Ish-kryeministri Sali Berisha, nga dritarja e banesës së tij është shprehur se PD ka një projekt të godasë për vdekje varfërinë e shqiptarëve.

Berisha deklaroi se do të dyfishojnë rrogat dhe pensionet dhe do të vendosin minimumin jetik 220 euro.

Paratë ekzistojnë për të dy dhe trefishuar rrogat dhe pensionet, tha ish-kryeministri, por sipas tij “ato i gllabërojnë qeveritarët makutë dhe të pangopur me pasuritë e shqiptarëve’.

“Republika e drogës është republika në të cilën qytetarët me rrogat më të ulëta në Europë, blejnë në dyqane ushqimet bazë me 110 përqind të mesatares së BE.

Ja pra miqtë e mi pse rrënohet kombi, pse boshatiset, pse shpopullohet Shqipëria.

Kjo është thirrje për çdo shqiptar, të ngrihemi të shpëtojmë Shqipërinë nga këta pushtues të egër.

Të dashur miq, një pushtim si ky po shkatërron, po rrënon vendin.

Po e zbraz atë në mënyrë të tmerrshme.

Shpëtimi i Shqipërisë, ia vlen çdo sakrificë.

Në fund të fundit, pushtimet janë larguar me beteja.

Janë larguar kur njerëzit janë bashkuar dhe betuar: ja të vdesim ja të rrojmë për liri!

Qytetarë dhe qytetare, mos prisni shpëtimin nga askush tjetër veçse nga vetja juaj.

Bëhuni zotër të fatit tuaj.

Merrni fatin në duart tuaja.

Nuk ka tiran që u reziston.

Nuk ka tirani që nuk mposhtet nga ju.

Çfarë duhet të ndodhë më shumë se kaq me ne? Se të zhytemi në mënyrë të rrufeshme në honet e varfërisë dhe mjerimit.

PD ka një plan, ka një projekt të godasë për vdekje varfërinë e shqiptarëve.

Të dyfishojë rrogat dhe pensionet.

Të vendosë minimumin jetik 220 euro.

Të hapë me të gjithë hapësirat liritë ekonomike të shqiptarëve.

Të shndërrojë pasuritë e vendit në mirësi dhe të mira për çdo shqiptar.

Por kjo arrihet para se gjithash dhe mbi të gjitha me luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit.

Miq, paratë ekzistojnë për të dy dhe trefishuar rrogat dhe pensionet.

Për të vendosur minimumin jetik.

Por ato i gllabërojnë qeveritarët makutë dhe të pangopur me pasuritë e shqiptarëve.

Ndaj dhe të ngrihemi në këtë betejë, se kjo betejë është për jetën, për të ardhmen, për dinjitetin, për integrimin evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re