“Berisha përballë një paneli me gazetarë…”, kështu e artikuloi moderator i Opinion-it Blendi Fevziu, puntatën e së enjtes të emisionit të tij, ku të ftuar pati ish-kryeministrin dhe liderin demokrat.

Dhe “katër gazetarët” e tij nuk përbënin ndonjë befasi. Siç mund të merrej me mend, ata ishin katër emra të njohur të gazetarisë…Dhe këtu është rasti të thuhet se jo të gjithë duhen quajtur gazetarë, në besnikëri gjuhësore të këtij përcaktori profesional; sepse jo të gjithë të atyshmit më këtë status përbëjën gazetarin e mirëfilltë. Do ishte mirë të quheshin komentator, pasi dhe analist, e përdorur deri në abuzim, është një teprim, nëse nuk je vërtet kompetent në një drejtim të caktuar.

T’i marrim me radhë:

Andi Bejtja – një drejtues tradicional mediash që në fund të ’90-ës e fillimin e viteve ‘2000, por pa ardhur nga gazetaria e mirëfilltë e pa ushtruar po ashtu një karrierë të mirëfilltë gazetarie. I ardhur nga fusha e letrave – poet – madje dhe me çmime, Bejtja, si ndoca të tjerë si ai, zeja e fjalës e çoi në redaksitë e medias si drejtues. Një penë deri diku cilësore dhe e pëlqyeshme në komentin politik, si drejtues news room-esh në televizione nuk ka lënë ndonjë standart me emrin e tij, të njohur ndër rrethe gazetareske.

Robert Rakipllari – kryeredaktor i gazetës Panorama prej shumë vitesh, pasi ka drejtuar më parë Shekull-in. Prej sa është bërë drejtues gazete, ka një mungesë dramatike shkrimesh. Nëse nuk do ishte i ftuar i rregullt i Fevziut, nuk do mund të ishte njohur për ndonjë diç, veç të qënit kryeredaktor gazete. Para se të bëhet drejtues, ka qenë reporter politik, duke lëvruar dhe reportazhin, gjithashtu politik. Dhe falë Fevziut pra, bën dhe komentatorin politik, pa ndonjë diferencë të dukshme inteligjente në stilin e shkoqitjes të çështjeve për të cilat ftohet.

Ervis Iljazaj – zgjedhja më e fundit e Henri Çilit për t’ja besuar drejtimin e Media Mapo-s, pas zhgënjimeve me Artur Zhejin dhe Alfred Lelën. Pa asnjë karrierë të mirëfilltë gazetareske, ardhur nga bota universitare, Iljazaj u katapultua befas në panele debatesh televizive, sipas metodës Çili në promovimin e njerëzve të tij, si pjesë e promovimit të brendit UET. Iljazaj bën tashmë komentatorin, por e tepërt ta quash gazetar.

Lorenc Vangjeli – vetmi në panel që ka patur një karrierë gazetareske nga A-ja te Zh-ja. I përket si emër mesit të viteve ’90-të e tutje, ku ka bërë reporterin klasik në median e shkruar, duke qenë i përqëndruar te politika. Pas viteve ‘2000 pati një ndërprerje disavjeçare, duke zgjedhur të bëjë këshilltarin apo zëdhënësin, për t’u rikthyer në vitet e Berishës në pushtet, me profilin e një pene kritike ndaj qeverisjes së tij. Ndër shkrimet më të mira të tij si gazetar e jo si komentator, është “Mediu, ky ministër fluturues” – një investigim mbi udhëtimet ish-ministrit të Mbrojtjes në qeverinë “Berisha 1”, mbi motivet dhe kostot e tyre.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re