Përmes një deklarate për mediat, PDIU reagon lidhur me numrin e të infektuarve gjatë 24 orëve të fundit, që sipas saj është edhe shifra më e lartë në shtatë javë.

“Regjimi i Facebook-ut që nuk linte orë pa dalë në media për ti treguar shqiptarëve malet me të vdekur e të tmerronte fëmijë e të moshuar, ka ditë që hesht e nuk thotë asnjë fjalë për vendimet personale, për lënien hapur të fasonerive dhe call-centerave“, thuhet në reagim.

Deklarata e plotë:

Sot numri i të infektuarve arriti shifrën më të lartë përgjatë këtyre 7 javëve. Pas 7 javësh izolim shqiptarët do duhej të kishin mbyllur edhe numrat e vegjël me të cilat situata u paraqit qysh në fillim. Të infektuarit vijnë nga lënia hapur e fasonerive dhe nga shpërndarja në burgje, të cilat janë përgjegjësi direkte e qeverisë.

Regjimi i Facebook-ut që nuk linte orë pa dalë në media për ti treguar shqiptarëve malet me të vdekur e të tmerronte fëmijë e të moshuar, ka ditë që hesht e nuk thotë asnjë fjalë për vendimet personale, për lënien hapur të fasonerive dhe call-centerave.

Në kohën kur në shtëpi mbylleshin të moshuar e fëmijë, burra e gra që mundet edhe të kishin vende pune me shumë pak njerëz, rregjimi lejonte që qindra vetë të punonin në kushte ku nuk sigurohej asnjë mundësi distancimi.

Situata rëndohet edhe më shumë nga shtimi i ritmit të vjedhjes përmes tenderave që shpallen secret, e ku letra higjenike po përbën një sekret të madh shtetëror. Abuzimet vazhdojnë të rriten ndërsa vendimarrja vazhdon të çorientoje cilindo qytetar të këtij vendi. Në ditët në vazhdim do kemi një komunikim të përditshëm e do denoncojmë çdo arbitraritet që rëndon në kurriz të shqiptarëve dhe bizneseve ne vend. I bëjmë thirrje Prokurorisë të dalë nga vetizolimi dhe të hetojë, pasi niveli i absurdit të situatës dhe dëmi në ekonominë shqiptare po çon vendin drejt falimentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re