Gjumi jo i qetë është shenjë për problemet serioze të shëndetit në të ardhmen.

Ashtu sikurse një gjumë i qetë, i rregullt ka rëndësi jetike për një shëndet të mirë, ashtu edhe gjumi me ëndrra të këqija, i lehtë dhe jo i rehatshëm përbën problem për shëndetin. Kështu kanë deklaruar disa studiues amerikanë. Sipas statistikave më shumë se 10% e të rinjve nuk bëjnë gjumë të rehatshëm.

Dr. Daniel Erichson ka shpjeguar se nëse një person sheh ëndrra të këqija gjatë natës ato ndikojnë gjatë ditës së nesërme tek ai dhe kjo ndikon negativisht në gjendjen shëndetësore. Nëse këto probleme shfaqen që në rini atëherë me kalimin e kohës kthehen në probleme serioze. Mjekët sugjerojnë se nëse ju keni gjatë një jave të paktën një natë ankthi, stresi, apo shihni ëndrra të këqija, atëherë duhet të kontrolloni gjendjen e shëndetit tuaj dhe të mos e lini trajtimin e nevojshëm pas dore.

Pagjumësia

Pagjumësia fillon nga mendimet e tepërta për të nesërmen, probleme, mosfunksionimi në punë, lodhje, dobësi, depresion etj., dhe kjo mënyrë e vazhdueshme e të menduarit shkakton çrregullimet e gjumit. Si pasojë e këtyre trysnive, personi fillon të obsesojë mbas gjumit deri sa kthehet në një pamundësi, ankth dhe se fundi në një fobi. Nga ana e tyre çrregullimet e gjumit përfshijnë disomnite dhe parasomnite. Në disomnite, siç janë insomnia (pagjumësia) dhe hipersomnia, simptoma kryesore është çrregullimi i sasisë dhe cilësisë së gjumit të bërë. Në parasomnite, siç janë tmerrimi në gjumë, urinimi në shtrat dhe të ecurit në gjumë, simptoma kryesore është një ngjarje e pazakontë që çrregullon gjumin.

Insomnia

Kërkesa e madhe për ilaçe gjumi është një simptomë e përhapjes së insomnisë (pamundësisë për të të zënë gjumi). Një vëzhgim tregon se 6% e burrave dhe 14% e grave raportojnë se vuajnë nga ky lloj çrregullimi i gjumit. Ka shumë shkaqe dhe lloje të insomnisë. Disa insomniake i zë gjumi lehtë, por shohin ëndrra sikur janë zgjuar. Si rrjedhojë kur zgjohen ata ndjehen sikur po përpiqeshin ende që të flinin. Të tjerë e kanë të vështirë që t’i zërë gjumi, për shkak të ankthit, frikës, stresit, depresionit ose problemeve të tjera. Drogat gjithashtu çrregullojnë ciklin normal të gjumit. Disa insomniake vuajnë nga një gjendje e njohur si apnea e gjumit. Ata i zë gjumi lehtë, por çohen pasi u ndalet frymëmarrja dhe zgjohen duke gulçuar për ajër. Këta mund të zgjohen disa dhjetëra herë gjatë natës.

Narkolepsia

Një formë e hipersomnisë, narkolepsia është një çrregullim i gjumit i karakterizuar nga goditje pa vend të gjumit gjatë ditës. Personin e zë gjumi në mënyrë të pa parashikuar gjatë ditës. Personi i prekur nga ky çrregullim bie drejtpërsëdrejti në gjumin LSHS, dhe përderisa kjo etapë lidhet me paralizimin muskulor, përbën një rrezik për individin.

Nganjëherë shkaktohet nga një goditje e fortë si emocion i fortë, të qeshurit, befasimi, ndezja seksuale. Një simptomë e narkolepsisë janë dhe halucinacionet hipnagogjike. Nënat që punojnë janë gjithnjë e më të stresuara nga mungesa e gjumit, sipas një ankete, prindërit sot kanë shumë pak kohë, fëmijët e ndjejnë stresin e prindërve të tyre dhe qëndrojnë zgjuar. Në vitet ’60 ose ’70, pjesa më e madhe e nënave nuk punonin dhe nuk ishin kaq të shqetësuara, kur bëhej fjalë për të vënë në gjumë fëmijët.

Anketa tregon se nënat e të porsalindurve kanë më pak kohë për të fjetur në krahasim me para tridhjetë vjetësh, tri orë në krahasim me pesë orë që kishin nënat e tyre. Sipas sondazhit, mungesa e gjumit prek fillimisht nënat e reja. Tridhjetë e shtatë për qind e këtyre grave pranojnë se mungesa e gjumit mund t’i çojë deri në depresion. Anketa tregon gjithashtu se 68 për qind e nënave ndjenin nevojën për të parë fëmijën e tyre kur janë në punë, dhe 70 për qind ndihen fajtore që i kishin lënë. Shumica e këtyre grave (84 për qind) pranojnë se duhet të merret me pjesën më të madhe të punëve në shtëpi, edhe kur punojnë me kohë të plotë. Studiuesit amerikanë kanë mbërritur në përfundimin se ata që flenë shumë orë natën rrezikojnë të vdesin më shpejt se ata të cilëve u mjaftojnë shtatë orë gjumë.

Studiuesit kanë hetuar mbi një milion njerëz të moshave 30 deri 102 vjeç. Gjatë atyre gjashtë viteve që zgjati studimi vdekshmëria ishte më e ulët midis atyre që flinin shtatë orë përnatë, duke pasur parasysh edhe moshën, nëse personi pinte duhan dhe problemet e mëparshme shëndetësore. Atyre që flinin të paktën një orë më tepër ose më pak u rritej ndjeshëm rrezikshmëria për të vdekur. Rrezikshmëria për të vdekur rritej me 15 % tek ata që flinin 8,5 orë ose më pak se 4,5 orë.

.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re