Kol Palmer do t’ia dalë të shfaqë të gjithë talentin e madh që zotëron edhe në një skenë globale, siç është Botërori i klubeve.Për këtë është i bindur Enzo Mareska, trajneri i bluve të Londrës, që nisin sonte rrugëtimin e tyre në këtë kompeticion, duke sfiduar amerikanët e Los Anxhelos, sa i takon ndeshjes së vlefshme për grupin D. Talenti anglez, Palmer, ka qenë i jashtëzakonshëm për Çelsin që nga transferimi i tij prej Mançester Sitit, duke luajtur një rol kyç edhe në triumfin e skuadrës në Ligën e Konferencës. Palmer pati rol vendimtar në finalen kundër Betis, duke dhënë dy asiste dhe duke fituar çmimin “Lojtari i Ndeshjes”, aq sa dëshmoi aftësinë e tij për të ndikuar në ndeshjet e nivelit më të lartë.
MES GJIGANTËSH – Gjigantët e futbollit si Lionel Messi, Harry Kane apo Ousmane Dembele janë të pranishëm në Kupën e Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe trajneri i Çelsit, i cili e njeh mirë pasi ka punuar me Palmer në akademinë e City-t, është i bindur se sulmuesi është i përgatitur për të lënë gjurmë këtë verë. “E kam thënë më shumë se një herë: Cole Palmer është në grupin e atyre lojtarëve më cilësorë, që mund të prodhojnë diçka në çdo moment. Pra, ai mund të krijojë diçka nga asgjëja”, deklaroi Maresca. Kështu, Palmer shihet si “Djali i artë” i Çelsit dhe gjithashtu është shfaqur si një lojtar i rëndësishëm për Anglinë gjatë 2 viteve të fundit që pasi zbarkoi në ‘Stamford Bridge’. Maresca e njeh prej kohësh talentin e Palmer dhe gjithçka e vërtetoi kur ylli i Anglisë vuri vulën e tij për mbylljen e një sezoni të suksesshëm nga Çelsi nën drejtimin e teknikut italian. Përveç trofeut të Ligës së Konferencës, londinezët gjithashtu siguruan një vend në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm.
MARESKA, PËR FITORE – Tani, Mareska mezi pret pjesëmarrjen e Çelsit në Kupën e Botës për Klube, duke e parë atë si një mundësi të shkëlqyer për ekipin që të provojë se janë ndër ekipet e elitës. Ndeshja e parë e bluve në Grupin D – ku bëjnë pjesë edhe Flamengo e ES Tunis – i sheh ata të përballen me Los Angeles FC, në stadiumin “Mercedes-Benz” në Atlanta, të hënën në mbrëmje. Mirëpo, trajneri italian ende nuk e ndjen plotësisht bindjen për të pranuar se Çelsi mund të jetë ndër ato skuadra, që mund ta fitojnë trofeun. Ndërsa mjaftohet vetëm të thotë: “Kur je te Çelsi, qëllimi yt është gjithmonë të fitosh. Pra, objektivi ynë në çdo ndeshje do të jetë gjithmonë që të përpiqemi të marrim suksesin”.