Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22-të. Ai e mbajti këtë detyrë nga 23 tetori 1944 deri më 19 korrik 1954, plot 9 vjet, 9 muaj e 26 ditë.

Në librin e tij “Historitë e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, gazetari dhe pedagogu Roland Qafoku i jep të njëjtën hapësirë edhe diktatorit shqiptar Enver Hoxha, si edhe drejtuesve të tjerë të shtetit shqiptar. Veçse ai e përdor shumë rrallë përcaktorin “diktator”.

Enver Hoxhës i mjaftuan vetëm pak vite për të ngritur kultin e tij. Këtë e bëri jo vetëm me vrasje, arrestime e dënime, por edhe me vlerësime për veten e tij. Vetëm në pak vite si kryeministër ai mori 11 dekorata dhe urdhrat më të lartë që merr një shqiptar. Hero i popullit, Urdhër i Lirisë së Klasit të Parë, Urdhër i Flamurit, Medalja e Kujtimit, Urdhri Partizan i klasit të parë, Urdhër i Skënderbeut i klasit të parë, Urdhër i Trimërisë, Urdhri “Ylli i Kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit. Kulmi i vetëdekorimit arrin kur, vetëm 1 vit e 11 muaj si kryeministër, mori urdhrin “Hero Kombëtar”.

Çdo komb ka një Hero Kombëtar. Që gjatë Rilindjes dhe me ngritjen e shtetit shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte heroi ynë kombëtar. Por më 27 nëntor 1946, Shqipëria bëhet i vetmi vend në botë me dy heronj kombëtarë. Me Skënderbeun dhe Enver Hoxhën. Dhe çudia vijon: bashkë me titujt dhe urdhrat e tjerë këta tituj vazhdojnë të jenë edhe sot, që ka kaluar një çerekshekulli nga rrëzimi i komunizmit.

RROGA E ENVER HOXHËS

Kryeministër, ministër i Mbrojtjes, ministër i Jashtëm, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH, gjeneral kolonel, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Askush nuk ka mbajtur njëkohësisht kaq shumë detyra në historinë e shtetit shqiptar. Por sa e kishte rrogën Enver Hoxha? Revista “Time”, e vitit 1971, zbulon se Hoxha merrte 2 mijë lekë të rinj, ose me kursin e asaj kohe 240 dollarë amerikanë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re