NIKOLETA KOVAÇI/ Policia e Tiranës dhe njëherësh Prokuroria nuk kanë bërë me dije asnjë zhvillim për gjatë ditës së djeshme në lidhje me hetimin e ngjarjes së rëndë të dhunimit barbar të Sokol Mëngjesit, avokatit dhe njëherësh profesorit të Fakultetit të Drejtësisë.

Ajo që është mësuar për punën e policisë janë kërkimet pa asnjë të dhënë konkrete në lidhje me vendndodhjet e tre prej personave të larguar, ndërsa dy të tjerët që janë në ambientet e Policisë së Tiranës që prej pasdites së mërkurë janë vetëdorëzuar. Bëhet fjalë për porositësin e sulmit dhe për njërin nga autorët. Sipas të dhënave, gjendja shëndetësore e avokatit është ende e paqartë dhe mjekët e kanë të vështirë të ndërhyjnë për shkak të dëmtimeve të shumta që ka në pjesën e kokës, ndërkohë që dy të dorëzuarit kanë dhënë edhe shpjegimet e tyre.

56-vjeçari nga Tirana ka hedhur poshtë pretendimin se organizoi sulmin, ndërsa dhëndri i tij, i vetëdorëzuar tha se sulmoi avokatin për faktin që pa vjehrrin e mërzitur. Dritan Nano ka mohuar t’i kishte porositur djemtë që të dhunonin avokatin e tij, me të cilin ishin konfliktuar për shkak të mosshlyerjes së pagesës sipas kontratës së nënshkruar me avokatin para se sa të niste çështja që Mëngjesi kishte marrë përsipër për të mbrojtur. Por, Dorian Alia, edhe pse nuk pranon që janë paguar nga Nano, pranon që e kanë kryer aktin e rëndë për llogari të tij.

DËSHMIA E TË DORËZUARIT

Dorian Alia është një nga autorët e sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur mëngjesin e djeshëm. Alia u vetëdozuar në Polici disa orë pas ngjarjes së rëndë, ku avokati Mëngjesi u sulmua barbarisht në derën e kopshtit të fëmijës së tij. Policia arrestoi Dritan Nanon si porositës së krimit, ndërsa kjo është pohuar edhe nga një prej autorëve, Dorian Alia. Sipas informacioneve, Alia ka deklaruar para policisë se sulmi fizik ndaj avokatit Mëngjesi u krye me porosi të Dritan Nanos. Sipas dëshmisë së Alisë, sulmi u “krye për miqësi”, ndërsa agresorët donin t’i bënin presion të hiqte dorë nga gjyqi që avokati Sokol Mëngjesi kishte hapur.

Në dëshminë e tij, Alia ka pohuar se sulmin e kishin planifikuar, avokatin e kishin ndjekur dhe rrinin vazhdimisht komunikohej mes personave që u përfshinë në sulmin brutal ndaj avokatit Mëngjesi. Në deklarime vijon Aliaj, ishin përgatitur për t’i dhënë mesazh Mëngjesit, pa menduar se situata do të rëndohej dhe avokati do të merrte dëme të rënda. Para policisë, ai ka treguar të gjithë skemën e se si e kanë planifikuar e deri te dhuna ndaj avokatit. Rezulton se ai është personi që ka goditur me grusht i pari Sokol Mëngjesin dhe më pas kanë qëlluar të tjerët.

Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor. Avokati Sokol Mëngjesi vijon në monitorim intensiv në reanimacion, në gjendje të rëndë shëndetësore. Autorët e sulmit janë identifikuar si Romario Tabaku 26 vjeç, Dorian Alia 32 vjeç, Drivald Alia 21 vjeç, Elton Kasaj 33 vjeç.

Avokati Mëngjesi u godit me doreza hekuri në pjesën e kokës dhe në momentin që ka rënë në tokë, është goditur serish me mjete të forta dhe shkelma, duke i shkaktuar dëme të shumta në kokë, përfshi hematomat dhe frakturat.

HETIMET

Policia ka nisur kërkimet duke bërë të mundur të kryejë një sërë kontrollesh nëpër zonat në të cilat pretendohet se janë fshehur tre personat që kanë ikur nga Tirana. Kontrolle të imtësishme janë kryer edhe nëpër pikat kufitare me idenë që të moslargohen nga vendi, por ende nuk dihet nëse Policia e Tiranës, përveç shumës prej 20 mijë eurosh që ka hedhur për informacion të saktë për vendndodhjen e tyre, nuk dihet nëse ka nisur negociatat me familjarët e të rinjve të përfshirë në atë ngjarje të rëndë.

Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë, ku katër persona kanë sulmuar para kopshtit të të birit avokati Sokol Mëngjesi. Pritet që ditën e sotme prokuroria të kërkojë arrest me burg për dy personat në fjalë, nën akuzën e vrasjes për shkak të detyrës, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj tre autorëve të tjerë që janë në kërkim, konkretisht Drivald Alia, kushëri me Dorianin, dhe Romario Tabaku dhe Elton Kasajt, miq të Drivaldit. Ndaj tyre është ngritur akuza e vrasjes për shkak të detyrës e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. E njëjta akuzë do të rëndojë edhe ndaj tre të tjerëve të cilët kanë marrë arratinë! Nano është vjehrri i Dorian Alisë, ky i fundit është kushëriri i parë i Drivald Alisë, i shpallur në kërkim, dhe dy të tjerët janë miqtë e Drivald Alisë.

Prokuroria bëhet me dije se ka sekuestruar një kontratë të 8 anëtarëve të familjes Sheqeri, dhe një kontratë e firmosur edhe nga Dritan Nano, që është trashëgimtar nga ana e nënës së tij, që është bijë e familjes Sheqeri. Avokati mësohet se i ka përfaqësuar në të dyja shkallët dhe pasi është fituar gjyqi ai ka kërkuar dhe marrjen e përgjegjësive nga palët sipas kontratës, marrja e një sipërfaqe toke të caktuar, që është rënë dakord nga palët që do i jepej avokatit nëse fitohej çështja.

Por Nano ka kundërshtuar për dhënien e kësaj prone sipas kontratës. Dorian Alia ka deklaruar se nuk ka bërë plan me vjehrrin e tij për këtë sulm, por se e ka parë rastësisht dhe pasi e ka përshëndetur dhe avokati nuk i ka folur, është nervozuar, sipas tij dhe e ka sulmuar. Po ashtu ka mohuar se e ka sulmuar me sende të forta Sokol Mëngjesin!”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re