NGA YLLI POLOVINA

Nje fragment nga libri im i shume viteve te shkuara “Nje kolonel midis Tiranès dhe Prishtinès”.

“Rrugët më kryesore të furnizimit me armë dhe municione për ta ndiqnin ujrat detare dhe vinin nga Bosnja dhe Kroacia. Ata vaporë që mbërrinin prej këtyre dy vendeve dhe ishin planifikuar të hynin në portin e Durrësit për të shkarkuar e marrë mall, gjithnjë të fshehur kishin nga dhjetë deri tridhjetë ton armatim. Me të zbarkuar e gjithë ngarkesa nuk bënte as pushimin më të vogël e nisej menjëherë për në Kosovë. Policia Shqiptare në të gjitha nyjet e portit e bënte një sy të verbër, po ashtu edhe njërin vesh të shurdhër. Në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së gojë më gojë përcillej fjalënaja se Kryeministri me kohë u kishte deklaruar të vetëve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit “Ndihmoni, por mos u reklamoni!Unë nuk di gjë”. Kjo donte të thoshte se të tëra ngarkesat me armë, të cilat të ardhura nga Bosnja dhe Kroacia zbarkonin në portin e Durrësit e kudo tjetër në bregdet, duhej t’i lejonin të drejtoheshin pa u vonuar për në Kosovë. Por për këtë të mos flitnin, sidomos me gazetarët.
Tani korridoret detare rrezikoheshin të mbylleshin. Sa ishte vetëm flotilja luftarake e Aleancës Atllantike një shteg i hapur dhe i patrazuar nga kontrolli sidoqoftë mbetej. Dublimi me luftanijet ruse ishte mbyllje e plotë.
Në orën një të natës Bislim Zyrapi theu heshtjen dhe zymtinë e gjatë. Formoi në telefonin satelitor një numër. Pastaj me dikë nisi të fliste herë në gjuhën sllave dhe herë në shqip. Të gjithë oficerët që u gjendën në dhomën operative, mbajtën frymën. Nuk flitnin më me njeri-tjetrin as me zë të ulët. I vëmendshëm u bë edhe koloneli. Me aq sa një çast i kapi veshi kuptoi se po flitej edhe për një atashe ushtarak shqiptar si edhe për flotiljen ruse. Fraza më e qartë e Bislim Zyrapit në atë bisedë telefonike ishte ajo që u shqiptua në fund të telefonatës së tij: “Bashkëpuno me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Turke që të bëjë çka mund të lejohet për të penguar flotën ruse të dalë në Egje!”
Personi në anën tjetër të telefonit, me sa kuptoi koloneli, iu përgjigj se nuk kishte mundësi ta kryente atë mision. Atë mund ta realizonte vetëm atasheu ushtarak i Shqipërisë. Kjo gjë u duk qartë pasi Bislim Zyrapi ia miratoi mendimin, duke u shprehur në telefon “Të kuptova, vetëm i Shqipërisë”.

Kur shefi i Shtabit të Përgjithshëm u bë gati të mbyllte aparatin satelitor dhe lehtësisht shfryu si të dëshmonte që akoma ankthi i parë nuk i kishte ikur, Dilaver Goxhai mendoi se ishte rasti më i mirë për ta pyetur. Tjetri për fat po shihte nga ai si të kërkonte ndihmë. Atëhere koloneli filloi ta pyeste përse ishte fjala dhe nëse mund t’i ishte i dobishëm. Sapo formuloi kujdesshëm fjalët e para, Bislim Zyrapi, pa e mbyllur telefonin dhe akoma në linjë me bashkëfolësin enigmatik, u gjet krejtësisht gati t’i jepte shpjegime. Deri pak çaste më parë ishte mur i padepërtueshëm, tani ishte me porta krejt të hapura.

Shefi i Shtabit e pyeti nëse njihte atasheun ushtarak shqiptar në Ankara dhe kur Dilaver Goxhai, me një shkëlqim të befasishëm në sy, pohoi, ai i tha bashkëbiseduesit të përtej receptorit: “Shih, kam një kolonel që ka ardhur nga Shqipëria dhe është ndihmësi im kryesor. Fol me të!”

Pastaj i zgjati kolonelit telefonin. Në sytë e Bislimit shkëlqente një ngazëllim fëminor.
Dilaver Goxhai e mori aparatin dhe menjëherë iu prezantua bashkëfolësit. Tjetri me një shqipe të përkorë u përgjegj “Jam gjeneral Ismail Pasha, atashe ushtarak i Bosnjës pranë Republikës Turke”. Koloneli: “Atëhere ju duhet ta njihni atasheun shqiptar Harjo Limaj”. Ismail Pasha: “E kam shok të ngushtë. Me të e pi kafen çdo ditë”. Koloneli: “Mrekulli! A ka mundësi të më jepni numurin e tij të telefonit që unë të lidhem me të?”. Tjetri u tregua i gatshëm, por megjithatë shtoi: “Nesër në orën tetë të mëngjezit më merrni në telefon dhe do ta keni Hajro Limajn këtu, në zyrë. Kështu e konsumojmë bashkë problemin”. “Dakort!” shqiptoi koloneli, duke e mbështjellë fjalën me tingëllimin e një urdhëri ushtarak që duhej zbatuar.

Bislim Zyrapi bëri përshendetjet e fundit me Ismail Pashën dhe nisi t’ja shpjegojë Dilaver Goxhait atë që kishte biseduar. Ky tashmë e kuptoi menjëherë krizën e menjëhershme të zymtisë që e kishte kapur shefin e tij me të dëgjuar lajmin për lëvizjen e pritshme të flotiljes ruse. Për orë të tëra, deri sa më në fund e kishte gjetur rrugëdaljen, Bislim Zyrapi kishte kërkuar me vete si mund të ndalonte përbindëshin e madh që po përpiqej të rrëshqiste nëpër Detin e Zi dhe të hynte në grykën e ngushticës së Bosforit. Mrekullia mesa dukej kishte ndodhur pas mesnate. Ishte kujtuar për atasheun ushtarak të Republikës së Bosnjës pranë shtetit turk. Ai ishte një boshnjak me origjinë shqiptare. Me Bislimin patën luftuar sëbashku në Bosnjë gati dy vite.

Bislim Zyrapi i kishte kërkuar drejtpërsëdrejti bashkëkombasit të tij si mund ta ndihmonte të përcillte deri tek Shefi i Shtabit i Ushtrisë Turke lutjen e UÇK-së që grupi i anijeve luftarake ruse të pengohej ose të paktën të vonohej në përpjekjen e saj për të dalë në Egje. Mënyra më e mirë ishte që të gjendeshin gracka ligjesh ndërkombëtare. Ismail Pasha i ishte përgjegjur se mbetej plotësisht i dëshiruar që flota ruse të mos mbërrinte kurrë në detin Adriatik ose të arrinte atje pas një apo dy muajve. Por duke qënë se përfaqësonte një shtet tjetër do të ishte e mirë që protagonist të parë për të ndërhyrë te Shefi i Shtabit të Ushtrisë Turke, për të qënë edhe në përputhje me rregullat diplomatike, të kishin atasheun ushtarak të shtetit shqiptar. Prej këtij çasti, duke qënë se Bislim Zyrapi as nuk e dinte dhe as nuk e njihte personin e Tiranës në Ankara, kishte lindur nevoja për të kërkuar ndihmën e kolonelit.

Nata u zbardh shpejt dhe dita e 28 marsit e kapi orën tetë të mëngjezit me shpejtësinë që zakonisht nxit ndjenja e gëzimit. Kur akrepat u përputhën fiks me numurat tetë dhe dymbëdhjetë Bislim Zyrapi formoi numurin e telefonit të zyrës së Ismail Pashës. Ai reagoi që me zilen e parë. Në receptor u dëgjua zëri i atasheut shqiptar.
Me Harjo Limajn shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vetëm u përshendet dhe bisedën më pas e kreu koloneli. Në pak minuta ranë dakort se si do ta vazhdonin aksionin e tyre. Thanë se tashmë në orën njëmbëdhjetë kishin siguruar një takim me vetë shefin e Shtabit të Ushtrisë Turke dhe për të marrë prej tij një përgjigje do të riktheheshin në zyrë e të pritnin telefonatën e tyre. Le t’i binin ziles pas orës dymbëdhjetë.

Kur ora shenoi mesditën Bislim Zyrapi i kujtoi Dilaver Goxhait se tanimë duhej të telefononin Ankaranë. Koloneli propozoi që të mos nguteshin dhe ta shtynin për më vonë thirrjen. Biseda me ushtarakun e lartë të armatës turke mund të kishte zgjatur, mund edhe të ishte shtyrë për ndonjë gjysëm ore dhe se që nga rezidenca e tij gjer në zyrën e Ismail Pashait mund të lypej kohë. Mjaftonte që trafiku të ishte i ngarkuar.
Kur ora shkoi trembëdhjetë Bislimi sërish i kujtoi kolonelit se çasti i telefonatës kishte mbërritur, por Dilaver Goxhai u përgjegj se mund ta shtynin edhe pak, fare pak. Në rast se nguteshin e pastaj merrnin një përgjigje joinkurajuese, përshembëll, se dy ushtarakët e veshur me imunitet diplomatik ende ishin në paradhomën e kryeoficerit turk, do t’i kapte një dëshpërim i kotë. Më mirë të duronin edhe pak që kur lajmin ta merrnin ai të ishte i gëzueshëm.
Bislim Zyrapi u bind. Që prej telefonatës me Ismail Pashën ai vërtet nuk ishte më i brengosur, por ankthin nuk e fshihte dot.
Numurin e atasheut ushtarak të Republikës së Bosnjës e formuan në orën katërmbëdhjetë fiks. Përgjigja që mbërriti ishte e gëzuar gjer në marramendje: “E konsumuam me Shefin e Shtabit. Ai e mirëpriti dhe tha se do të përdoret gjithçka legale dhe e lejueshme nga ligjet ndërkombëtare që nëqoftëse nuk ja delnin ta pengonin kalimin e flotës ruse nëpër ngushticën e Bosforit, të paktën do ta vononin”.
Pas këtij çasti koloneli nuk mori vesh se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe nëse në zhvillimin e rrethanave të mëpastajme kishte dorë armata turke, qeveria e Ankarasë, NATO apo askush prej tyre nuk kishte ndikuar fare.
Sidoqoftë flotilja ruse e kaloi Gjibraltarin pothuaj dy javë më pas dhe mbërriti në Adriatik, në dyert e korridoreve detare që nga Bosnja dhe Kroacia drejt portit të Durrësit dërgonin ngarkesa me armë dhe municione për UÇK-në, vetëm në mes të muajit prill”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re