Organizata më e njohur për standardet e proceseve zgjedhore, ODIHR,  nisi sot misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve lokale të 14 majit.

 

Shefja e misionit Audrey Glover, në një konferencë për gazetarët shpjegoi se puna e ekspertëve do të shtrihet nga fushata elektorale, te dita e zgjedhjeve, procesi i numërimit dhe pjesa e ankimeve deri te shpallja e rezultatit përfundimtar.

 

AUDREY GLOVER

 

SHEFE E MISIONIT TË ODIHR

 

“Ne nuk ndërhyjmë, ne nuk jemi policia e zgjedhjeve as mbikëqyrësit e zgjedhjeve dhe as politikanë. Ne jemi profesionistë të zgjedhjeve, nuk na intereson rezultati i zgjedhjeve, ne duam thjesht të sigurohemi që procesi është transparent.”

 

Glover shpjegoi se cilët janë elementët që misioni i ODIHR vlerëson.

 

“Ajo ç’ka është e rëndësishme për ne është që votuesit të kenë besim tek integriteti i të gjithë procesit zgjedhor. Në mënyrë që kjo të ndodhë, votuesit duhet të kenë mundësi të bëjnë një zgjedhje reale të informuara mes kandidatëve të ndryshëm. Dhe kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta loje dhe votuesit duhet të kenë të drejtën universal për të votuar. Zgjedhësit duhet gjithashtu të kenë mundësi që të votojnë të lirë, në mënyrë të fshehtë dhe që vota e tyre të numërohet e llogaritet në mënyrë korrekte.”

 

Shefja e misionit të ODIHR shmangu çdo koment nëse vendimet e qeverisë për rritjen e pagave nëse klasifikohen si përdorim i burimeve shtetërore në funksion të zgjedhjeve, por saktësoi se mënyra se si përdoren burimet shtetërore do të jenë pjesë e misionit të vëzhgimit të ODIHR.

 

“Në  raportin e vlerësimit të nevojave kjo fushë është identifikuar si një nga fushat më me rëndësi për t’u vëzhguar. Dhe ne do i kushtojmë shumë kujdes vëzhgimit të kësaj fushate.”

 

Shefja e misionit të ODIHR, Audrey Glover, ka vëzhguar më herët 4 procese zgjedhore në Shqipëri, dy prej të cilave janë organizuar nga Sali Berisha, zgjedhjet e 1996 dhe ato të 2009. Për gazetarët zonja Glover ka konfirmuar se do të takohet me Sali Berishën, pavarësisht se ai është shpallur non grata apo pavarësisht se gjykata nuk e njeh atë si kryetar partie.

 

 “Ne do të jemi shumë të lumtur të takojmë çdo njeri që është I përfshirë në procesin zgjedhor.”

 

Misioni i ODIHR përbëhet nga 13 ekspertë, 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër dhe raporti final i tij do  të shërbejë si pikë referimi për standardet e zgjedhjeve jo thjesht nga aktorët politikë në vend, por nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re