Ishte ndër të parët për të cilët ishte arritur marrëveshja, por i fundit që u zyrtarizua dhe prezantua nga 4 blerjet e Mançester Sitit, përpara startit të Botërorit të Klubeve.Holandezi Tijjani Reijnders mund të konsiderohet plotësisht një lojtar i skuadrës së Guardiolës. 26-vjeçari, që la Milanin pas 2 vjetësh për 70 milionë euro (55 milionë shumë fikse dhe 15 si bonuse), tashmë shihet si pasuesi i Kevin de Bruynes, i cili do të kalojë te Napoli gjatë kësaj jave.
Mesfushori nga Holanda ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare, ndërsa do të vendoset menjëherë në dispozicion të Pep Guardiolës, që po përgatit Botërorin e Klubeve. Ai është blerja më e shtrenjtë e “Citizens” në këtë merkato, ndërkohë që edhe pse jemi vetëm në fillim të qershorit, klubi nga “Etihad” ka bërë që tani gati 200 milionë euro shpenzime për 4 lojtarë: Reijnders, Cherki, Ait-Nouri dhe Betineli.
“PEP, MË I MIRI” Reijnders ka shprehur edhe fjalët e para si lojtar i Sitit. “Jam vërtet i entuziasmuar që kam firmosur për këtë klub. Siti është një nga skuadrat më të mëdha në botë. Për më tepër ka edhe trajnerin më të mirë si dhe lojtarë të klasit botëror. Pa harruar që këtu ka edhe shumë lehtësi të tjera, duke filluar nga kushtet e stërvitjes e deri tek stadiumi ku do të luajmë, ku mezi pres të marrë edhe duartrokitjet e tifozëve. Nën drejtimin e Guardiolës, ky klub ka fituar shumë trofe, por unë dua të ndihmoj për të shtuar edhe shumë suksese të tjera në vitet që do të vijnë”, ishin fjalët e mesfushorit 26-vjeçar holandez.
SHIFRAT ME MILANIN Tijani ishte një nga pikat kyçe të Milanit në dy sezonet e fundit, duke regjistruar 108 paraqitje me fanellën kuqezi, 15 gola e 5 asiste në 54 ndeshje nëpër të gjitha kompeticionet. Klubi kuqezi bën një plus-valencë prej 50 milionë eurosh nga shitja e holandezit, të cilin e mori vetëm për 20 milionë dy sezone më parë nmga AZ Alkmar. Kalimi i tij te Siti, tashmë shënon nisjen e një epoke të re në mesfushën e Guardiolës. Trajneri spanjoll, me këto lëvizje të fundit po tregon se Siti synon të rikthehet të dominojë në Premier League dhe të rindizet fuqishëm edhe në garën për Champions League.