Nuk ka kaluar kohë e gjatë kur në Shqipërinë e pushtetit popullor të asokohe shumëçka pretendohej te kryej në emër të popullit. Në emër të popullit vritej, plaçkitej, dënohej, dëbohej etj.

Shumëkush i mban mend episodet e filmave mbi luftën nacionalçlirimtare ku pjesa më kulmore ishte ndonjë atentat “në emër të popullit’’ dhe në skenën që rrethonte ngjarjen regjizori kujdesej që të vendoste gjithë fabrikën sociale të kohës.

Gjithashtu të ngulitura në memorien kolektive të shqiptarëve janë dhe filmimet e gjyqeve popullore të viteve të pasluftës ku në emër të popullit u asgjesua një taraf i tërë intelektualësh dhe teknokratësh shumë të nevojshëm asokohe për t’ja lënë vendin një kaste tjetër drejtuesish, të cilët me emocionet e provincës e shihnin çdo gjë prej aspektit kulturor të qytetit si shenjë dekadence.

Këtë tentativë për ta bërë “popullin’’ autor në gjyqet publike, mund të shohim se shoqëria shqiptare ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme e ka ende të ruajtur dhe, këtë e sheh më pastër në gjyqet që u bëhen shumë ngjarjeve të cilat e elektrizojnë opinionin publik për shkak dhe të ndjeshmërisë që kanë këto ngjarje.

Rasti më i fundit i gjyqit popullor (post komunizëm) është dhe ngjarja top-hit e ditëve të fundit: vjedhja e disa mijëra eurove te shtëpia e një ish-funksionareje shtetërore.

E përbashkëta e të dy kohëve është “solidarizimi me ekzekutorin’’ por ndryshe nga rasti i gjyqeve popullore të periudhës komuniste ku “populli’’ ishte i pafuqishëm për t’i ndalur gjërat që u kryen në emër të tij, në ditët e sotme shohim se ky “populli’’ tjetër është i pafuqishëm për ta pëmbajtur veten për të mos u hedhur në linçime, etiketime, solidarizime etj.

Ne ditët pas kësaj ngjarjeje reagimet ishin nga më të ndryshmet, ku dikush e shihte hajdutwn si Robin Hood, dikush tjetër e shihte atë si një subjekt që bëri punën që nuk po bën SPAK-u i famshëm, dhe ku ndër të tjera shihje dhe gjykime të ndonjë kanali televiziv jo dosido ku këtë ndodhi e emërtonte me siglën “hajduti kapi hajdutin’’ duke i vënë vulën kësaj ngjarjeje.

Gjyqi joformal vazhdon, ku çdokush prej nesh mund të shprehë çfarëdo që i vjen në mendje  duke mos e mbajtur atë për vete por duke e afishuar ku të mundet (në rrjete) pavarësisht nëse ajo që thotë është një budallallëk apo urtësi.

Ajo që vlen më pak në këto raste është viktima e vërtetë, ku askush nga ne nuk e vendos veten në atë pozicionin e të akuzuarit prej turmave të publikut te thjeshtë apo prej morisë të gazetarëvë apo opinionistëve që e ripërtypin lajmin në çdo studio debati apo muhabeti televiziv ku marrin pjesë, dhe duke mos e vënë ne veten në atë pozitw, atëherë nuk mund  të përjetojmë qoftë dhe fiktivisht rëndesën  emocionale që ka linçimi nga një publik i dalë duarsh.

Padyshim që gjetja e një thesari të tillë në banesën e një funksionareje shtetërore të vijës të dytë nuk është një ngjarje që ndodh përditë, por kjo nuk është asesi shkak që gjyqin ta bëjnë trupat popullore pa e thënë fjalën e parw apo të fundit ende institucionet ligjzbatuese.

Për t’u përmendur është dhe fakti se dhe ky gjyq popullor nuk është rrjedhojë e një ndjesie civile ku dënohet akti pavarësisht peshës qe ka, pasi këtu shohim se në një shkalllë të gjërë solidarizimi është me hajduten e vërtetë dhe jo me atë të prezumuarin prej opinionit publik, ku ky i fundit  për çudi të publikut rezulton dhe si viktimë.

E gjithë kjo mund të ngjajë me pasojat e një minirevolucioni kinez ku në mënyrë paradoksale shihje se si turmat popullore supervizonin punën e mjekëve, inxhinierëve, drejtuesve politikë etj.

Duke qënë të pafuqishëm për të ndryshuar këtë mentalitet atëherë nuk na ngel gjë tjetër vetëm se të shpresojmë që të paktën verdiktet e gjyqeve popullore të jenë sa më afër drejtësisë, ose përndryshe mund të përfundojnë si publiku spektator i përplasjeve të gladiatorëve ku humbësit i ruante surprizën finale, atë të dënimit deri ne frymën e fundit. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re