Edhe pas shumë trazirash nga protestat e njëpasnjëshme përpara Bashkisë së Tiranës, Këshilli Bashkiak ka vendosur të vijojë punën normalisht.

Sot në orën 16:00 do të mbajë mbledhjen e radhës me gjashtë projektvendime të lajmëruara në rend dite si në tabelën përbri. Shumica me karakter ekonomiko-social, por asnjë në lidhje me kërkesën e opozitës për transparencë mbi veprimtarinë ekonomike të bashkisë më të madhe në vend pas skandalit me protestën “5D”.

ASISTENCA DHE BONUSI

Një listë voluminoze me 346 familje në Tiranë përfitojnë ndihmë ekonomike dhe bonus qiraje në kushtet e paaftësisë për të përballuar jetesën apo pagesën e qirasë në kushtet e tregut të lirë. Njësitë Administrative të qytetit kanë përcjellë pranë Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale propozimin për 253 familje për t’u trajtuar në muajin prill 2024, nga këto 157 familje do të trajtohen me fonde të buxhetit vendor dhe 96 familje nga fondi i kushtëzuar 6%.

“Këshilli Bashkiak ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, duke përdorur fondin shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike. Fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike është 6 për qind e këtij fondi dhe mbi këtë fond mund të shtohen ose jo edhe fonde të buxhetit vendor. Familjet në nevojë që do të trajtohen me ndihmë ekonomike do të miratohen me vendim të këshillit bashkiak”, përcaktohet në relacionin e nisur anëtarëve të këshillit. Referuar kategorive e nënkategorive në nevojë që kanë aplikuar të trajtohen me ndihmë ekonomike pjesë e listës së përfituesve janë familje me më shumë se 4 anëtarë në nevojë, familje me 1 anëtar në nevojë, familje nga 2-4 anëtarë në nevojë, familje rome dhe egjiptiane, vajza – nëna në nevojë, gratë kryefamiljare të divorcuar/ të veja me fëmijë në ngarkim, familje me 2 anëtarë në vështirësi për t’u pranuar në tregun e punës. Përpos asistencës ekonomike mujore, janë edhe 95 familje të tjera që trajtohen me bonus qiraje. Në fillim aplikuan 103 persona, por vetëm 95 u pranuan.

“Çdo praktikë u shoqërua me formularët e vlerësimit social-ekonomik nga njësia administrative përkatëse, për vërtetësinë e gjendjes faktike të familjes, gjendjen ekonomike, si dhe verifikimin e vendndodhjes së tyre të deklaruar sipas kontratës së qirasë. Të gjithë formularët e seleksionuar si të vlefshëm gjatë fazës së parë të shqyrtimit u shoqëruan me të gjithë dokumentacionin e dorëzuar nga aplikuesit. Llogaritja e të ardhurave për personat e vetëpunësuar është llogaritur nga vërtetimi i derdhjes së kontributeve dhe nga bilanci i njësuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore”, citohet në relacionin shoqërues të projektvendimit ku nënvizohet gjithë procedura nga aplikimi deri tek pranimi i dosjeve.

Madje, disa prej tyre nuk e kanë të plotë dokumentacionin dhe iu është lënë një muaj afat për të plotësuar dosjet me qëllim përfitimin e shumës mujore për një vit rresht.

“Komisioni i Strehimit sugjeron që për subjektet aplikues të poshtë shënuara, që nuk disponojnë numrat e llogarisë së qiradhënësit sipas vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 10, datë 05.02.2020,”Për miratimin e procedurave për zbatimin e programit social të strehimit “Subvencioni i Qirasë”, i ndryshuar, pagesa e tyre do të kryhet pasi ky dokument të delegohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Sociale”. Përveç familjeve në nevojë që nuk përballojnë dot qiranë mujore, janë edhe shtatë familje të tjera që përfitojnë bonus qiraje. Jo për një vit, por tre vite rresht pasi preken nga zbatimi i projektit të segmentit rrugor “Unaza e Madhe e Tiranës, Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Shkozë”.

Numri i aplikimeve është shumëfish më i madh, 118 familje si dhe çdo ditë adresohen aplikime të reja por mosbashkëpunimi nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ka vështirësuar procesin duke përjashtuar dhjetëra familje që iu takon të përfitojnë.

“Sjellim në vëmendje se aplikuesit kanë hasur vështirësi me gjenerimin e vërtetimit nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës nëse përfituesi dhe anëtarët madhorë të familjes zotërojnë ose jo banesë tjetër të ligjshme brenda territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore apo pa leje ku, do të zhvillohet projekti dhe për këtë arsye disa praktika janë plotësuar me vonesë”, thuhet në relacionin e projektvendimit.

Për shtatë familjet në tabelën e mëposhtme afati i pagesës së qirasë mujore fillon nga momenti i firmosjes së marrëveshjes dhe lëshimit të godinës. Trajtimi financiar në formën e bonusit të qirasë zgjat për një afat 3-vjeçar nga data e miratimit të trajtimit të përfituesve. Çdo vit njësia e vetëqeverisjes vendore verifikon për këto familje/individë kushtet e strehimit që parashikohen në ligjin e strehimit.

Familja që ka përfituar bonusin e qirasë do të dalë nga kjo skemë nëse vërtetohet që ka përfituar një banesë tjetër ose këto familje kanë përfituar nga trajtimi me program të përshtatshëm strehimi përpara përfundimit të afatit 3-vjeçar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re