Normalizimi i bisedave për çështjet e shëndetit mendor është diçka pozitive, por ka një ndryshim të madh midis terapisë së udhëhequr nga ekspertët – dhe shndërrimit të saj në përmbajtje të mediave sociale.

Hashtagu #mentalhealth në rrjetin social Tik Tok ka mbi 44 milionë shikime. Ky mund të jetë një lajm i mirë, por nuk ka rëndësi sa flitet, por si flitet…

Dhe sipas ekspertëve ata që po flasin në mediat sociale për depresionin po e bëjnë për shikueshmëri dhe jo sepse kanë njohuri apo janë të trajnuar.

“Ka ndikues të shëndetit mendor, njerëz të patrajnuar që kanë gjetur një treg në zgjerim. Të flasësh për shëndetin mendor është në modë. Disa krijues kanë kaluar nga rritja e ndërgjegjësimit në inkurajimin e vetë-diagnozës, duke bërë që depresioni të shihet thjesht si një problem psikologjik”, shprehet psikologu Luis Muino.

Muino bën thirrje që depresioni të trajtohet nga specialistë dhe jo në mediat sociale, pasi efektet nuk do të jenë pozitive.

Rrjetet sociale janë një altoparlant që zmadhon dhe deformon bisedën.

Në këtë drejtim, psikologu amerikan Scott Lyons paralajmëron në librin e tij “Addicted to Drama” se ekonomia e vëmendjes po prodhon një spirale stresi dhe ndjenjash të shtuara.

“Ne e dimë nga hulumtimi se të qenit dramatik merr më shumë vëmendje dhe më shumë pëlqime. Është një përforcim,” shpjegon ai.

Në këtë mënyrë dhe pa qenë plotësisht i vetëdijshëm, ne përfundojmë të jemi pjesë e problemit.

 “60% e të rinjve që përdorin TikTok përfundojnë duke vetë-diagnostikuar një problem të shëndetit mendor”.

Shumë nga ata që e bëjnë këtë, përfundojnë duke i’u bashkuar bisedës on-line, duke ndarë përvojat me njerëz të tjerë që vuajnë nga të njëjtat sëmundje. Krijimi i grupeve.

 “Është ajo që ne e quajmë bashkim dramatik. Nëse bashkohemi për shkak të një simptomatologjie të përbashkët dhe ushqehemi me njëri-tjetrin, është e vështirë për ne që më vonë të dëshirojmë të heqim dorë nga etiketa dhe marrëdhëniet që marrim prej saj,” reflekton ai.

Është ajo që e dallon terapinë reale dhe individuale nga versioni reduksionist, viral dhe gjenerik që përhapet në internet.

Të folurit për problemet dhe ankthet personale mund të ketë një efekt shërues. Por kur biseda zhvillohet në rrjetet sociale, ajo përforcohet nga algoritme dhe shtrembërohet nga ekonomia e vëmendjes. Dhe mund të ketë efektin e kundërt. Ndërsa flasim më shumë se kurrë për depresionin dhe ankthin, shkalla e vetëvrasjeve dhe çështjet e shëndetit mendor vazhdojnë të rriten.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re