Përgjatë gjithë tranzicionit, është krijuar një bindje e betonuar në popull se ai atje lart, politikani a qeveritari, është aty, në atë pozitë, vetëm për interesat e tija.

Ai, sipas një gjykimi standart, pushtetin dhe influencat që e shoqërojnë atë i shfrytëzon për pasurim personal dhe tej këtij interesi nuk lëviz as gishtin.

Kjo bindje përforcohet në kohë si nga të dhënat e terrenit me shumë pak produkt mirëqeverisjeje, e si nga të dhënat me pasuri përrallore, në raport me njerëzit e thjeshtë, të atyre që kanë gëzuar apo gëzojnë pushtet. Llogari bankare, toka, automjete e apartamente, të poseduara nga shumëkush me pushtet ndër vite, janë bërë tashmë diçka e zakonshme.

Dhe e gjithë kjo panoramë përcjell veçse trishtim. Sepse aty, pa shumë komente, pasqyrohet diferenca pushtet-popull në pasuri. Në fakt ka dhe plot realitete ku si në popull gjen të pasur, ashtu dhe ndër pushtetarë mund te hasësh njerëz me pasuri a jetë modeste. Por kjo nuk e ndryshon bindjen e përgjithshme se pushtetit i bashkangjitet si perceptim pasurimi, e popullit varfëria.

Sigurisht që është trishtuese e gjitha kjo, por a ka ndonjë shans për të qenë dhe e gëzueshme? Patjetër që po. Kur ne njihemi me një njeri të pushtetshëm që posedon pasuri, duhet të ndihemi mirë nga fakti se një aftësi e caktuar ia ka bërë atij të mundur mbrothësinë individuale, diçka që mundet ta  aplikojë dhe tek masa që i ka besuar pushtet.

Le te marrim dy raste për ta ilustruar këtë: deputetin socialist Alket Hyseni dhe ish-ministrin demokrat të Bujqësisë Rexhep Uka. I pari, në një kontekst politik, ka shokuar një pjesë të opinionit me pasurinë që posedon nga e kaluara, vërtet jashtë politikës por jo dhe jashtë punishteve të parabërjes siç janë doganat. Dhe kjo duhet ta gëzojë elektoratin që e ka zgjedhur, për faktin se te ky individ paskërka tregues aftësish për t’u pasuruar. Tashmë mbetet të shihet se si ai, atë që ka arritur për vete t’a mundësojë dhe për të tjerët, për ata që i kanë besuar pushtet. Këtu më pas troket trishtimi. Sepse pikërisht kjo nuk ndodh në Shqipëri. Pra, që siç je pasuruar për vetë, ashtu t’jua mundësosh dhe të tjerëve të pasurohen. E bën dot? Nëse nuk e bën, prite më pas dhe keqgjykimin e njerëzve.

Marrim rastin tjetër, atë të Rexhep Ukës, njeriut që mahnit gjithëkënd që viziton fermën e tij në periferi të Tiranës. Është nga ata ish-figura të PD-së që nuk e ka ndyrë emrin. Për disa vite mbajti postin e ministrit të Bujqësisë në qeverisjen e Berisha. Nuk u përfol për ndonjë aferë, sigurisht, por as edhe la gjurmë për diçka revolucionare në sektorin ku drejtoi. Ama sapo kaloi në privat shkëlqeu. Tregoi se ishte i aftë, për të bërë punë të bukura e pasuri gjithashtu. Por vetëm për vetë ama.

I gjithë ky paradoks shkon dhe me të dhënën tjetër, atë që këtë vend, kaq keq të qeverisur ndër vite, deri në pikën e bastardizimit dhe degradimit të çdo sektori, e kanë patur në dorë njerëz të shkolluar, deri me tituj shkencorë. Në këtë pikë madje, kryeministri aktual, Edi Rama është shumë prapa paraardhësve të tij që kanë qenë profesorë e doktorë, ndërsa ai vetë nuk posedon ndonjë medaljon të tillë skolastik. Por çfarë ka çaluar atëherë? Natyrshëm, morali! Është pikërisht ai që bën diferencën në të punuarit vetëm për vete, e të punuarit dhe për të tjerët.

Po të ekzistonte kjo e dyta, kriter në votëdhënie duhej të ishte pasuria e të zgjedhurit: sa më e madhe, aq më garante për t’u zgjedhur. Fatkeqësisht nuk është kështu, e ndaj mbetet gjithnjë trishtuese!

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re