MARIE LOGORECI-Artiste e Popullit (1920 –1988)

Xh. Aliu:- Ajo quhej Marie, por Shkodra e paraçlirimit e
njihte me emrin Tush. Ishte vajzë e bukur dhe kishte një zë melodioz. I ati i
saj, Palok Çurçia, burrë i ndershëm e patriot, punonte këpucar, kurse e ëma,
Roza, tepër e qeshur dhe e dashur ndër komshinj e farefis, ishte shtëpiake. U
njoh si Marie Logoreci pasi u martua në Tiranë me Kol Logorecin, djalin e
patriotit të njohur Mati Logoreci. Këtu iu krijuan mundësitë për zhvillimin e
atij talenti që e bëri më pas një aktore të madhe.

Marie Logoreci:- Mua më ka pëlqyer të këndoj, prandaj, pas
Çlirimit më thirrën në Radio. Atje bëra pak kurs me Mihal Cikon për të mësuar
disiplinën e mikrofonit. Më 16 janar 1946 kam dhënë emisionin e parë direkt, e
jo të inçizuar si sot. Ditën e parë që do të këndoja, emocion i madh, djersët
rrëkaj. Kur mbaruan ato 20 minutat, se ishin katër këngë, u çlirova. Kur i shoh
këmbët e mija ishin bërë kuq prej djerse, se i kisha sandalet të kuqe. Pas
kësaj më thërrasin me Pandi Stillun dhe më thonë të bëj një provë në teatër.

– Unë s’kam luajtur kurrë teatër, – u thash. – Ku e dini ju
se unë bëj për teatër? –Të kemi parë si interpreton këngën dhe jemi të sigurt
se ti do t’ia dalësh, – më thanë. Unë e kam patur në shpirt shumë teatrin. E
kam ndjekur gjithmonë, por, që të bëhem aktore, s’e kam menduar. Se kërkush nuk
e ka pranuar. Si ka qenë më përpara, gruaja që delte në skenë, rrezikonte të
merrte edhe ca fjalë pas. Dhe kësaj nuk i kanë shpëtuar shumë, po i kanë
mbajtur në shpinë këto.

Desha, s’desha, u rropata ca, shkova. Por pata fatin, se unë
isha fare letër e bardhë dhe nuk kisha trashëgimi prej së kaluarës, si
teatralizma, lojë fryme, deklamacion etj etj, të cilat ishin ndikime të teatrit
të vjetër amator.

Kur kam shkuar në teatër kam gjetur shumë aktorë, shto pastaj ata që kanë ardhur gjatë këtyre viteve. Veç mbaj mend, nga të parët kishte shumë rregull dhe disiplinë. Mihal Popi, Loro Kovaçi, Mihal Stefa, gjithmonë i gjeje dy orë përpara. Loro Kovaçi rrinte pas skene duke përsëritur tekstin. Për disiplinën artistike, kuadri i vjetër, meshkuj e femra, kanë qenë shumë korektë.

I ka dhëmbur shokut për shokun, i ka ndodhur një fatkeqësi dikujt, shokët e kanë zëvendësuar aty për aty. Për të mos e prishur shfaqen, njerëzit kanë dalë edhe të sëmurë. Janë shumë gjëra që përbëjnë disiplinën. Këtu hyn edhe ndarja e roleve. Dikush thot kështu, dikush ashtu. Po dikush do t’i bëjë edhe rolet e vegjël. Nuk mund të jenë të gjithë kryerole. Unë fus te disiplina edhe përgatitjen që bëjnë aktorët. Ç’bën ti për rolin tënd? Ç’të re i bie regjisorit që edhe ai të dijë ku të punojë?

Kur ishim në Razëm me filmin “Detyrë e posaçme”, më thoshte Viktor Gjika: Ti Marie mbete gjithmonë me malsorët. Rri një herë edhe me ne. Po unë kisha qejf. Të gjitha ato katundet për rreth ma mësuan emrin. Kur rrija me ta kënaqesha. Kishin atë ndjenjën e pastër. Flisnim për zakonet, pyesja vajzat, a jeni feju, si jeni feju. Unë nuk e bëja vetëm për tu pasuruar për vehte, por ndjeja kënaqësi me to. Po a ka më poezi se në Malsi? Atje është vendi i poezisë, romantika e shëndoshë. Si atje nuk e gjen kurkund në qytet.

Shumë e pastër. Ishte ditë e dielë. S’kishim xhirim atë ditë. Edhe shkoj te pusi. Të gjithë të rinjtë e fshatit ishin veshur si për ditë të diele. Aty ishte, si me thanë Sheshi “Skënderbej”. Vinin nuset me buljera me mbush ujë të veshura si me shku në dasëm. Aty ishin djemtë, ato e ulshin shaminë mos me u duk. Vë re unë një vajzë, ishte duke mbushur ujë me çikrik, kurse njëri në anën tjetër. Nuk dëgjoja gjë, por shihja si loznin do buzë tuj mbush ujë.

Pra, një dashuri e pastër. Por këto gjëra është mirë që njeriu të dijë me i pa. Davinçi i këshillonte të rinjtë:”Mësoni të shikoni!” Edhe unë u them aktorëve të rinj:”Mësoni ta njihni jetën!”. Po jo siç e bëri dikush tek ne kur ra një fëmijë në pishinën e teatrit. Ajo e ëma bërtiste, ulërinte se po i mbytej fëmija, ndërsa ky rrinte duke e parë me qetësi se si po reagonte ajo. Të rrish duke parë fatkeqësinë e tjetrit, kjo nuk është pasuri.

Xh. Aliu:- Të gjithë rolet e interpretuar prej Maries ishin
njëri më i mirë se tjetri. Por, duket sikur roli i Lokes në dramën “Toka jonë”
e Kol Jakovës qëndron mbi gjithë të tjerët. Rrallë mund të kemi një kombinim të
tillë të cilësive të interpretit me ato të personazhit, sa Marie Logoreci tek
personazhi i Lokes.

Maria:- Ne e kemi vënë dy herë dramën “Toka jonë”. Të parën
e ka vënë Pandi Stillu. Ai kishte një veti që e linte aktorin të krijojë. Ne si
kolektiv kemi patur vrejtje të gjithë për Aktin e katërt. Tri herë ia kemi
rrëzuar Kolës, saqë arriti të mbledhë gjithë shkrimtarët me bisedu vërejtjet.
Se del puna që aktori e shkoqit më mirë se vetë shkrimtari. Dhe kështu kemi
punuar bashkërisht. Ka qenë edhe Loro Kovaçi që i njihte shumë mirë zakonet.
Ndrek Luca gjithashtu, i cili nxori një Lek të mrekullueshëm. Ka qenë një
kolektiv model kur kemi punuar “Toka Jonë”.

Pastaj e kemi rivënë me Pjetër Gjokën. Mirë e vuri, por, me thënë të drejtën, e para mbetet. Ajo i vuri vulën. Ishin vitet e para pas Çlirimit, kur njerëzit e kishin shumë të freskët luftën. Ishin partizanët që e kishin parë shokun duke u vrarë. Dhe kur vinin për të parë dramën “Toka jonë” burra të fortë kanë qarë, gjë që nuk ndodhi tek vënia e dytë.

Pastaj ishin ndërruar të gjithë aktorët, vetëm unë kisha mbetur, se i qe hequr…Edhe në film është masakruar “Toka jonë”. Kur erdhën shkrimtarët për ta parë herën e parë, thanë: Mendojmë të quhet “Lokja jonë”, se drama bie fill mbi Loken. Kur kam punuar me Pandin, ishte ai monologu i fundit, një monolog jashtëzakonisht i bukur.

Atë moment e kisha shumë për zemër. Ishte momenti kur Murrashi ishte i shtrirë në odë i vrarë. E gjithë mbrojtja, i gjithë katundi ishte çuar në këmbë për të kapur Tuç Makun. Lokja gjen një moment edhe vidhet asaj skenës. Merr bustinën e të birit dhe qan: – Murrashi i nanës!…Më fal se po qaj për ty sonte, o bir. Po jam nanë, o Murrash dhe këtu nuk më sheh kush.

I doje shumë trimat, o bir, po nana të kishte trim edhe ty… Mirë kam qëndruar, Murrash. Besoj se nuk të kam turpnue, megjithëse nana e di se ç’plagë i hape në zemër ti…Murrash i nanës!…Shpirti i nanës!…Ylli i nanës!… (Përlotet)

Më falni, po më ka marrë malli për skenën… Atë monolog e kisha shumë për zemër. I thosha Pandit, të lutem, mos ma kërko në çdo provë këtë monolog, se kam frikë… Dhe shumë rrallë e kam bërë deri para premjerës. E tillë ishte Lokja. Kjo Loke s’është si Tringa te “Shtatë Shaljanët”. Tringa është e fortë. Ajo kujton se i biri i vetëm ka tradhëtuar. “Shko, – thotë, – mere furkën e dil ndër gra…Bir, për ty i prefsha flokët, në mos shkofsh me dek për shokët!”.

Janë pjesë të fuqishme këto. Edhe Tringa ka një moment që qan. Edhe ajo kishte një monolog dhe i thosha regjisorit mos ma kërko, se sikur më zvjerdhet ndjenja. Dhe kështu e kam ruajtur të freskët, saqë edhe sot jam në gjendje që ta luaj. Për fat, e kam memorjen. Mund të harroj gjëra të tjera, por jo çfar kam luajtur në teatër.

Por nuk e kam patur të lehtë, se të dy këta role janë nga Veriu, me të njëjtën veshje, me të njëjtën të folur veriore, gati në të njëjtat rrethana, nënë njëra, nënë tjëtra, të dyja në moshë të thyera dhe i kam luajtur kur isha e re. Unë i kam kushtuar vëmendje gjetjes së specifikës së veçantë për çdo rol, që të mos kem përsëritje, se humbet interesi i spektatorit dhe aktori kërkues nuk mbetet i kënaqur.

Kështu më ka takuar të luaj edhe role të tjerë të Mirditës. Bile, një ditë u pata thënë ”më duket se kam lindur me këmishën mirditore”, ngaqë pata luajtur shumë role, edhe në film, edhe në teatër. Kisha te “Perkolgjinajt”, te “Cuca e maleve”, te “Përmbytja e madhe” e K. Jakovës.

Xh. Aliu:- Siç është gjykuar nga kritika e kohës, nga
artdashësit e shumtë, por edhe nga vetë artistja, roli i Lokes mund të quhet si
kurora e artë e të gjitha realizimeve të saj. Maria-Loke dhe Lokja- Marie, u
shkrinë në një të vetme dhe askush prej tyre nuk kuptohej dot pa tjetrën. Duket
sikur ju, zonja Marie, e vuani ende dramën e Lokes dhe të të gjitha grave të
asaj kohe. Pse?

Maria:- Sepse më kujton kohën e errësirës, kur gruaja ishte në prapambetje të plotë, më kujton gruan analfabete, gruan skllave të burrit, vetëm nënë e fëmijëve, më kujton gruan e ngarkuar, gruan pa asnjë të drejtë, aqsa, sipas Kanunit, kur kishte fatkeqësi, i vdiste burri, gruas i jepnin dy barrë misër dhe një palë opinga.

Kaq kishte mundësi me pas të drejtë gruaja. Siç thotë populli, “e mundueme, dhe e pa gëzueme”. Ne shohim se si Murrashi e qiti në dritë nderin e saj, se ishte cilësuar prej kulakut si grua e përdalur, për të cilat ajo vuajti gjatë 17 vjetëve e braktisur prej fëmijëve të vet.

Xh. Aliu:-Po si e arrite realizimin e Lokes? Pate ndonjë
model për ta imituar?

Maria:- Jo te Lokja, por në asnjë figurë nuk kam imituar në
mënyrë shabllone. Se unë kam individualitetin tim.

Kur u vu “Hamleti” aktorët kërkuan të shohin filmin aty në studio. Unë nuk shkova, se thosha se po më rri mendja atje dhe nuk do të bëj vetë çka duhet. Nuk do ta luaj si ajo që do të shoh, por të paktën, ajo do të jetë e imja. Unë jam munduar ta zbërthej rolin, të gjej specifikën e tij. Kur e merja rolin, jo vetëm që më mbetej në kokë, por gati-gati nuk më hiqej nga mendja.

Ndonjë herë doja të çlodhesha, ta harroja, por ai më rrinte në mend, në mënyrë inkoshiente. Kjo ishte një punë e vazhdueshme. Kur u dha Lokja dhe u prit mirë, se si e ndjeva vehten në boshllëk. Se unë isha mësuar me Loken time, ajo më ishte bërë si fryma që më mbante gjallë. Po të arrijë aktori në brendësi të rolit dhe të bëhet njësh me të, atëhere ia ka arritur qëllimit. Dhe kjo nuk arrihet duke e treguar me fjalë, por me punë.

Xh. Aliu:- Në vitin 1983, kur e kemi bërë këtë bisedë Maria
ishte në pension dhe rrinte në shtëpi. Por vetëm me trup, pasi me shpirt ajo
nuk shkëputej dot nga teatri ku jetoi, punoi e krijoi një jetë të tërë.

Maria:- Nuk vdes artisti. Erdhën nja dy shokë.- Marie, ti
flutur, – më thot mua. – Po ça kujtoni ju, – thash.- Jo…sikur ke qenë sëmurë…-
Shiko, – thashë, – kështu jam e do të jem. Tri ditë pasi të kem dek unë, do të
vdesë temperamenti im.

Për fat të mirë, kam një bahçe, kam oborr përpara shtëpisë,
lule, pemë…Kam kënaqësi të madhe që dal dhe i sillem qark. Është inspektimi i
mëngjesit dhe i pasdrekës. Merrem me këto, se punë s’po bëj. S’kanë nevojë. Po
të kishin nevojë do të më tërrisnin. Kur të gjithë njerëzit pushojnë në vapë
jam më e qetë, se punët i kam mbaruar.

Xh. Aliu:- Marie Logoreci mbetet një emër i madh i teatrit
shqiptar.

– F U N D –

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re