me fuqinë tërheqëse të saj për të prodhuar lajm ndërkombëtar në çdo moment. Me fare pak përjashtime, media botërore e ka atë për çdo ditë në lajmet kryesore. Askush nuk mund ta mohojë më faktin se ky vend, me rolin dhe zërin spikatës në rendin e ri global ende në trajtësim, është shndërruar në një aktor vështirë të nxjerrshëm jashtë skene, vështirë të ulshëm në gjunjë. Dy ngjarjet e fundit tregojnë pikërisht këtë gjë, qoftë lirimi i një pastori amerikan apo zhdukja e një gazetari arab në konsullatën saudite në Stamboll.

Andrew Brunson, pastori amerikan i mbajtur për dy vite pas hekurave në Turqi, iu gëzua më në fund para tre ditësh lirimit të tij. Një gjykatë turke e liroi atë pasi e dënoi me më tepër se tre vite burg për ndihmën e dhënë organizatave terroriste. Koha e kaluar në burg dhe në arrest shtëpie i mjaftuan pastorit për t’u liruar dhe për ta parë veten pas pak orësh në Shtëpinë e Bardhë.

Ky person nuk u shpall i pafajshëm, por u dënua për aq sa u mund të provohej veprimtaria e tij në dëm të shtetit turk. Kjo është shumë e rëndësishme! Një pjesë e akuzës nuk mundi të provohej për shkak të ndryshimit të dëshmive të ca prej dëshmitarëve në këtë proces. Lirimi i tij ishte një vendim gjykate, jo një vendim politik!

Pas njëzet e kusur vitesh në Turqi, pastori u përcoll me shprehjen, të huazuar nga një e përditshme turke, “Se mos e provon përsëri!” Për lirimin e tij u përdor shumëçka, që nga retorika agresive e Trump-it dhe Mike Pence-it te sanksionet dhe goditja e lirës turke. Gjatë dy muajve të fundit, a diçka më shumë, Turqia u përball me presionin e partnerit strategjik, aleatit të NATO-s, në më të fundit segment të krizës së gjatë midis dy vendeve. Sanksionet ndaj dy zyrtarëve të lartë të qeverisë turke, ato ekonomike, dhe sulmi financiar mbi monedhën vendase ishin pjesa më e dukshme e këtij presioni. Kriza përfundoi me falënderimin e Trump-it për presidentin turk, me bekimin teatral të presidentit amerikan në Shtëpinë e Bardhë nga pastori Brunson.

Gjuha e Trump-it dhe e zëvendësit të tij ka qenë, mes të tjerash, pa përjashtuar faktorin gjeopolitik, në funksion të zgjedhjeve të nëntorit në SHBA, të mesmandatit, kyçe për vazhdimësinë në detyrë, teksa është i domosdoshëm për suksesin elektoral mobilizimi i votuesve evangjelistë. A nuk është përdorur me sukses retorika antiturke më herët dhe në zgjedhjet në Holandë dhe në Gjermani, për të përmendur veç këto dy shtete? Në anën tjetër të krizës, gabon ai që e sheh lirimin e pastorit Brunson si zmbrapsje të Erdoğan-it, si lëshim të detyruar prej turqve. Të dyja palët mohuan që të ketë patur negociata ose lëshime të nëndheshme. Por edhe në qoftë kështu, në rastin më të keq, kjo tregon veç që amerikanët e kanë patur të pamundur të gjejnë tjetër rrugëdalje përballë qëndresës së hapur turke, vendosmërisë për të mos iu dorëzuar presionit, dhe respektimit të rrugës gjyqësore.

Lira turke rezistoi, ka fituar goxha terren gjatë dy javëve të fundit, ekonomia turke vazhdon të mbahet në binarë të fortë, dhe, për më tepër, kriza ka shërbyer në një aspekt dhe për mirë, duke i dhënë mundësi nisjes në vend të një aksioni antiinflacionist me rezultate të dukshme që në fillim. Lirimi i pastorit nuk nënkupton gjithsesi mbarimin e mosmarrëveshjeje mes dy aleatëve strategjikë, as rifitimin e besimit. Një varg çështjesh të tjera e mbajnë krizën të gjallë, mes të tjerash mbështetja amerikane për njësitë kurde të YPG-së në Siri, të vlerësuar si terroriste nga Ankaraja zyrtare dhe si krahu i armatosur i PKK-së në vendin fqinj. Presidenti turk ka paralajmëruar së fundi për një aksion tjetër ushtarak në tokën siriane, të ngjashëm me dy pararendësit, në përpjekje për të shmangur krijimin e një korridori kërcënues terrorist përgjatë kufirit turk, posaçërisht në lindje të Eufratit.

Të vijmë te çështja tjetër, po aq e ndjeshme. Jamal Khashoggi, gazetari arab i një të përditshmeje amerikane, një herë e një kohë i afërt me oborrin mbretëror saudit dhe me poste drejtuese, veçmas në shtypin saudit, për t’u kthyer më pas në një zë të fuqishëm kundërvënës ndaj politikave më të fundit të princit të kurorës, hyri plot dy javë të shkuara në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll për të mos u parë më. Të gjithë të dhënat e mëpastajme, pavarësisht pretendimeve të punonjësve të konsullatës, tregojnë se ai nuk ka dalë që andej. Njerëzit me më shumë njohje me të në Turqi e bëjnë eliminimin e tij fakt të kryer, diçka që e kanë shprehur që në ditët e para.

Eliminimi i tij në Stamboll nuk është një akt i thjeshtë i heqjes qafe të një zëri të bezdisshëm për sauditët. Ai ngjan më shumë me rrëzimin e avionit rus tre vite të shkuara, si një përpjekje për ta vënë Turqinë me shpatulla pas muri në botën arabe pikërisht nga ata që ndihmuan në organizimin e grushtit të dështuar të shtetit të korrikut të 2016-s. Vrasja nuk është kaq e “pafajshme”, por me pasoja gjeostrategjike në rajon e më gjerë.

Të gjitha pistat të çojnë te vrasja gjakftohte. Mosfunksionimi i kamerave brenda konsullatës, dërgimi në shtëpi atë të martë i punonjësve turq të të gjitha ambienteve të saj, ardhja me dy avionë e 15 personave po atë ditë dhe largimi i shpejtë i tyre pas pak orësh në dy vendmbërritje të ndryshme, janë të tërë elementë që i mëshojnë teorisë së vrasjes. Ka zëra po ashtu për filmime dhe për regjistrime zëri në duart e autoriteteve turke, por gjer më tani të pakonfirmuara. Pas kërkesës së para një jave, më në fund një ekip turk hetimi ka mundur të hyjë mbrëmjen e së hënës në konsullatën saudite. Rezultatet priten të jepen brenda pak këtyre dy apo tre ditëve.

Mbreti saudit ka biseduar në telefon më së pari me presidentin turk, e pastaj me atë amerikan. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, do të vizitojë Ankaranë pas Riadit. Sipas medias amerikane, Arabia Saudite po bëhet gati ta pranojë vrasjen si një, “marrje në pyetje që shkoi keq”, duke mohuar kategorikisht përfshirjen e qeverisësve të saj në të. “Arab News” citon sot presidentin Trump, që flet për “rogue killers”, për “vrasës jashtë kontrollit”, sipas përkthimit të “Zërit të Amerikës”. Të pesëmbëdhjetë personat e mbërritur atë ditë në konsullatë, që u pretendua të kenë ardhur në Stamboll për turizëm por që qëndruan vetëm pak orë, aq sa për të mbaruar punën, siç duket, flitet se janë arrestuar. Drama e gazetarit Xhemal Kashëkçë (Cemal Kaşıkçı), i njohur kështu në Turqi, ngjan se po vjen drejt fundit, me daljen më të butë të mundshme prej krizës, duke ua lënë përgjegjësinë ca personave të papërgjegjshëm. Jeta do t’i kthehet kështu normalitetit me një kapak të dyshimtë të vënë ngjarjes, ama jeta e gazetarit nuk do të jetë e mundur të kthehet më. Ngjarja është sidoqoftë një njollë e fortë për pushtetin mbretëror saudit.

Turqia, si palë e interesuar për zbardhjen e ngjarjes, ka vepruar me kujdes, por vendosmërisht. Autoritetet turke kanë këmbëngulur për sqarimin e çështjes, pa e thënë fjalën e fundit, ndryshe, duke lënë të kuptohet në opinion se kanë shpresuar në një lajm të mirë. Kanë qenë të hapur për bashkëpunim për zbardhjen e misterit të zhdukjes së gazetarit, por pa toleruar në këtë gjë. Qëndrimi korrekt ka shmangur kthimin e Turqisë në një objekt goditjeje, duke e shfaqur atë si vendin më të interesuar për zbulimin e fatit të Khashoggi-t. /tesheshi.com/   

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re