Një skandali të përfolur së fundi te Onkologjiku në QSUT, aty ku është zbuluar një aferë e pretenduar mjekësh me pacientë me kancer, duke abuzuar me ta për arsye fitimi, kryeministri Rama i është përgjigjur me një takim me drejtuesit e shërbimeve te “Nënë Tereza”. Aty, ai e cilësoi si “kriminale” atë që ka ndodhur.

“Të mos jesh në lartësinë e detyrës në shumë profesione të tjera është problem jo i vogël, por të mos jesh në lartësinë e detyrës në profesionin tuaj është më shumë se një problem i madh, është një hall shumë i madh për njeriun kur me mjekun lidhet fati i shëndetit të tij”, tha Rama, duke vijuar: “Por të kesh marrë diplomën dhe licencën e ushtrimit të këtij profesioni dhe ta përdorësh uniformën më simbolike dhe më delikate të shoqërisë dhe të shtetit njësoj si maskat e grabitqarëve të bankave për të nxjerrë para me gjakun dhe me ilaçet e të sëmurëve është krim, jo thjesht kundër tyre, por kundër të gjithë njerëzimit”.

E nga ana tjetër, ai mbrojti vizionin qeverisës nmë shëndetësi.

“Jam këtu sot për të thënë që veprimtaria kriminale e atij grupi keqbërësish, njësoj si Tixhja, nuk e hedh dot poshtë përpjekjen tonë për ta shndërruar sistemin shëndetësor nga ngrehina ku e gjetëm në një sistem shërbimesh funksionale. Madje, kjo që ndodh na bën më të vetëdijshëm për gjërat që duhen bërë akoma”, tha Rama dhe shtoi:

“Do të angazhojmë një grup menaxherësh të huaj për të asistuar drejtuesit e QSUT që të garantojmë sa më mirë edhe hapjen së shpejti të kapitullit të autonomisë spitalore që kjo qendër do duhet ta ketë dhe që kësaj qendre t’i japë fleksibilitetin për të shpërblyer profesionistët e vet sipas meritës, jo më me ato tavanet e njëjta”.

E nga ana tjetër, ministrja Koçiu njoftoi ndryshimet ligjore si reagim i menjëhershëm nga ngjarja tek Onkologjiku.

Ajo tha se do të ndalohet ligjërisht që një mjek të ndjekë të njëjtët pacientë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty.

“Historia e transferimit të pacientëve në klinikën private nga drejtuesit e shërbimeve publike do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ndryshim ligjor”, deklaroi gruaja që drejton shëndetësinë shqiptare. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re