Politika zyrtare e Kosovës po shihet me sy kritik nga vendet perëndimore për sa i takon mos përmbushjes së atyre obligimeve që ka para vetes në rrethanat kur ka një ritëm të zhvillimeve ndërkombëtare që nganjëherë mund të mos shkojnë në favor të vendit. Me zig zaget politike dhe manovrimet pa objektiv, po shfaqet rreziku i krijimit të një hapësire për involvimin e aktorëve të jashtëm që janë kundërshtarë të pavarësisë së vendit tashmë në përfundimin e dëshiruar të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, shkruan Kosova.info.

Një nga gabimet e politikbërjes vendore është mos përmbushja e obligimeve të marra sikurse çështja e ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Mali i Zi. Ky është një nga kushtet e vëna nga ana e BE jo vetëm liberalizim të vizave por edhe për procesin integrues të vendit. Javën që po e lëmë pas forcat politike nuk arritën një konsensus për të tejkaluar këtë çështje, për tu fokusuar më pas në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës që do të vazhdojë gjatë javës në vijim. Ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov gjatë vizitës në Beograd, jo rastësisht përçoi mesazhe kritike ndaj BE, të cilat u përcollën edhe gjatë ditës së djeshme e që mund të kenë ndikim te ato vende që ende nuk kanë njohur Kosovën dhe që zhvillojnë një politik më fleksibile ndaj kursit politik të Rusisë në raport me politikën e përbashkët të BE-së. Disa ditë pas vizitës së shefit të diplomacisë ruse Sergey Lavrov në Beograd, ka paralajmëruar një turne kryetari i KE Zhan Klod Junke në shtatë vende të Ballkanit duke shprehur përkushtimin evropian sa i përket strategjisë së zgjerimit të BE në vendet e mbetura të rajonit.

Ministri i jashtëm rusë Lavrov për kanalin televiziv rusë “Rossiya – 1”, tha  se Rusia dhe Serbia po bëhen objekte të presionit të hapur të perëndimit dhe se vendet perëndimore po përpiqen që kundër Rusisë të shfrytëzojnë interesimin e Serbisë për anëtarësim në BE.

Në perëndim kjo vlerësohet si përpjekje e Moskës për heqjen dorë te vendeve të Ballkanit Perëndimor nga anëtarësimi në NATO dhe BE.  Por cili është roli i Rusisë dhe përpjekjet e saj për involvim të tërthortë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës?

Moska zyrtare është duke luajtur një rol pro aktiv dhe me ndikim në Serbi duke sugjeruar këta të fundit në formë diplomatike se në çfarë drejtimi të zhvillohet dialogu me Kosovë. Kjo është cekur edhe gjatë vizitës së presidentit të Serbisë në Moskë, ku homologu i tij rusë Vladimir Putin lëshoi një deklaratë, ku  secila fjalë është zgjedhur me kujdes duke mos lënë kurrfarë dileme. “Do të vazhdojmë ti ofrojmë mbështetje Serbisë dhe tërësisë territoriale të saj. Situata duhet të zgjidhet me mjete politike dhe në përputhje me Rezolutën 1244. Për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Putin tha : “Moska do ta mbështesë çdo zgjidhje të pranueshme reciproke. Në mes rreshtash mesazhi është ky që Rusia përmes mbështetjes së Serbisë dëshiron të mbrojë integritetin territorial. Më tej situata duhet të zgjidhet përmes mjeteve politike duke u thirr në Rezolutën 1244. Për qëndrimin e presidentit rusë Putin, është përkujdesur edhe ministria e jashtme ruse, që përmes zëdhënëses së saj Maria Zaharova më 25 janar sqaroi më tej qëndrimin rusë. Në pyetjen e mediave të atjeshme se çfarë do të jetë fati i Rezolutës së KS të OKB për Kosovë nëse Beogradi me Prishtinën nënshkruajnë (si opsion që po diskutohet në kuadër të dialogut të brendshëm), marrëveshja obligative dhe se a do të thotë se ajo automatikisht do të ndërpritet?, Zaharova në mënyrë eksplicite u përgjigj: Jo, efektet e rezolutës, sipas mënyrës së funksionimit të Kombeve të Bashkuara, nuk mund të anulohen sipas dëshirës. Është një dokument i detyrueshëm.

Zaharova shpjegoi më tej se rezolutat mund të ndryshojnë varësisht nga zhvillimi i proceseve politike dhe se Rusia pa kushte do të mbështetet në pozitën e autoriteteve të zgjedhur ligjërisht në Serbi, por që aktualisht Rezoluta e vlefshme dhe askush nuk mund ta mohojë atë.

Në interesimin e mediave nëse kjo do të thotë se procesi që po zhvillohet në Bruksel (dialogu) në çdo rast përfundon në KB?

“Për këtë nevojitet qëndrimi i Serbisë që duhet ta bëjë të ditur dhe të vendoset në letër. Kjo ka të bëjë edhe me procesin që po zhvillohet në BE dhe në Rezolutë. Pas kësaj do të ketë një zhvillim adekuat i situatës, u përgjigj Zaharova.  Çfarë në të vërtet, përmes këtyre dy deklaratave Rusia  ka porositur  Serbinë, nisur nga deklarata e Zaharovës?

Në gjykimin e Moskës, Rezoluta 1244 e KB është dokument i detyrueshëm, ai është në fuqi dhe askush, as Serbia me çfarëdo nënshkrimi të marrëveshjes me Kosovë nuk mund ta anulojë. Rezoluta mund të zëvendësohet apo të sjellët e reja vetëm me pajtimin e Rusisë.  Pra Moska, do që të imponojë veten si faktorë dhe të bëhet pjesë e çfarëdo marrëveshje për të nxjerrë përfitime nga situata që mund të krijohet.

Në botën analitike mediale në Serbi vlerësohet se marrëveshja që mund të arrihet në Bruksel me Prishtinën, që konsiderohet nga Moska në kundërshtim me Rezolutën 1244, nuk do të thotë asgjë pa konfirmim të KS të OKB. Rusia atëherë pa kusht do të mbështetet (jo pa kusht do ta mbështesë) në qëndrimin e pushtetit të zgjedhur legjitim në Serbi. Nuk ka dyshim, se kjo assesi nuk është deklaratë diplomatike, Rusia në këtë rast pa kusht do të mbështetet edhe në qëndrimin e popullit serb.  Më tej, në gjykimin e tyre Serbia duhet qartë të shprehë qëndrimin e saj në lidhje me marrëveshjen obliguese me Kosovën dhe ta vendos në letër, që praktikisht nënkupton që Rusia nuk do të merë përgjegjësi për Kosovën, që e konsiderojnë “pjesë të Serbisë”, në bazë të bisedimeve të fshehta ruso-serbe.

Edhe nëse Serbia qëndrimin e saj e vendos në letër, Rusia nuk do ta mbështesë automatikisht por edhe pas kësaj do të pasojë zhvillimi adekuat i situatës.

Por Zaharova nuk tregoi se çfarë mund të jetë për Rusinë, zhvillim adekuat i situatës, por presidenti Putin e tha: Situata duhet politikisht të rregullohet në përputhje me Rezolutën 1244. Më tej: Moska do ta mbështesë cilën do zgjidhje të pranueshme, që nënkupton, zgjidhjen e pranueshme reciprokisht në përputhje me Rezolutën 1244.

Rusia pra dy herë në një periudhë të shkurtër ka deklaruar qëndrimin ndaj të gjitha dialogjeve që po zhvillon Serbia. Rusia si anëtare e KS të OKB po involvohet në punët e brendshme të Serbisë duke shfrytëzuar Rezolutën 1244 për të bërë presion. Pra deklarata e Putinit se “do të vazhdojmë ta mbështesim Serbinë dhe tërësinë e saj territoriale, përveç një mesazhi adresuar vendeve perëndimore njëkohësisht i adresohet edhe Serbisë”, sepse -do të vazhdojmë- do të thotë se çdo marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës njëkohësisht e konsiderojnë dështim të diplomacisë së tyre.

Edhe nëse arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, nuk dihet nëse Moska do të pajtohet në KS të OKB-së. Për çudi Moska kërkon zgjidhje përmes Rezolutës 1244, ndonëse çështja e dialogut ka kaluar nga OKB në BE. Nga ana tjetër Lavrov për marrëveshjet e arritura në Bruksel ka kërkuar zbatimin e tyre sa i përket krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pra në njërën anë e konteston autoritetin e Brukselit si ndërmjetës ndërsa në anën tjetër i pranon marrëveshjet duke kërkuar zbatim!

E gjetur në rrethana të tilla, altoparlanti i MPJ ruse, Maria Zaharova me një gjuhë të ashpër dhe aspak diplomatike thotë se “rrëmbimi” i Kosovës është i paligjshëm dhe poshtërues. “Andaj duhet menduar në interesat e juaja nacionale dhe me durim të shndërrohen në realitet”, ka thënë Zaharova.

Mu për këtë Lavrov dëshiron që procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës plotësisht ta kthejë në OKB që nga fillimi. Pikërisht Moska duke shfrytëzuar kërkesën e Prishtinës zyrtare për një angazhim të drejtpërdrejtë të ShBA-së në dialog, ka bërë të ditur se nëse një gjë e tillë ndodhë atëherë do ti përgjigjet pozitivisht kërkesës serbe.  Ai pas takimit me presidentin serb Vucic kishte thënë se do të dëgjojnë mendimin e Serbisë dhe nëse në dialog ftohen ShBA dhe nëse Serbia fton Rusinë, nuk do të qëndrojnë anash. “Për ne është me rëndësi  të mbajmë, jo konflikt të ngrirë, por një lloj status quo ku nuk do të heqim dorë nga sovraniteti ynë dhe interesat tona. E dimë që nuk mund ti vendosim institucionet e Serbisë në territorin e Kosovës por kjo nuk do të thotë se  duhet hequr dorë nga kjo”, ka thënë ai. Nisur nga këto lëvizje, politik bërja e Kosovës duhet të peshojë mirë çdo formulim të qëndrimit në proces dhe të mos lë çështje të hapura me fqinjët.(I.K)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re