Gjithherë, në kuadër të dinamikave dhe zhvillimeve në nivel global, çështja e përcaktimeve politiko-ekonomike për shtetet e vogla dhe jo të zhvilluara përbën një momentum historik të rëndësisë ekzistenciale. Sot, në mënyrë të pashmangshme, ato do të duhet të zgjedhin pozicionim mes forcash dhe aleancash dominuese të tensionuara në një botë multi-polare në rritje. Ballkani, si një nga zonat me frekuencën më të lartë të interesave të të mëdhenjve, tanimë ndodhet brenda një momentumi të tillë. Në këtë drejtim, sa i përket kujtesës historike, shqiptarët ndajnë përjetimet më dramatike dhe më të dhimbshme nga të gjithë popujt e tjerë. Me gjithë rrethanat optimiste, se si do të dalim kësaj radhe nga ky rikonfigurim, është ende e paqartë plotësisht.

Jo se shqiptarët, e në veçanti Kosova, nuk e ka bërë të qartë përcaktimin dhe synimin e vet, e as që është vonuar për ta bërë një gjë të tillë. Përkundrazi,  Kosova prej kohësh është përcaktuar për alternativën euro-perëndimore dhe mjaftueshëm ua ka dëshmuar partnerëve ndërkombëtarë orientimin e saj demokratik perëndimor. Megjithatë, në dy-tre vitet e fundit, në opinion qarkullon ideja e kontestimit të përcaktimit euro-perëndimor të Kosovës. Thuhet se Kosova nuk ka arritur t’i bind partnerët perëndimor lidhur me seriozitetin për dialog, për sulmin e Banjës, dhe së fundmi, për anëtarësim në Këshillin e Europës. Kjo e fundit u tha në mënyrë eksplicite edhe nga emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Janë shtuar zërat se Kosova nuk ka arritur t’i bind partnerët ndërkombëtar në shumë raste, dhe rrjedhimisht, BE-ja e ka të paqartë përcaktimin e Kosovës ndaj alternativës euro-perëndimore.

Por, a është e vërtetë se Kosova nuk ka arritur t’i bind partnerët gjeo-strategjikë për orientimin apo përcaktimin e saj politik? A është e vërtetë që Kosova është e paqartë ndaj alternativës euro-perëndimore? Ajo që hedh dritë në këtë pyetje është qasja që BE-ja ka zgjedhur në lidhje me ushtrimin e presionit nën kërcënimin e sanksioneve ndaj palëve, në këtë rast, Kosovës dhe Serbisë, në rastet e destruktiviteteve në dialog dhe gjetiu. 

Kosova i nënshtrohet sanksioneve për veprime të brendshme në kuadër të kompetencës legjitime të ushtrimit të sovranitetit shtetëror, ndërsa Serbia nuk konsumon sanksione për qëndrimet pro-ruse në luftën e Ukrainës, madje as edhe për mbështetjen direkte të sulmit ndaj Kosovës në veriun e saj. Mirëpo, aplikimi i standardeve të dyfishta, presioni i pabalancuar dhe sanksionet e BE-së ndaj Kosovës në raport me Serbinë nuk përbëjnë më lajm as gjetje. Kjo është pohuar nga autorë e studiues të pavarur, ambasadorë, deputetë parlamentesh të shteteve europiane, madje edhe nga deputetë të parlamentit europian. Kjo qasje e pabalancuar e perëndimit është shpjeguar në terma strategjisë së perëndimit për ta tërhequr Serbinë nga zona e ndikimit rus dhe lidhjeve me Rusinë. Se a do t’i funksionoj perëndimit kjo strategji mbetet ende për tu parë. Aktualisht, nuk ka shpresë!

Por, kjo qasje dhe strategji mosndëshkuese dhe e ngrohtë e perëndimit ndaj Serbisë, me qëllimin për ta shkëputur atë nga orbita ruse, pohon, nënkupton dhe vërteton katërcipërisht tre realitete. E para, pohon se, Serbia, përveç alternativës së euro-perëndimore ka në dispozicion edhe alternativën ruse (lexo:dhe kineze). E dyta, nënkupton se, mungesa e sansksioneve ndaj Serbisë është në funksion të së parës, pra, të nxitjes së Serbisë për tu larguar nga alternativa ruso-kineze. E treta, si rezultat i dy të parave, vërteton se, prania sanksioneve dhe kushtëzimeve ndaj Kosovës janë rezultat i  mungesës së një alterantive të dytë për të. Pra, vërteton përcaktimin politik euro-perëndimor të Kosovës. 

Prandaj, origjina e trajtimit të pabarabartë, kërkesave joparimore, kushtëzimeve, sanksioneve dhe presioneve të BE-së ndaj Kosovës në raport me Serbinë, është çështja e alternativave integruese të këtyre dy shteteve. Pra, pikërisht pse Kosova nuk ka një alternativë tjetër, të dytë, të integrimit politiko-ekonomik dhe pikërisht se BE-ja është e bindur për këtë, presioni, kushtëzimi dhe imponimi ndaj saj sa vjen e bëhet më i pranishëm.  Dhe, pikërisht se Serbia, përveç BE-së, ka në lojë edhe një apo më shumë alternativa, gëzon tolerimin dhe përkdheljen e saj. Po të kishte Kosova ndonjë alternativë tjetër përveç BE-së, sikurse që Serbia ka Rusinë dhe Kinën, nuk do të ishte objekt presioni dhe sanksionesh i BE-së, të paktën jo në këtë masë sa është tani.

Prandaj, pretendimi apo narrativa se Kosova nuk është e qartë apo nuk ka arritur t’i bind partnerët euro-perëndimor në lidhje me përcaktimin pro-perëndimor, është farsë. Kosova është e qartë dhe partnerët ndërkombtarë janë të bindur në përcaktimin e saj pro-perëndimor, por, kjo narrativë duket të jetë mjet për t’i arsyetuar sanksionet dhe kushtëzimet ndaj Kosovës, dhe, njëkohësisht, për të mbuluar mosndëshkueshmërinë ndaj palës meritore, Serbisë. /Tesheshi.com/

*PhD në Administratë Publike

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re