Nga: Hoxhë Justinian Topulli

Kryetari aktual i KMSH Bujar Spahiu, në fjalimin e tij programativ të parë pas vendosjes si kryetar, pas lutjeve dhe përshëndetjeve i drejtohet përfaqësuesve të shtetit shqiptar dhe u thotë:

“Unë siguroj shtetin shqiptar nëpërmjet jush se, do të shërbej në këtë detyrë me përkushtimin e një njeriu të bindur ndaj Zotit dhe do të bëj përpjekjet e mia maksimale të jem një shqiptar i mirë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nën lidershipin tim, do të ruajë traditën e paraardhësve të mi të nderuar. Do të jetë puna ime parësore ruajtja dhe forcimi i harmonisë e dialogut ndërfetar në Shqipëri.”

Në vend që t’iu drejtohet besimtarëve së pari se çfarë do të bëj ai si kryetar i ri i KMSH i drejtohet shtetit laik duke i thënë se do të jem një shqiptar i mirë!

Kjo tregon se ai ka më parësor se çfarë mesazhi do t’i japë shtetit shekullar dhe se si ai do të sillet me të, sesa çfarë duhet t’iu thotë muslimanëve shqiptarë. Kjo përparësi e laikëve para besimtarëve për kreun e KMSH nuk është thjesht çështje respekti, por përparësi veprimi dhe objektivash.
Të kënaqim pritshmërinë e shtetit laik së pari, ky është mesazhi parësor që lexohet nga fjalimi i tij i parë.

Mund të jesh një shqiptar i mirë për shtetin, por ndërkohë a je besimtar dhe musliman i mirë, sepse shqiptar të mirë për shtetin laik janë edhe ateistët?
Që të jesh besimtar dhe musliman i mirë duhet të bësh së pari atë që kërkon feja prej teje. Dhe mesazhi themelor i fesë është nxjerrja e njerëzve nga të gjitha format e idhujtarisë dhe nënshtrimit ndaj krijesave, në adhurimin dhe nënshtrimin vetëm ndaj Zotit. Mesazhi thelbësor i fesë është t’iu tregojë njerëzve rrugën e shpëtimit në botën tjetër, sepse kjo botë është e përkohshme dhe vend provimi. Mesazhi parësor i fesë është kumtimi i së vërtetës dhe dallimi i së pavërtetës.
Në këndvështrimin islam nuk mund të jesh njeri i mirë e as shqiptar i mirë nëse nuk je së pari një besimtar i mirë, që ka si parësore pikërisht këto mesazhe që përmendëm më sipër. Kështu që kur kreu i KMSH i thotë shtetit laik se do të jem një shqiptar i mirë, çfarë nënkupton me të? Apo mos vallë thjesht kërkon tu hedh hi syve? Nëse është kjo atëherë kjo është mungesë sinqeriteti dhe dyfytyrësi, e nëse është bindje atëherë kjo është laicizëm dhe jo Islam.

Më pas kreu i KMSH pohon se puna e tij parësore do të jetë “ruajtja dhe forcimi i harmonisë e dialogut ndërfetar”!
Pra për kreun e KMSH nuk është parësore të punoj që njerëzit të njohin Zotin dhe të vërtetën që i afron me Të dhe i shpëton në botën tjetër, por harmonia dhe dialogu ndër fetar!
Ky qenka objektivi dhe përparësia e KMSH! Kjo qenka primarja “islame” e një muslimani dhe madje e atij që pretendon të përfaqësojë muslimanët dhe Islamin në këtë vend!

Në ajetin e mirënjohur kuranor ku Allahu u bën thirrje ithtarëve të Librit që të pajtohen në një fjalë me muslimanët, theksi vihet pikërisht tek pajtimi në monoteizëm dhe në adhurimin e një Zoti të vetëm unik dhe pa ortak, që është dhe kumti kryesor i Islamit, dhe jo tek harmonia dhe dialogu pa një përfundim të tillë të qartë. Ajeti mbyllet me urdhrin për mos pranim të asnjë kompromisi tjetër veç kësaj të vërtete.
“Thuaju: “O ithtarë të Librit! Ejani në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe mes jush: “Të mos adhurojmë asnjë tjetër përveç Allahut e të mos i bëjmë Atij shok në adhurim! Të mos e konsiderojmë njëri-tjetrin si zota përveç Allahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, thuaju: “Dëshmoni se ne jemi muslimanë (të nënshtruar ndaj Tij)!” (3:64)

Ne si muslimanë nuk kemi pasur asnjëherë problem bashkëjetese dhe tolerance ndaj ithtarëve të Librit, sepse këtë na e ka sanksionuar vetë Allahu në Kuran, ndërkohë që të tjerët kanë pasur probleme me ekzistencën tonë brenda tyre. Kështu që në thelb projekti i harmonisë dhe dialogut ndërfetar nuk është një projekt islam, aq më tepër një prioritet islam aq i madh dhe i rëndësishëm sa duhet të vihet i pari në fjalimin e kreut të KMSH.

Tolerancën dhe e dialogun ndërfetar e kërkojnë me ngulm laikët dhe ua imponojnë si agjendë parësore besimtarëve, për arsye dhe shkaqe që lidhen pikërisht me këndvështrimin laik të fesë, por ndërkohë ajo nuk është aspak parësore për ne si muslimanë, dhe aq më tepër nuk është aspak domosdoshmëri për bashkëjetesën dhe bashkekzistencën me ithtarët e feve të tjera në këto troje, dhe më specifikisht me të krishterët, qofshin këta ortodoks apo katolik. Kemi jetuar me ta në paqe për kaq shekuj dhe do të jetojmë, pa i mohuar atyre të drejtën të jenë të tillë. Ne nuk i marrim ata në llogari në këtë botë, llogarinë e kanë tek Zoti dhe jo me ne për mohimin e së vërtetës islame.

Atëherë si mund ta quash këtë prioritet të KMSH ndryshe, vetëm se ideal dhe kauzë laike, e vënë në gjuhën e një muslimani.
Pas këtij mesazhi kreu i KMSH iu drejtohet përfaqësuesve të huaj duke iu ripërsëritur të njëjtin mesazh dhe duke thënë se KMSH “do të vazhdojë të jetë kontribuues i paqes, harmonisë dhe dialogut në vend. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të jetë në pararojë të luftës kundër çdo lloj ekstremizmi.”

Veç paqes, dialogut dhe harmonisë për të cilën interesohet kaq shumë kreu i KMSH ta theksojë, ai shton për të huajt laik se KMSH do të jetë pararojë e luftës kundër çdo lloj ekstremizmi, duke nënkuptuar këtu atë të dhunshëm dhe jo të dhunshëm, apo më saktë atë që pikërisht këta të huaj quajnë si ekstremizëm brenda Islamit. Kur i huaji jashtë Islamit përcakton dhe imponon direkt ose jo, se cilat janë përparësitë e një muslimani dhe një kreu fetar madje, nuk ka më vend për asnjë mëdyshje se kemi të bëjmë me përparësi laike në punët e një institucioni fetar. Ndërkohë kreu i KMSH e di fort mirë se përveç ca seminareve dhe konferencave bajate, asgjë nuk ka bërë për të ndaluar atë që vërtetë ka qenë ekstremizëm shqetësues, ndërkohë që punën më të madhe në këtë drejtim e kanë bërë pikërisht ata që as nuk janë pjesë e parisë së KMSH ose nuk janë fare nënpunës të saj. Kështu që edhe në këtë drejtim kreu i KMSH i jep vetes merita që nuk i ka.

Më pas kreu i KMSH e thellon edhe më tej objektivin e tij laik dhe misionin e tij duke thënë:
“Ne si myslimanë jemi përgjegjës përpara Zotit për përhapjen e paqes dhe dashurisë, jo vetëm midis besimtarëve tanë, por për përçimin e paqes dhe dashurisë ndërnjerëzore.”
Në fakt këto janë objektiva laike jo islame, pasi muslimanët janë përgjegjës para Zotit të përmbushin pikërisht ato që përmendëm më sipër, ndërsa paqja dhe dashuria janë pasojë dhe të varura nga bindja ndaj Zotit dhe pajtimi në Të, janë rezultat dhe rrjedhim i përkushtimit ndaj mësimeve fetare, jo qëllime parësore, sepse përndryshe do të duhet të pranonim dashurinë dhe paqen me mohuesit dhe armiqtë e fesë, çka e kemi të ndaluar fetarisht ta bëjmë.

Ndërkohë kreu i KMSH nuk e ka përmbushur as këtë mes besimtarëve të tij, siç thotë, por ka marrë përsipër të na caktojë si përgjegjësi para Zotit edhe paqen dhe dashurin ndër njerëzore, pa dallim! Përveçse një gjuhë tipike laike e veshur me dekor fetar nuk e di se çfarë mund të jetë tjetër kjo?!

Pasi ka mbaruar me laikët e huaj dhe të brendshëm, kreu i KMSH i drejtohet në fund besimtarëve muslimanë në sallë që kanë “votuar” për të duke ju thënë:
“do të jem, me ndihmën e Zotit, shërbëtori besnik i Kur’anit Fisnik dhe traditës profetike”
Pasi ka mbajtur gjysmën e fjalimit të të tij të parë, ku s’ka brenda as Kuran e as traditë profetike, bën një prononcim të përgjithshëm që në thelb thjesht bie ndesh me çfarë ka thënë më sipër, por i shërben si dekor për të qenë islamikisht korrekt.

Dhe duke ripërsëritur të njëjtin mesazh edhe për besimtarët dhe duke mos lënë asnjë pikë dyshimi se parësore nuk ka objektivat islame, por ato laike thotë:
“së bashku, t’i përkushtohemi punës, të cilën na urdhëron Allahu (xh.sh.) në Kur’anin Fisnik për të çuar në zemrën e çdo njeriu mesazhin paqësor të Islamit.”
Ky është pra sipas kreut të KMSH mesazhi që na urdhëron Allahu, është paqja!
Kreu i KMSH e di shumë mirë, nëse nuk e di le ta mësojë, se kuptimi parësor, si gjuhësor ashtu edhe fetar i Islamit është dorëzimi dhe nënshtrimi vetëm ndaj Krijuesit dhe se paqja së pari dhe së fundi është paqja me Zotin, edhe nëse kjo nuk është e tillë me njerëzit. Islami ka parësore kumtimin e së vërtetës dhe dorëzimin e njerëzve para Krijuesit në çdo element të jetës së tyre, dhe paqja me njerëzit është pikërisht pasojë e këtij dorëzimi dhe jo synimi më madhor i Islamit.
Kjo pa më të voglin dyshim është retorikë laikë e veshur me petk islam.
Më pas kreu i KMSH e thellon edhe më shumë këtë retorikë duke thënë:
“Feja jonë është feja e paqes dhe e shpresës! Vendi ynë ka nevojë për më shumë paqe dhe shpresë. Ne, me ndihmën e Zotit do të punojmë për t’i dhënë rinisë, të varfërve, jetimëve, të moshuarve më shumë paqe dhe shpresë.”
I gjithë ky paragraf është një mesazh që ka shumë pak fe në të. Islami është feja e shpresës në botën tjetër në radhë të parë dhe feja e shpresës në këtë botë në radhë të dytë, nëse i dorëzohemi plotësisht urdhëresave të Allahut. Ndërkohë ajo që ka nevojë populli ynë më së shumti për t’i ngjallur atij shpresën është pikërisht njohja dhe adhurimi i Zotit, sepse nuk ka shpresë më të madhe dhe më të pritshme të përmbushet sesa kur shpreson tek përmbushja e premtimit të Zotit, pasi ke përmbushur kushtet e vëna prej Tij.

Pjesa më pas e fjalimit dhe fundi i tij ka më shumë fe, duke përfshirë disa elementë të rëndësishëm fetar dhe lutje, por që nuk thotë asgjë nga mesazhi thelbësor që duhet të dëgjohej nga kreu i KMSH.

Një fjalim i përzierë me një vijë të hollë fetare me objektiva jo kardinale islame, por më së shumti laike, është pikërisht laicizimi i kauzave dhe idealeve fetare. Ky është misioni që i kanë vënë gylenistëve Imami i tyre dhe më e keqja është se me verbërinë e tyre okulte nuk e kuptojnë se në çfarë bataku kanë rënë dhe u duket sikur po u hymë në hak dhe po shpifim për ta!

Fjalimi i parë i kreut të KMSH pas emërimit të tij:

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqiperisë!

Ju, sot më keni nderuar, por njëkohësisht më keni vënë përpara një vështirësie të madhe. Unë i lutem Zotit të më nderojë dhe të më bëjë të mundur të jem i drejtë në këtë detyrë kaq të vështirë.

Të nderuar anëtarë, ju lutem shumë edhe juve, lutuni për mua, lutjuni Zotit, që të ma bëjë më të lehtë këtë barrë.

Të nderuar përfaqësues të Komiteti Shtetëror për Kultet, ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë proces!

Unë siguroj shtetin shqiptar nëpërmjet jush se, do të shërbej në këtë detyrë me përkushtimin e një njeriu të bindur ndaj Zotit dhe do të bëj përpjekjet e mia maksimale të jem një shqiptar i mirë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nën lidershipin tim, do të ruajë traditën e paraardhësve të mi të nderuar. Do të jetë puna ime parësore ruajtja dhe forcimi i harmonisë e dialogut ndërfetar në Shqipëri.

Të nderuar përfaqësues dhe partnerë ndërkombëtar!

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë kontribues i paqes, harmonisë dhe dialogut në vend. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të jetë në pararojë të luftës kundër çdo lloj ekstremizmi.

Ne si myslimanë jemi përgjegjës përpara Zotit për përhapjen e paqes dhe dashurisë, jo vetëm midis besimtarëve tanë, por për përçimin e paqes dhe dashurisë ndërnjerëzore.

Të dashur besmitarë dhe besmitare myslimanë të Shqipërisë!

Unë nga sot, nuk do ta ndiej veten si kryetari juaj, por do të jem, me ndihmën e Zotit, shërbëtori besnik i Kur’anit Fisnik dhe traditës profetike. Na takon më shumë neve, së bashku, t’i përkushtohemi punës, të cilën na urdhëron Allahu (xh.sh.) në Kur’anin Fisnik për të çuar në zemrën e çdo njeriu mesazhin paqësor të Islamit. Na takon më shumë ne që t’i dedikohemi detyrës së madhe që kemi përpara.

Feja jonë është feja e paqes dhe e shpresës! Vendi ynë ka nevojë për më shumë paqe dhe shpresë. Ne, me ndihmën e Zotit do të punojmë për t’i dhënë rinisë, të varfërve, jetimëve, të moshuarve më shumë paqe dhe shpresë.

Të dashur besmitarë dhe qytetarë të vendit tim, të përpiqemi që secili prej nesh, të vendosë një balancë midis kësaj bote dhe Ahiretit (botës së përtejme).

Të balancojmë vrapin drejt kapitalit financiar në kurriz të kapitalit moral.

Të bëhemi më humanë, të rendim vetëm pas hallallit. Të ndajmë nga pasuria jonë për të varfërit, jetimët, të moshuarit, të sëmurët.

Të ruajmë dhe të forcojmë familjen, familja është vlera e shoqërisë tonë, familja është traditë profetike, ta ruajmë atë.

Vëllezër dhe motra besimtarë, t’i lutemi Zotit të na forcojë besimin.

Besimi në Zot është i vetmi besim që nuk zhgënjen!

Çdo lavdërim i takon Allahut, Zotit të botëve!

Të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Sunduesit të Ditës së Gjykimit.

O Allah, vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë,

Na udhëzo në rrugën e drejtë, na udhëzo në rrugën e atyre të cilët i ke begatuar me besimin dhe adhurimin vetëm ndaj Teje.

Amin!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re