Nga Hoxhë Alban Gorishti

Ebu Hurejra tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Kur të afrohet koha e fundit ëndrra e besimtarit nuk ka për të gënjyer. Ëndrrën më të vërtetë prej jush e ka ai i cili i ka fjalët e vërteta…..” Mutefekun alejhi . Ndërsa Enes bin Malik tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Ëndrra e mirë prej njeriut të mirë është një e dyzet e gjashta pjesë e profetësisë” e transmeton Buhariu. Kështu përgjithsisht prej këtyre dy haditheve mundet të kuptohet se kujt i shtohet vërtetësia e fjalëve, i shtohet drita e zemrës së tij, i forcohet logjika dhe gdhendën në të arsyetimet e drejta. Atëherë vërtetësia e tij gjatë ditës e shoqëron atë edhe natën ndërsa i kundërti i kësaj me të kundërtën. Siҫ thonë edhe dijetarët nuk është e thënë se një besimtar që sheh një ëndër të vërtetë të jetë më i mirë se ata që ishin para tij dhe as tregon për mirësinë e tij absolute por ndoshta për shkak të dobësimit të besimit të tyre apo kur të afrohet ora e fundit dhe të kenë vdekur njerëzit e dijes dhe të jenë dobësuar shenjat dalluese të fesë me sprova dhe rrëmuja atëherë ata kanë nevojë për përkujtues dhe rinovues të gjërave të harruara nga feja, ju zëvendësohet atyre ndalimi i profetësisë me ëndrra të vërteta të cilat janë një e dyzet e gjashta pjesë e profetësisë dhe që vijnë me përgëzim ose qortim. Për këtë flet edhe koncepti që përcjell shejhul Islami rreth keramateve (mrekullive që i ndodhin besimtarëve të mirë prej Allahut),ai thotë: Nëse dikujt i ndodh ndonjë mrekulli kjo nuk do të thotë se personit që i ndodh ajo mrekulli është më i mirë sesa ai të cilit nuk i ka ndodhur e njëjta gjë, pasi ndoshta i tilli (apo të tjerët rreth tij) kanë nevojë për t’u forcuar në
fe ndaj edhe të tillit i manifestohen mrekulli” 1

Kështu siҫ qartë na tregohet në hadithet e mësipërme ëndërrat e mira janë pjesë e cilësive të pejgamberisë duke u përfshirë kështu në specifikat dalluese të pejgamberëve, ndaj edhe ato quhen të mira të vërteta pasi ato nuk kanë qënë munduese (vesves) për ta por argumentuese për ta dhe misionin e tyre, ndaj besimtari sa më tepër ta shtojë sinqeritetin e tij dhe vërtetësinë e besimit aq më tepër i afrohet kësaj cilësie dhe rrjedhimisht i “qartësohet” pozitivisht periudha e gjumit dhe ajo e zgjimit, por kjo nuk do të thotë se njeriu shndërrohet në pejgamber e nëse ndodh që të vetkënaqet në këtë rast duhet të ketë kudjes nga mendjemadhësia. Por nga ana tjetër nëse mosbesimtari apo gënjeshtari sheh një ëndërr të vërtetë kjo nuk do të thotë se i pari është kthyer besimtar ndërsa i dyti I sinqertë. Pasi edhe pse mbreti i kohës së Jusufit pa një ëndër të vërtetë kjo nuk e ktheu atë në besimtar. Allahu tregon: E (kur u afrua lirimi i Jusufit) mbreti tha: “Kam parë në ëndërr shtatë lopë të majme dhe shtatë lopë të dobëta që i hanin ato (të dobëtat i gëlltitën ato të majmet) dhe shtatë kallinj të gjelbër (që kishin lidhur frytin) e (shtatë) të tjerë të tharë. O ju pari, nëse dini ta interpretoni ëndrrën, më tregoni për ëndrrën time!” Jusuf 43.

Para disa kohësh më rastisi të kaloja para një xhamie dhe dëgjova eznin e kënduar prej një personi të papërshatshëm për të tillë pozitë dhe tërësisht të stonuar fetarisht siҫ edhe sot, në një kohë ku e vërteta është përzier me të pavërtetën dhe në pozitat udhëheqëse po dominojnë Ruvejbidat , ngjashëm edhe ata që emërojnë të tillë individ apo lejojnë situata të tilla më e pakta që mundet të thuhet rreth tyre është pavlefshmëria dhe makinacioni. Kurse nga ana tjetër po ashtu ekziston një kategori njerëzish që e shikojnë këtë “imoralitet” institucional duke thurur mendime, mrolur shprehi dhe cënuar shenjtëri. Dikush prej të parëve i kërkonte një këshillë dikujt për metodat e duhura në kohë të ngatërruara, sesi ta njihte të vërtetën e përzier tashmë me të kotën, ndërsa pjesë e përgjigjes ishte edhe kjo :….shmang nga fjalët e të urtit ato që bëhen të famshme, për të cilat thuhet: “Çfarë është kjo nuk është dëgjuar më parë (pra është ҫuditërisht e re)?!” Merre të vërtetën kur e dëgjon atë, sepse e vërteta ka dritë në të.” Imam Ebu Daudi e përcjell në Sunenin e tij (nr. 4611).

Pra e vërteta ka dritë në të, kështu duke menduar rreth këtyre rreshtave mu kujtua historia e dikujt (kjo jo domosdoshmërisht është ngjarja e vetëm një personi) i cili edhe pse pa shpesh që gjatë përplasjeve me dikë tjetër e vërteta nuk ishte në anën e tij personale por në atë të tjetrit përsëri veprimtaria e tij nuk tregoi kurrë ndonjëlloj reflektimi individual,edhe pse shpesh herë iu manifestua e vërteta qoftë verbalisht por edhe fizikisht. Kështu mendova në një dinamikë që e kemi dëgjuar shpesh prej shumë njerëzve apo e kemi lexuar rreth një ëndërre që ata shohin të përsëritur disa herë me radhë dhe pikërisht për shkak të brendësisë së tyre (shëndetshmërisë së besimit) të saktë janë kthyer nga qëndresa e tyre në të kotën duke ndërruar për mirë kursin e tyre e kështu jo vetëm kundërshtarit të tyre i janë kthyer me pishmannlik për të kaluarën por gjithkujt që u dëmtua nga ai veprim duke marrë veprime konkrete në përmirsimin e vetes dhe dinamikave negative të “ish” vesit të tij. Ndaj mendova e nëse “mikut” tim i është shfaqur me të vërtetë një ëndër e tillë dhe krenaria e tij nuk e ka lenë të kthehet? Po ëndrën a ia ka treguar ndonjë të besueshmi (siҫ thotë pejgamberi në rastin kur shikojmë ndonjë ëndërr me kuptim)? Po nëse vet ky person është ai që e thërret ezanin?Në këtë rast Për cilin thërret ai ezan ajo minare?E nëse më keq është nga ata që e menaxhojnë përҫimin e kësaj thirrjeje tek njerëzit? Por në kushtet e këtij “mërgimi” e këtij egërsimi të nijeteve dhe dijeve një pyetje e gjëmon kokën time, a ëndërrojnë të tillët ,makthe qofshin ato? E nëse po atëherë përse ” I varrosin“ ëndërrat e tyre , përse e largojnë të vërtetën duke e groposur thellë në dhe? Diku lexova se ateizmi me gjithë format e tij e varrosi ëndrën njerzore, pra me qëllim se ëndërra është fenomen shpirtëror ndërsa ateizmi e mohoi shpirtin. Për këtë edhe hebrenjëve iu kërkua që mos ta fshihnin të vërtetën që iu kishte zbritur atyre pasi kjo ishte mbulim i së vërtetës,pra ateizëm. Allahu thotë për ta: Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon All-llahu, i mallkojnë edhe ata që mallkojnë. Përveç atyre që pendohen, që përmirësohen dhe që u
shpjegojnë njerëzve (të vërtetën), të tillëve ua pranoj pendimin, se Unë pranoj shumë pendimin, jam mëshirues” Bekare 159-160.

A e dini se cila është origjina e fjalës ateizëm në gjuhën arabe? Fjala ateizëm–ilhad ka kuptimin e digresionit,mënjanimit,devijimit nga synimi,ndërsa ateisti sipas kuptimit terminologjik është ai i cili e mohon ekzistencën e një Zoti ,ndaj esenca e kufrit (mohimit) ka të bëjë me mbulimin dhe fshehjen e diҫkaje prej këtij koncepti edhe fjalës bujk (mezariun) i është thënë kafiren (pra në esencë ai që mbulon diҫka në këtë rast farat e bimëve që ka ndërmend të risë. Kështu e ka quajtur edhe Allahu në Kuran Ezzurau =el Kufaru pra bujqit ,thotë Allahu: e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit (el kufar)…” Hadid 20, pra këtu Allahu në vend të emrit ez-zurau përdor emrin el kufaru –në esencë përdoret për mohuesit fjalë e cila është anulluesja e besimit, Po ashtu ilhad- ateizëm (mohim) përdoret për proçesin e varrosjes së besimtarit në një ҫarje në cep të varrit të mënjanuar nga qendra e tij e cila quhet Lahd për këtë ajo merr kuptimin e mënjanimit, devijimit nga origjina si dhe të mbulimit . Ndaj siҫ nga një anë njeriu i cili i fsheh “ëndërrat” e veta saktësuese i ngjason këtij koncepti atij të mënjanimit dhe të mbulimit,pasi siҫ pamë ëndërrat e besimtarit janë në përpjestim të drejtë me qëndrimet e tij në jetë madje vërtetësia e ëndërrës saktëson vërtetësinë e zemrës dhe “ezanit” të tij. E kështu si mundet të jetë e vërtetë ëndërra e një besimtari nëse ai e mbulon domethënien e saj apo e shtrembëron esencën e saj? Si mundet ti përgjigjemi një thirrjeje e cila në vetvete thotë hajale el felah –hajdeni në shpëtim ndërsa me prezencën tënde ti legjitimon një trend abuziv duke e shndërruar besimin fjalë që thuhet por jo ndjenjë që përjetohet? Nëse me shtimin e sprovave,telasheve edhe ato pak “ëndërra” të mira që sheh (pra këtu e kam kuptimin për pengimin arrogant që i bëhet të vërtetës) i gropos së bashku me ëndërrat e këqija atëherë nuk e di se kë synon me atë thirrje apo kë grumbullon ajo minare?

Më thuaj nëse je i sinqertë me vetveten , si shpreson të fitosh nesër ndërmjetësimin e pejgamberit tonë kur “e injoron” një pjesë të pejgamberisë siҫ është ëndrra e mirë? Kjo në një kohë që pejgamberi alejhi selam ia garanton ndërmjetësimin e tij të vërtetit, ai alejhi selam thotë: Ndërmjetësimi im ditën e gjykimit do të jetë posaҫërisht për ata njerëz që dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë me përjashtim të Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut sinqerisht aq sa zemra e tij të vërtetojë gjuhën e tij dhe gjuha të saktësojë zemrën e tij” Ibn Maxheh

Së fundmi mos harroni se në shumë hadithe të Pejgamberit alejhi selam përmendet ndikimi i shejtanit qoftë në të zgjuar por edhe në ëndrra. Për këtë Allahu thotë: Ne nuk dërguam para teje asnjë të dërguar (me shpallje) dhe asnjë pejgamber (të dërguar si vazhdues i shpalljes së mëparshme), e që, kur ai (i dërguari) dëshiroi diç, të mos iu pat hedhur në atë dëshirën e tij djalli, e All-llahu asgjëson atë që e hedh djalli, dhe All-llahu fuqizon argumentet e Veta. All-llahu është shumë i dijshëm dhe me urtësi të madhe i rregullon çështjet” Haxh 52, por arma më e fortë ndaj devijimit,mënjanimit,mbulimit që bën shejtani është zemra jote e cila fuqizon fjalën apo dobëson gjymtyrët e kështu edhe ëndërra më e vërtetë në gojën e njeriut të lëkundur shndërrohet minimalisht në një thirrje të shterptë e maksimalisht në një thirrje që shejtani dëshiron shumëҫka prej saj, ndërsa në të tillë situatë të tillët Allahu nuk i fuqizon më argumentet e veta pa vërtetuar së pari besimtari ëndërrat e tija në realitet!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re