Nga Dodë Progni

-Masakra e Herecit – vepër kriminale e udhëheqjes komuniste jugosllave dhe asaj shqiptare-

Memorie.al / “Lëvizja Kryeziu” ishte emërtimi i Lëvizjes Nacionaliste Antifashiste, në Kosovë e Shqipërinë e Veriut, gjatë viteve 1940 – 1944, në krye të cilës ishin vëllezërit nga Gjakova, Gani, Said dhe Hasan Kryeziu. Qëllimi strategjik i saj, ishte organizimi i Lëvizjes Antifashiste në Kosovë, çlirimi i saj nga nazifashistët, shkëputja nga Serbia dhe bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë. Vëllezërit Kryeziu, si rrallëkush tjetër në Shqipërinë e asaj kohe, kishin kuptuar që në fillim të Luftës së Dytë Botërore, se rruga më e mundshme, për zgjidhjen e problemit kombëtar shqiptar, ishte sigurimi i mbështetjes nga një fuqi e madhe perëndimore, siç ishte Britania e Madhe, dhe se një gjë e tillë, mund të arrihej vetëm duke luftuar kundër nazifashistëve.

– Familja e Halil e Zenel Hoxhës nga Bregu i Pacit (Bytyç). Njëra prej familjeve më në zë të Tropojës. E njohur për besë, burrëri, bujari, nacionalizëm dhe anti-komunizëm. Strehë dhe mbështetje e rëndësishme për Kryezinjtë dhe oficerët e misionit britanik, gjatë viteve 1943-‘44. Pas çlirimit, u godit rënde nga diktatura komuniste. Si nacionalist dhe antikomunist, Halil Hoxhën, e pushkatuan komunistët, në vitin 1946. Zenel Hoxhën, ish – bashkëluftëtar dhe organizator në forcat e Kryeziut, e burgosën dhe vdiq nga torturat në burgun e Shkodrës, në vitin 1951. Nga kjo familje, u burgosën 11 pjesëtar të saj dhe vuajtën rreth 100 vjet burg.

Tetëmbëdhjetë të tjerë, bënë rreth 280 vjet internim. Katërmbëdhjetë pjesëtarë të kësaj familje, u detyruan të lënë Atdheun e, të marrin arratinë. Ata që mbetën në Bytyç, u shpallën “kulak” dhe mbajtën mbi kurriz, më gjatë se asnjë familje tjetër në rrethin e Tropojës, të gjitha pasojat e rënda që sillte ky cilësim i ndyrë, i sajuar nga diktatura komuniste, për të shtypur kundërshtarët e vet politik. Me një fjalë, regjimi komunist, ushtroi mbi Hoxhajt e Pacit, një gjenocid të pashembullt.

– Regjimi komunist, shpalli armiq e tradhtarë edhe 24 martirët e Kodrës së Hereçit, ish bashkëluftëtarët e Gani Kryeziut. Atyre, ju përndoqi familjet, duke i klasifikuar si familje me biografi të keqe. Bijtë e bijat, të afërmit e tyre, për 45 vjet me radhë, mbajtën mbi shpatulla peshën e rëndë të luftës së klasave. Në fakt, këta njerëz, nuk e kuptuan dhe nuk u bindën asnjëherë për “fajësinë” që paskëshin bërë baballarët e tyre, duke luftuar e sakrifikuar edhe jetën, për Kosovën e Shqipërinë e lire, e demokratike. Këta njerëz, kishin të drejtë të ngrinin kokën lart dhe të ndiheshin krenarë, për baballarët e të afërmit e tyre, trima luftëtarë e, burra të besës, por diktatura komuniste, ua kish mohuar këtë të drejtë, të ligjshme!

Po t’u shkojmë fakteve më tej, del se, pothuaj gjithë krahina e Bytyçit, baza dhe mbështetsja më e rëndësishme e Luftës Antifashiste në Shqipërinë e Veriut, që u bastis dhe u dogj nga nazistët ,si rrallë krahinë tjetër në Shqipëri, u përndoq nga regjimi komunist, per 45 vjet. Bytyçasit, qenë të detyruar të kalojnë nëpër “filtrin” e hollë të biografi-shikuesve, që bënin diferencimin klasor, ku si “test” kryesor për ta, ishte pjesëmarrja në forcat e Kryeziut, ose bashkëpunimi me to, gjatë Luftës. Shumë pak bytyças, mundën ta kalojnë këtë “filtër”, për të marr qoftë edhe ndonjë të drejtë studimi. Akoma më të pakët, ishin bytyçasit që arritën të zënë ndonjë vend pune, në administratën shtetërore komuniste.

Bytyçi masivisht, kish marr pjesë në Luftën Antifashiste, në krahun e forcave nacionaliste të Kryeziut. Një gjë e tillë, duhet të ishte shkak nderimi e mirënjohje për ta, por nuk ndodhi kështu. Regjimi komunist, në mënyrë paradoksale, pjesëmarrjen e bytyçasve në Luftën Antifashiste, e ktheu në shkak fatkeqësie, për ta.

Jo shume larg Bytyçit, po përtej kufirit, në Gjakove, familja Kryeziu, si rrallë ndonjë familje tjetër në Kosovë, u ballafaqua me terrorin e egër komunist, serbo-sllav. Është interesant fakti se, udhëheqja komuniste shqiptare dhe ajo jugosllave, si përpara, vitit 1948, kur “dashuroheshin” edhe pas vitit 1948, kur ishin “divorcuar” dhe “urreheshin”, qëndrimin ndaj Kryezinjve, nuk e ndryshuan asnjëherë. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi, Kryezinjtë ishin shpallur bashkëpunëtorë të fashizmit e, kriminelë lufte. Këtej dhe andej kufirit, ish dënuar “Lëvizja Kryeziu” dhe ish mohuar lufta e tyre antifashiste.

Udhëheqja komuniste shqiptare, kurrë nuk e dënoi Masakrën e Hereҫit. Për Enver Hoxhën, nuk kishte rëndësi se, udhëheqja komuniste jugosllave, ekzekutoi pa gjyq, 22 luftëtarë antifashistë te njohur, bashkëkombës e bashkështetas të tij, kur nga ana e tyre, jugosllavët, siҫ ka pohuar vetë Enver Hoxha, nuk e kishin lejuar udhëheqjen shqiptare, as t’i hidhnin në gjyq, tre prej tyre (Ganiun, Hasanin dhe Xhevat Kryeziun), vetëm se ishin shtetas jugosllavë.

Si në Shqipëri, ku historia e Luftës Antifashiste u shkrua sipas dëshirave të “Hoxhës” së Shqipërisë – Enverit, ashtu edhe në Kosovë, historia e kësaj lufte, u shkrua sipas dëshirave të “Hoxhës” të Kosovës – Fadilit. Të dy palët, e bënë këtë vetëm e vetëm, për të plotësuar dëshirat e udhëheqësve komunistë jugosllavë, kryesisht të Miladin Popoviçit, Dushan Mugoshës dhe sigurisht, të Josif Broz Titos.

Si kemi cek me sipër, në Shqipëri dhe në Kosovë, historia e Luftës Antifashiste, u ideologjizua, u politizua dhe ç’ka është më e keqja, u falsifikua, me qëllimin për të glorifikuar Luftën Antifashiste të komunistëve, dhe për të mohuar e denigruar të gjitha forcat tjera antifashiste, veçanërisht nacionalistët shqiptarë, siç ishin Kryezinjtë e Kosovës etj., të cilat gjatë Luftës, nuk ishin vënë nën komandën komuniste, dhe që nuk e dëshironin vendosjen e regjimit komunist në Kosovë, as në Shqipëri. Me një fjalë, udhëheqësit komunist të Shqipërisë dhe Jugosllavisë, bashkë me “historianet” e oborrit të tyre, në unison, iu vërsulën Kryezinjve, familjes dhe gjithë farefisit të tyre, së pari duke falsifikuar historinë dhe mohuar luftën antifashiste që ata bënë, dhe më pas, duke i shpallur armiq e tradhtar, duke i vrarë, burgosur, përndjekur dhe persekutuar në mënyrë të pashembullt, duke ushtruar mbi ta, një gjenocid të vërtetë.

Pasi jugosllavët, kishin burgosur Ganiun, pushkatuar Hasanin dhe Xhevatin, në dhjetor 1944, udhëheqja komuniste shqiptare, burgosi Ismet Kryeziun, nipin e atdhetarit të madh, Ali Pashë Gucia, kushëri dhe bashkëluftëtar i ngushtë i vëllezërve Kryeziu, që kish dhënë kontribut të çmuar, për organizimin e forcave luftarake nacionaliste antifashiste, gjatë viteve 1943-1944. Së bashku me Ganiun, ai kish propaganduar bashkimin e popullit në luftë kundër nazifashistëve në Gjakovë, Malësi e Has. Ky ish bërë i njohur, në Kosovë e Shqipëri, si nacionalist dhe luftëtar i vendosur, për bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm, prandaj u burgos dhe u dënua nga regjimi komunist, me 15 vjet burg. Vdiq nga torturat në një burg të Shqipërisë, në vitin 1952.

Shtatë burra patriotë, të familjes Kryeziu, u vranë nga dora gjakatare serbo – sllavo-komuniste, deri në vitin 1953. Këto krime, kundër Kryezinjve, i bënë komunistët serbo-sllavë, në bashkëpunim me ata shqiptar, për shkak se Kryezinjtë, ishin nacionalistë shqiptarë, anti-sllavë e antikomunistë, që kishin aspiruar e luftuar për Kosovën e lirë, demokratike dhe të bashkuar me shtetin amë-Shqipërinë.

Beogradi, e kish shpallur familjen Kryeziu, si njërën nga familjet më të rrezikshme të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar në Kosovë, ndaj goditën me ashpërsinë më të madhe, mbi pjesëtarët e saj. Të njëjtin qëndrim, si serbo-sllavet, mbajti ndaj pjestarve të familjes Kryeziu, edhe udhëheqja komuniste e Shqipërisë.

Ne fillim të viteve pesëdhjetë të shek. XX-të, kur Enver Hoxha i akuzonte Kryezinjtë, se gjoja: “futen tinëzisht në vendin tonë,-siç thotë ai, – për të sabotuar e për të vrarë patriotët tanë”, agjentët e Sigurimit të Shtetit, gjoja të arratisur, që nuk u muar vesh asnjëherë, kujt i shërbenin; – (Sigurimit të Shtetit shqiptar?! –UDB-së jugosllave, apo të dyve së bashku?!) organizuan vrasjen e pabesë të djemve të Sulejman Kryeziut; -vëllezërve Myrteza (Xaje) dhe Sefedin Kryeziut.

Të njëjtat duar gjakatare, shërbëtore të UDB-së jugosllave dhe të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, me 5 qershor të vitit 1951, ekzekutuan në Pejë, Dervish Rado Kryeziun, ish-pjesëmarrës i forcave të Kryeziut, i cili pas Lufte, ish bërë njëri nga mësuesit më të aftë, patriot dhe aktivist i njohur, për përhapjen e arsimit e shkollës shqipe në Kosovë. Ai ishte njëri nga veprimtarët më të dalluar, për të drejtat kombëtare të shqiptarëve, në Jugosllavinë e asaj kohe.

Edhe ata pjesëtar të familjes Kryeziu, që erdhën në Shqipëri për t’u shpëtuar ndjekjeve dhe persekutimeve serbe, siç qenë djemtë, vajzat, nipat e mbesat e Ismet Kryeziut etj., u përndoqën dhe u persekutuan me të njëjtën ashpërsi, nga regjimi i Enver Hoxhës, u goditën pa mëshirë, nga lufta e klasave.

– Qemal Ismet Kryeziu, ish oficer që kish mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë. Ushtarak i aftë dhe njeri me kulturë të gjerë, u dënua nga gjyqet komuniste, me 30 vjet burg. Pasi vuajti një pjesë të dënimit, në burgun famëkeq të Gjirokastrës, u lirua gjysmë invalid, dhe deri sa vdiq, punoi bojaxhi në Kavajë.

– Masar Ismet Kryeziu, edhe ky ish-oficer që kish mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë, njohës i disa gjuhëve të huaja, me dije e kulturë të gjerë, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste. Për aktivitetin e tij antifashist, u kap nga gjermanët dhe u internua ne kampin famëkeq të Auschvitzit. Pasi shpëtoi gjallë prej nazistëve, u kthye në Shqipëri, por edhe këtu lufta e klasave, e degdisi punëtor shinash, në hekurudhën e Kavajës.

– Ajten Kryeziu (Selfo), për shkak se ishte kushërira e Kryezinjve dhe e martuar me një pjesëtar të familjes Selfo, të lidhur me ‘Ballin Kombëtar’, për disa dekada me radhë, mbajti mbi shpatulla, peshën e rëndë të luftës së klasave, dhe për këtë shkak, u detyrua të qëndrojë familjarisht e internuar në Lushnje, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist.

Si përfundim, mund te thuhet me bindje, se; historia e Lëvizjes Nacionaliste Antifashiste, e udhëhequr nga vëllezërit Kryeziu, gjatë viteve 1940 – 1944, e paraqitur nga historiografia konformiste, shërbëtore e regjimit komunist, është shembulli më tipik, i fshehjes së fakteve dhe shtrembërimit të dokumenteve, për shumë ngjarje dhe figura të Luftës Antifashiste, të popullit shqiptar.

Dihet se, fshehja, asgjësimi ose shtrembërimi i dokumenteve historike, do të thotë në radhë të parë, fshehje dhe shtrembërim i së vërtetës, çka përbën një imoralitet, dhe së dyti, shtrembërim ose mungesë saktësie shkencore. Gjaku që derdhi, e sakrificat që bëri populli ynë gjatë Luftës Antifashiste, vërtetë janë të shenjta dhe kanë vlerë të pamohueshme. Por ato, nuk mund të shenjtërohen, as nuk mund të marrin vlerat reale, jashtë të vërtetës historike.

Lufta Antifashiste, fiton dimensionet e lavdinë që i takon, vetëm duke njohur, vlerësuar e respektuar, gjakun e sakrificat e ҫdo shqiptari që rroku armët, luftoi e ndihmoi për ҫlirimin e Atdheut, pavarësisht nga bindjet politike që kishte. Të gjithë ata që luftuan për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, që ishte dhe ideali i kësaj lufte, janë dhe do të mbeten të respektuar dhe të nderuar nga populli ynë.

Kryezinjtë dhe luftëtarët e tyre nacionalistë, meritojnë respekt e mirënjohje, për ato që bënë në të mirë të Shqipërisë, në të mirë të kombit. Shpallja ‘Dëshmorë të Atdheut’, e atyre pjesëtareve të forcave nacionaliste, që dhanë jetën për liri, si dhe dekorimi i komandantit të tyre, Gani Kryeziu, me Urdhrin e Flamurit të Kl.I-rë, nga ish – Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Sali Berisha, me rastin e 50 – vjetorit të ҫlirimit të Atdheut, ishte një gjest patriotik, vlerësim e mirënjohje për këtë figurë, për bashkëluftëtarët e tij dhe për Luftën Antifashiste të Popullit Shqiptar, në përgjithësi. Memorie.al

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re