Humbja e dëgjimit është një çështje shëndetësore globale që ka të ngjarë të përkeqësohet. Mund të ketë një ndikim të rëndë në shëndetin mendor, arsimin dhe perspektivat e punësimit. Pra, çfarë mund të bëhet?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), më shumë se 1.5 miliardë njerëz – ose 1 në 5 persona vuajnë nga humbja e dëgjimit. Ky numër do të rritet në pothuajse 2.5 miliardë deri në vitin 2050, me të paktën 700 milionë nga këta njerëz që do të përjetojnë humbje të dëgjimit me aftësi të kufizuara (humbje dëgjimi më e madhe se 35 decibel).

“Aftësia jonë për të dëgjuar është e çmuar. Humbja e dëgjimit mund të ketë një ndikim shkatërrues në aftësinë e njerëzve për të komunikuar, për të studiuar dhe për të punuar. Mund të ndikojë gjithashtu në shëndetin mendor të njerëzve dhe aftësinë e tyre për të mbajtur marrëdhëniet,” tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.

“Ky raport përshkruan shkallën e problemit, por gjithashtu ofron zgjidhje në formën e ndërhyrjeve të bazuara në prova, që ne inkurajojmë të gjitha vendet të integrojnë në sistemet e tyre shëndetësore, si pjesë e rrugëtimit të tyre drejt mbulimit shëndetësor universal.”

Gjetjet kryesore të raportit

Mungesa e informacionit të saktë dhe qëndrimet stigmatizuese ndaj sëmundjeve të veshit dhe humbjes së dëgjimit shpesh i kufizojnë njerëzit nga aksesi ndaj kujdesit për këto kushte. Edhe në mesin e ofruesve të kujdesit shëndetësor, shpesh ka mungesë njohurish për parandalimin, identifikimin dhe menaxhimin e hershëm të humbjes së dëgjimit dhe sëmundjeve të veshit, duke penguar aftësinë e tyre për të ofruar kujdesin e kërkuar.

Në shumicën e vendeve, kujdesi për veshët dhe dëgjimi nuk është ende i integruar në sistemet kombëtare shëndetësore dhe aksesi në shërbimet e kujdesit është sfidues për ata me sëmundje të veshit dhe humbje të dëgjimit. Për më tepër, qasja në kujdesin ndaj veshit dhe dëgjimit është e dokumentuar dobët, dhe në sistemin e informacionit shëndetësor mungojnë treguesit përkatës.

Por hendeku më i dukshëm në kapacitetin e sistemit shëndetësor është në burimet njerëzore. Ndër vendet me të ardhura të ulëta, rreth 78% kanë më pak se një specialist të veshit, hundës dhe fytit (ENT) për një milion banorë; 93% kanë më pak se një audiolog për milion; vetëm 17% kanë një ose më shumë logopedë për një milion; dhe 50% kanë një ose më shumë mësues për të shurdhërit për një milion. Ky hendek mund të mbyllet përmes integrimit të kujdesit për veshët dhe dëgjimin në kujdesin parësor shëndetësor përmes strategjive të tilla si ndarja e detyrave dhe trajnimi, të përshkruara në raport.

Edhe në vendet me përqindje relativisht të lartë të profesionistëve të kujdesit për veshët dhe dëgjimin, ka një shpërndarje të pabarabartë të specialistëve. Kjo jo vetëm që paraqet sfida për njerëzit që kanë nevojë për përkujdes, por shtron edhe kërkesa të paarsyeshme ndaj kuadrove që ofrojnë këto shërbime.

Shkaqet kryesore të humbjes së dëgjimit

Tek fëmijët, pothuajse 60% e humbjes së dëgjimit mund të parandalohet përmes masave të tilla si imunizimi për parandalimin e rubeolës dhe meningjitit, përmirësimi i kujdesit të nënës dhe neonatalit, si dhe shqyrtimi dhe trajtimi i hershëm i otitit – sëmundje inflamatore të veshit të mesëm. Tek të rriturit, kontrolli i zhurmës, dëgjimi i sigurt dhe mbikëqyrja e barnave ototoksike së bashku me higjienën e mirë të veshit mund të ndihmojnë në ruajtjen e dëgjimit të mirë dhe zvogëlimin e potencialit për humbje dëgjimi.

Identifikimi është hapi i parë në trajtimin e humbjes së dëgjimit dhe sëmundjeve të lidhura me veshin. Ekzaminimi klinik siguron që çdo humbje e dëgjimit dhe sëmundjeve të veshit mund të identifikohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Përparimet e fundit teknologjike, duke përfshirë mjete të sakta dhe të lehta për t’u përdorur, mund të identifikojnë sëmundjen e veshit dhe humbjen e dëgjimit në çdo moshë, në mjediset klinike ose komunitare dhe me trajnime dhe burime të kufizuara.

Qasje në kujdesin në kohë dhe të duhur

Pasi të diagnostikohet, ndërhyrja e hershme është thelbësore.  Megjithatë, kur humbja e dëgjimit është e pakthyeshme, rehabilitimi mund të sigurojë që të prekurit të shmangin pasojat negative të humbjes së dëgjimit. Një sërë opsionesh efektive janë në dispozicion.

Teknologjia e dëgjimit, si aparatet e dëgjimit dhe implantet kokleare, kur shoqërohen me shërbime të përshtatshme mbështetëse dhe terapi rehabilituese janë efektive dhe me kosto efektive dhe mund të përfitojnë njësoj si fëmijët ashtu edhe të rriturit.

Raporti vë në dukje se përdorimi i gjuhës së shenjave dhe mjeteve të tjera të zëvendësimit shqisor,  janë opsione të rëndësishme për shumë njerëz të shurdhër; Teknologjia dhe shërbimet ndihmëse të dëgjimit si përshkrimi dhe interpretimi i gjuhës së shenjave mund të përmirësojnë më tej aksesin në komunikim dhe edukim për ata me humbje të dëgjimit./who-shendeti.com.al

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko