Dy vëllezër binjakë 10 vjeçarë, kanë mundur të shpëtojnë jetën e babait të tyre 46 vjeçar, i cili ndodhej në një pishinë, në momentin kur i ranë të fikët.

46 vjeçari, me profesion mjek, ishte zhytur në pishinën e shtëpisë së tij e po kryente disa ushtrime, në kohën kur nuk u ndie mirë dhe humbi ndjenjat. Me të ishin dy fëmijët dhe një tjetër i mitur, djali i komshiut aty pranë.

Kur pa se trupi i të atit u lëshua, një prej binjakëve vendosi syze uji dhe u hodh në pishinë për të shpëtuar të babain. Binjaku tjetër së bashku me mikun e tij 11 vjeçar u hodhën në ujë dhe pavarësisht vështirësive, mundën të nxjerrin 46 vjeçarin nga uji.

“Një prej djemve më tregoi se po dridhesha dhe se fytyra ime kishte marrë një ngjyrë blu”-shpjegoi më pas babai i binjakëve.

Bashkëshortja e 46 vjeçarit nuk ndodhej në shtëpi, e pasi djemtë e nxorrën të atin nga pishina, nisën të kërkojnë për ndihmën e fqinjëve. Një prej djemve arriti të ndalojë një makinë që kalonte aty pranë, ndërsa shoferi lajmëroi ambulancën. Madje një prej binjakëve, duke patur parasysh skenat e filmave, nisi t’i bëjë babait CPR (masazh kardiopulmonar).

Një prej fqinjëve, mjek kardiolog, dëgjoi sirenat e policisë dhe shkoi në vendin e ngjarjes për të ndihmuar. 46 vjeçari mundi të shpëtojë dhe kujtoi për median amerikane se në momentin kur u zgjua, pa të birin që lutej: “Babi të lutem kthehu, babi ti duhet të bëhesh mirë”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re