Edhe pse është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bosnja dhe Hercegovina nuk është shtet me sovranitet të plotë sepse atje ende pushtet mbi pushtetet është Përfaqësuesi i Lartë që vjen nga jashtë. Fatmirësisht, kjo gjendje e jodinjitetshme për një shtet, i shkon për shtati boshnjakëve, popullit shumicë dhe viktimë e luftës, sepse pasi e lejuan gjenocidin dhe njëqind të zeza tjera, Perëndimi nëpërmjet Përfaqësuesit të Lartë përpiqet t’i përmirësojë gabimet nga e kaluara ndaj boshnjakëve. Por kjo gjë nuk i pëlqen palës serbe dhe kroate, prandaj me çdo kusht përpiqen ta diskreditojnë atë duke e shpallur jolegjitim dhe të njëanshëm në favor të boshnjakëve. Së fundi këtë e bëri Millorad Dodiku si kundërpërgjigje ndaj raportit të Përfaqësuesit të Lartë Kristian Shmid në Këshillin e Sigurimit të OKB mbi gjendjen në BeH. Dhe cili është argumenti i Dodikut që raporti është në favor të boshnjakëve? Raporti nuk i përmend xhamitë e mbushura përplot! Pra, për Dodikun, problem për të cilin duhet t’i tregohet botës mbarë është shkuarja e muslimanëve në xhami!

Në rastet “normale” sentimenti antiislam shprehet duke i mëshuar nga anash: “kampe xhihadistësh”, “radikalizmi islam”, “fundamentalizmi islamik”, “Islami politik”, “xhematet paralele”, apo “vehabizmi”. Por kjo deklaratë e Dodikut është rast i rrallë që si me një rrëshqitje frojdiane zbulohet e vërteta se çka realisht kanë në brendi. Dhe e vërteta është se problemi i tyre nuk është brenga nga radikalizmi, terrorizmi, fundamentalizmi, apo pretekste tjera, problemi i tyre është urrejtja ndaj muslimanëve në përgjithësi!

Por ky sentiment vulgar antiislam nuk haset vetëm te përfaqësuesit e Republika Srpskas, entitetit gjenocidal që vrau, dëboi, përdhunoi, dhe torturoi, qindra mijë njerëz vetëm pse ishin muslimanë. Përkundrazi, antimuslimanizmi vulgar haset në të gjitha shtetet ballkanike. Nga Sllovenia dhe Kroacia (që shumica as nuk duan t’i konsiderosh Ballkan), e deri në Bullgari; nga Serbia në Greqi.

Fatkeqësisht, kjo e keqe ekziston edhe te shqiptarët që mburren me tolerancën ndërfetare. Muslimanurrejtësit shqipfolës gjithashtu Islamit i mëshojnë me sulme nga anash me akuza të tipit që xhamitë dhe hoxhallarët shqiptarë paguhen nga jashtë (edhe po të jetë kështu, e çka? Çfarë të bëjmë me OJQ-të që rëndom financohen nga burime të jashtme? Çfarë të bëjmë me Caritas-in katolik që financon projekte në R. e Shqipërisë dhe Kosovë?), por jo rrallë paraqiten zëra që troç e zbulojnë atë që e ndjejnë në zemër. P.sh. një person që e mban versionin islam të emrit të patriarkut të tre feve, Abrahamit, sivjet në fillim të Ramazanit në Facebook-un e tij u shpreh se kush e agjëron Ramazanin nuk është shqiptar! Pra, ashtu si serbomadhit Dodik që i pengon kryerja e një riti fetar të muslimanëve që është falja në xhami, njëjtë dhe një shqipfolësi i pengon kryerja e një obligimit fetar të muslimanëve që është agjërimi i Ramazanit!

Ajo për të cilën ky person meriton të lavdërohet është që së paku flet me emrin e vet, por në Facebook është një faqe e menaxhuar nga anonimë e cila cak të sulmeve i ka shqiptarët në Maqedoni të Veriut që e kanë reputacionin si muslimanë më praktikantë se të tjerët. Njëjtë edhe kjo faqe sulmet nuk i ka me pretekste të rreme si radikalizmi, terrorizmi, etj. por me gjërat që fare nuk duhet t’i interesojnë se çfarë bëjnë muslimanët, si p.sh. mosshitja e mishit të derrit nga pronarët muslimanë të mishtoreve, dyqaneve, dhe restoranteve. (Por sikur në mesin tonë të jetonte një komunitet i madh i hebrenjve, a thua kjo faqe do të guxonte të tallet me mishtoret e hebrenjve që po ashtu e kanë të ndaluar mishin e derrit?) Kjo faqe tallet edhe me emrat tradicionalë të shqiptarëve muslimanë, gjë që e bëjnë edhe shfaqjet e humorit si “Portokallia” dhe të ngjashmet me to. Ironia më e madhe është kur me emrat tradicionalë të shqiptarëve muslimanë tallet ndonjë Jyrgen, Xhejson, Françeska, apo ndonjë Graciano.

Por nëse disa sulme ndaj muslimanëve janë thjeshtë banale si kjo me mishin e derrit dhe emrat, disa tjera janë makabre. Gjatë ceremonisë së varrimit të humoristit Gëzim Kruja, arkivolin ia kanë mbuluar me një pëlhurë ku shkruan një ajet kuranor, që është tipar i zakonshëm i varrimeve të muslimanëve, ndërsa edhe kjo ua paska vrarë syrin antimuslimanëve shqipfolës! Urrejtja ndaj Islamit nuk i kursen as të vdekurit në ditën më të dhimbshme për familjen e tyre!

Por nëse shumë prej “njerëzve” iu pengojnë aspektet private të muslimanëve, atëherë situata është edhe më e keqe për praninë e Islamit në publik!

Nëse ndonjë portal lokal lajmëron se vendbanimit të tyre iu shtua edhe një hafëz i Kur’anit apo që ndërroi jetë ndonjë mësues fetar i njohur për banorët lokalë, nën postimin e atij lajmi medoemos të ketë ndonjë koment denigrues për shkollimin fetar islam. Meraklinjtë e mëdhenj të mësimit sekular, shkollat i kanë si pretekst edhe të kundërshtimit të xhamive. Nëse del një lajm për ndërtimin e një xhamie, ata thonë se më mirë me ato para të ishte ndërtuar një shkollë, edhe pse shkollat ndërtohen me mjete buxhetore për të cilin paguhet tatim e jo nga donacionet vullnetare siç ndërtohen xhamitë.

Në të gjitha anët e Ballkanit ekziston një rezistencë vulgare e ndërtimit të xhamive edhe në vendbanimet me numër më se të mjaftueshëm të besimtarëve muslimanë që do ta shfrytëzonin atë xhami. Në Maqedoni të Veriut komunat nuk japin leje për ndërtim të xhamive në fshatra dhe lagje ku ka muslimanë, përderisa vazhdimisht ndërtohen kisha që tërë kohën rinë të zbrazura ose kryqe gjigande jashtë kishave dhe varrezave por midis rrugës që nuk kanë asnjë funksion tjetër përveç se si provokim dhe si shënim të territorit për t’iu treguar jomirëseardhje muslimanëve.

Çuditërisht, rezistencë ndaj ndërtimit të xhamive ka edhe në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovë që janë shtete me shumicë muslimane! Të gjithë e dimë sagën disadekadëshe me mosndërtimin e xhamive qendrore në Prishtinë dhe Tiranë. Përderisa muslimanët në Prishtinë çdo të premte falen në oborr të xhamive dhe më gjerë sepse kapacitetet e xhamive janë të pamjaftueshme për numrin e besimtarëve që falen çdo të premte, në Prishtinë u ndërtua katedrale gjigande katolike që as për Krishtlindje nuk mbushet në kapacitetin e plotë! Ndërkaq, përderisa me projektin e xhamisë së Namazgjasë luhej ping-pong, në Tiranë u ndërtua katedralja “Ngjallja e Krishtit” që është kisha ortodokse e treta më e madhe në tërë Evropën!

Nëse kundërshtia ndaj xhamive ka të bëjë me ezanin që lëshohet me altoparlant, këtu ka hapësirë për diskutim. Në mediumin saudit në gjuhën angleze “Saudi Gazette”, një kolumnist arab ankohej për ezanin me altoparlant që sipas tij i shqetëson disa njerëz. Përderisa edhe në Arabinë Saudite ka njerëz që i shqetëson ezani me altoparlant, nuk ka problem që të ndalet kjo praktikë në mjediset multifetare të Ballkanit. Por a thua këtu qëndron problemi, apo është në pyetje thjeshtë urrejtja ndaj muslimanëve? Dhe pikërisht kjo është motivi i kundërshtimit të xhamive, pa marrë parasysh çështjen e ezanit, gjatësinë e minares, shkeljen e gjelbërimit, burimet e financimit të ndërtimit, arkitektura e xhamisë, dhe vërejtje tjera të pasinqerta?

Fatmirësisht, jo të gjithë jomuslimanët e Ballkanit janë antimuslimanë vulgarë. P.sh. aktori bosanas Branko Gjuriq (babanë serb, nënën boshnjake) që gjatë luftës në BeH është shpërngulur në Slloveni ku jeton edhe sot, thotë se ditën e fillon me ezanin që e mban në celular sepse kjo ia përkujton qytetin e tij Sarajevën. Ngjashëm këngëtari po ashtu bosanas Goran Bregoviq (babanë kroat, nënën serbe) gjatë incizimeve të një dokumentari në Sarajevë, në të njëjtën kohë dëgjohej edhe ezani nga xhamitë edhe kambanat nga kishat, ndërsa ai me ngazëllim shprehej se askund nuk tingëllon më bukur se këtu.

Megjithatë, përderisa një numër i vogël e mban lartë idealin e bashkëjetesës së feve të ndryshme duke i respektuar veçantësitë e tyre, një numër i madh i jomuslimanëve ballkanas assesi ta pranojnë praninë në publik të tipareve të muslimanëve. Që të jetë situata më absurde, kjo ndodh edhe në shtetet me shumicë muslimane që janë Republika e Shqipërisë dhe Kosova ku flitet për ndalesën e shamisë në publik thua ti se muslimanët në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovë qenkan komunitet i vogël i imigrantëve të sapoardhur e jo popullsi vendase që madje e përbën shumicën e popullsisë! Dhe atyre që iu pengon shamia në kokë e grave muslimane sepse shteti është laik, çuditërisht nuk iu pengon nëse njerëzit mbajnë kryq në qafë edhe pse shteti është laik!

Por kjo nuk është hipokrizia e vetme e muslimanurrejtësve shqipfolës sepse i tërë “argumentimi” i tyre është me standarde të dyfishta.

Gjatë Ramazanit të këtij viti, për herë të parë në Prishtinë, në shesh u organizua një iftar i madh publik. Pra, një ditë të vetme nga Ramazani, u shfrytëzua sheshi për iftar, ashtu si plot tjerë e shfrytëzojnë për marshime, protesta, koncerte, etj. Por edhe ky iftar i vetëm në shesh iu duk i tepërt muslimanurrejtësve shqipfolës!

Në Tiranë për Bajram praktikohet tradita profetike që namazi i Bajramit të falet jashtë xhamive por në ambiente të hapura të qytetit me qëllim që të nxitet ndjenja e komunitetit tek njerëzit. Në vit janë vetëm dy Bajrame, ndërsa e gjithë ceremonia para dhe pas faljes së namazit të Bajramit nuk zgjat më shumë se dy orë, pastaj pjesën tjetër të ditës dhe tërë vitit, bulevardi apo sheshi është i lirë si zakonisht. Si do qoftë, edhe këto pak çaste të shprehjes publike të Islamit ua vrasin syrin disa ithtarëve të laicizmit. Por të njëjtëve fare nuk iu pengon që gjatë tërë dhjetorit dhe një pjesë të mirë të janarit, qytetet janë të mbushura me zbukurime për festat krishtere të fundvitit, bredhin e Krishtlindjes dhe zbukurimet tjera i gjen në ambientet e institucioneve publike, ndërsa në media vazhdimisht përsëritet “Gëzuar festat”, “Gëzuar festat”.

Gjatë dekadës që kaloi, u bë problem i madh që disa qindra persona nga Ballkani shkuan të marrin pjesë në luftërat qytetare në Siri dhe Irak, por gati se aspak nuk flitej për vullnetarët nga Ballkani që shkuan të luftojnë në Ukrainë! Kjo hipokrizi e paradokohshme me pjesëmarrjen e ballkanasve në luftërat e huaja, na e përkujton hipokrizinë edhe më të rëndë me vullnetarët e huaj në luftën në Bosnje. Është bërë zhurmë e madhe për pjesëmarrjen e muxhahidëve në anën e boshnjakëve por askush nuk e konsideron problem pjesëmarrjen e vullnetarëve rusë dhe grekë në anën e gjenocidbërësve serbomëdhenjë apo vullnetarëve të huaj në anën e kroatëve. Këta vullnetarë të huaj nuk përbëjnë problem, por janë problem shumë serioz muxhahidët që erdhën në mbrojtje të boshnjakëve që ishin pala e konfliktit e pajisur më dobët me armatim dhe pa asnjë mbështetje nga shtetet përreth! Po ashtu, mos të harrohet se këta muxhahidë vinin të luftojnë në anën e Armatës së Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës që ishte ushtria e të vetmit shtet të njohur ndërkombëtarisht, për dallim nga Republika Srpska dhe Republika Kroate e Herceg-Bosnjës që nuk njiheshin nga askush dhe “ushtritë” e këtyre “shteteve” ishin prani ilegale në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Përpjekja për t’i zhdukur boshnjakët gjatë luftës në BeH të viteve 1992-1995 është larg nga të qenit e para në Ballkan. Ato ishin veprime karakteristike të të gjitha shteteve ortodokse ballkanike që e fituan pavarësinë nga Perandoria Osmane. Mali i Zi, Serbia, Greqia, dhe Bullgaria, të gjitha kryen masakra dhe dëbime masive të popullsisë muslimane. Kjo nuk vlente vetëm për turqit etnikë të ardhur gjatë sundimit osman por edhe për popullsinë vendase që pat kaluar në Islam. Për ata u shpik termi “poture” (d.m.th. që janë bërë “turq”) edhe pse ata vazhdonin ta flasin gjuhën e njëjtë (me huazime orientale, por në përgjithësi mbetej e njëjta gjuhë), visheshin me veshjet popullore si më parë, dhe i ruanin shumicën e dokeve dhe zakoneve lokale (p.sh. sot e kësaj dite te shqiptarët muslimanë, d.m.th. “që janë bërë turq”, është ruajtur tabuja për të mos u martuar brenda farefisit, edhe pse te turqit e vërtetë martesat në mes kushërinjve janë rutinore.) Por përderisa i shpallnin “turq” ata që kaluan në Islam, “çuditërisht”, krishterët ortodoksë dhe katolikë të Ballkanit nuk i shpallnin për amerikanë ata që konvertoheshin në protestantizëm, e as gjermanë, anglezë, ose skocezë. E nëse shkojmë më herët, e gjithë popullsia e gadishullit ballkanik dikur kanë qenë paganë, por pas kalimit në Katolicizëm nuk është se e quanin veten ose njëri-tjetrin “romakë”, e as e quanin veten ose njëri-tjetrin “bizantinas” kur kalonin në Ortodoksi. Megjithatë, kur disa prej popullit të tyre vendosën ta ndërrojnë fenë dhe të kalojnë në Islam ashtu si paraardhësit e tyre hoqën dorë nga paganizmi dhe kaluan në Krishterim, ata që kalonin në Islam i shpallnin edhe si etnikisht diçka tjetër.

Por a thua etnia është me të vërtetë brengë e sinqertë e krishterëve të Ballkanit, ashtu që në mënyrë preventive t’i shpallnin për turq bashkëvendësit e tyre që kalonin në Islam? Përse kroatët nuk heqin dorë nga Josip Juraj Shtrosmajer, edhe pse siç tregon mbiemri, ai nuk kishte kroat etnik por gjerman? Përse serbët e mbajnë aq lartë kryeministrin e tyre Nikolla Pashiq dhe fare nuk iu pengon që nuk ishte etnikisht serb por vlleh?

Pasi e fituan pavarësinë, në krye të Greqisë, Bullgarisë, dhe Rumanisë, nuk u vendosën dinasti vendase por ua sollën mbretërit gjermanë nga jashtë. E pra, nëse etnia paska qenë brenga e vërtetë e tyre ashtu që t’i shpallin për turq bashkëvendësit e tyre që kalonin në Islam, atëherë përse grekët, bullgarët, dhe rumunët, nuk bënë kryengritje kundër familjeve mbretërore që ishin etnikisht të huaj por me plot dëshirë i pranuan si të vetët?

Nëse etnia është me të vërtetë brengë e sinqertë e shqiptarëve jomuslimanë, atëherë përse nuk lënë fjalë pa thënë kundër shqiptarëve muslimanë të Maqedonisë së Veriut që vazhdojnë me krenari ta quajnë veten shqiptarë, ndërsa përpiqen t’i marrin me të mirë ish-shqiptarët ortodoksë në Maqedoni të Veriut të cilët që moti janë tjetërsuar në diçka tjetër dhe tani vetë ata janë antishqiptarë?

Nëse shqiptarët jomuslimanë e urrejnë Turqinë e sotme për shkak se shteti paraardhës i saj, Perandoria Osmane, deri më 1913 e ka mbajtur të pushtuar Shqipërinë, atëherë përse të njëjtit zakonisht janë edhe grekofilë të zjarrtë kur dihet që Greqia i dëboi çamët dhe sot e kësaj dite e mban të pushtuar një pjesë të Shqipërisë që është Çamëria? Te shqiptarët ortodoksë të jugut më është e njohur grekofilia aq sa më 1878 nuk morën pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (ku katolikët morën pjesë) dhe më 1913 përpiqeshin të bëhen pjesë e Greqisë në vend se pjesë e shtetit të sapoformuar shqiptar, por çuditërisht grekofilë të shthurur sot mund të hasen edhe në Veri. Unë p.sh. e kam parë se si një katolik mirditor te bio e profilit në Facebook e kishte emoxhin e flamurit të Greqisë.

Prandaj, kur e përdor metodën krahasuese të hulumtimeve shkencore, do ta konstatosh që sentimenti antimusliman ballkanik është hipokrizi pas hipokrizie dhe dyfytyrësi e pafundme!

Pa dyshim, muslimanët nuk janë të përkryer. Sundimi qindravjeçar osman ndaj jomuslimanëve të Ballkanit i ka patur aspektet e saja negative që me të drejtë kanë shkaktuar ndjenjë revolte te ta, por kjo assesi nuk i arsyeton tmerret që më vonë i bënë shtetet ballkanike ndaj popullsive muslimane. Në afat prej pak vitesh, shtetet krishtere ballkanike ndaj popullsive muslimane e kthyen me kamatë të lartë çdo përvojë të keqe që krishterët e kanë kaluar brenda qindra viteve të sundimit osman.

Gjatë Luftës në BeH, edhe boshnjakët bënë krime lufte ndaj kroatëve dhe serbëve, por a thua kjo mund të krahasohet me masakrën në Ahmiqi ku kroatët vranë 120 boshnjakë (përfshirë dhe fëmijë) si pjesë e kampanjës më të gjerë të spastrimit etnik në Luginën e Llashvës? Dhe mbi të gjitha, a mund të krahasohen me Gjenocidin e Srebrenicës ku serbët i vranë mbi 8000 boshnjakë?

Po ashtu gjatë luftës në BeH, nuk mohohet që boshnjakët ta kenë shembur ndonjë kishë, por a thua ndonjë rast i tillë i izoluar mund të krahasohet me 80 xhami të shembura nga kroatët dhe 534 xhami të shembura nga serbët? Mbi këtë çështje Alija Izetbegoviqi do të shprehet: “Katedralja e ruajtur në Sarajevë dhe xhamia Ferhadija e rrënuar në Banja Llukë tregon gjithçka për ne dhe ata. Këta dëshmitarë të gurtë nuk gënjejnë dhe qëndrojnë përballë tërë propagandës së tyre.”

Për të përmbyllur: në një botë ideale, të gjithë do të donim ta kemi një fe të njëjtë, por diçka e tillë është e pamundur. Është normale ndaj tjetrit të ndjejmë rezerva, apo mos të jemi tërësisht të kënaqur me të, përderisa e beson një fe tjetër nga e jona, por së paku ta lëmë rehat pa e provokuar dhe ta trajtojmë ashtu siç do të donim të na trajtonin të tjerët. Ky është “rregulli i artë” biblik (Levitiku, 19:18; Mateu, 7:12), dhe porosi profetike islame (Sahihu i Muslimit, I:72). A nuk themi se të gjitha fetë e mësojnë atë? /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re