Personaliteti i letrave Primo Shllaku ka ofruar një ndër formulimet më britante të karakterit shqiptar në raport me atdheun e tyre, në përpjekje për të shpjeguar afshin per ikje dhe vetëm ikje.
“E diagnostikoj me përgjegjësi të plotë që shqiptarët duan të gjejnë atdhe të gatshëm”, tha ai në “ZëmeMirën Podcast”.
Kujtojmë që më herët, vite më parë, ai që do ofronte formulime të tilla monumentale me sens shpotitës ndaj karakterit shqiptar ose vetë shoqërisë shqiptare, do ishte Edi Rama, jo ai politik por ai kritik me kostum artistik dhe publicistik. Thënë ndryshe, një Faik Konicë modern.
Në vitin ‘99, pak para se të pranonte ofertën e Nanos për ministër Kulture, pra pak para se të merrte një rol qeverisës, Rama do deklaronte në sallën e Akademisë së Arteve, aty ku në ’90 do startonte “Refleksionet” e tij te famshme anti-komuniste: “Shqipëria, atdheu më i dashur i çdo maskarai dhe atdheu më i urryer për atë që horr dot nuk bëhet”.
Për ironi, Shqipërisë, të cilën ai udhëheq prej 12 vitesh dhe që më gjasë do vijojë ende ta udhëheqë, i shkon më shumë se kurrë kjo paradigmë e trishtë. Sepse, nëse Shqipëria lëndore ka bërë vërtet përparime, nën Ramën, ajo lëndore, pra morale, ka mbetur ajo çfarë ka qenë, ndoshta dhe më keq. /tesheshi.com/