Barcelona duket se i ka lënë pas kohët e saj të errëta. Kampionët e Spanjës, tërësisht të transformuar në sezonin që u mbyll, janë kthyer përsëri në një magnet për futbollistët më të mirë.Pavarësisht problemeve me “fair play financiar”, klubi katalanas është një tërheqje e madhe për çdo lojtar, veçanërisht pas projektit të suksesshëm të iniciuar nga Hansi Flik. Kjo është arsyeja pse Luis Diaz, Niko Uilliams, Markus Rashford dhe Ivan Perisiç kanë paralajmëruar klubin se do të ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga ofertat më të larta për të veshur fanellën blaugrana.
Ivan Perisiç është në një pozicion të ngjashëm , megjithëse në rastin e tij është më shumë një plotësues për sulmuesin e krahut të djathtë, dhe vetëm pasi Barça të ketë arritur të sigurojë së pari sulmuesin e krahut të majtë, i cili është një përparësi. T’i marrim me radhë… Me nënshkrimin e Joan Garsias tashmë në xhep, pasi shfrytëzoi klauzolën e tij të lirimit prej 25 milionë eurosh të premten e kaluar, përparësia kryesore e Barcelonës tani është të forcojë sulmin e saj me një sulmues krahu me këmbë të majtë.
LUIS DIAZ – Kolumbiani, 28 vjeç, po mendon vetëm për Barçën. Sulmuesi i Liverpulit, një tifoz që në fëmijëri i Barcelonës falë babait të tij, e ka ndaluar rinovimin e kontratës me Liverpulin dhe po bën gjithçka që mundet për t’u siguruar që klubi spanjoll të arrijë një marrëveshje me “The Reds”. Ai rrëfeu së fundmi se “po flasim me klubet”, pa e përmendur drejtpërdrejt Barçën, por që brenda klubit kjo u interpretua pozitivisht. Luis Diaz nuk ndihet i vlerësuar në “Anfield” dhe tani që “treni” i Barçës i është prezantuar, ai nuk është i gatshëm ta lërë të kalojë pa u hipur në të. Ai hodhi poshtë një ofertë shumëmilionëshe vetëm për të luajtur në “Spotify Camp Nou”.
NIKO UILLIAMS – Sulmuesi 22-vjeçar ishte objektivi kryesor i Barçës verën e kaluar për të forcuar krahun e majtë. Pas shumë javësh entuziazmi, një raporti të shkëlqyer me katalanasit në Kampionatin Europian dhe takimeve me agjentin e tij, lojtari nga Navarra më në fund vendosi të qëndronte te Atletik Bilbao me ëndrrën për të fituar Europa League me baskët në “San Mamés” së bashku me vëllain e tij Injaki. Një vit më vonë, Niko, me oferta nga Bajerni i Mynihut dhe Arsenali, ka filluar të tregojë se përpara se të marrë në konsideratë një transferim në Bundesligë ose Premier League, basti i tij do të ishte të luante për Barcelonën. Për më tepër, ai e di se adaptimi i tij do të ishte shumë i lehtë dhe ka një projekt fitues.
MARKUS RASHFORD – Anglezi, 27 vjeç, është një tjetër opsion që Barça ka në tavolinë për të përforcuar krahun e majtë të sulmit. Sulmuesi i Mançester Junajtid luajti në huazim te Aston Vila. Edhe një herë, lojtari britanik e ka vendosur Barçën në krye të listës së tij të opsioneve dhe do të presë që afati i transferimeve të përparojë në rast se ka një opsion. Agjentët e tij kanë rënë dakord për një transferim për rreth 40 milionë euro, një shifër që do të ishte nën klauzolën e lirimit prej 62 milionë eurosh të Nikos dhe 60 milionë eurot për të cilat Luis Diaz mund të largohej nga Liverpul.
IVAN PERISIÇ – Veterani kroat (36 vjeç), është një kërkesë e drejtpërdrejtë nga Hansi Flik për të forcuar vijën sulmuese. Trajneri e njeh mirë atë nga koha e tij te Bajerni i Mynihut dhe e kupton se çfarë mund t’i sjellë ekipit, jo vetëm për shkathtësinë e tij, por edhe për konkurrencën e tij. Kroati, pa klub pas skadimit të kontratës së tij me PSV-në, dëshiron të presë për Barçën përpara se të vendosë për të ardhmen e tij.
LEDJO SEFERKOLLI-