Në prag të “Derby d’Italia”, statistikat ofrojnë një kuriozitet që e bën edhe më të veçantë sfidën e së shtunës mes Juventusit dhe Interit. Igor Tudor, i cili deri tani ka regjistruar një ecuri të shkëlqyer në pankinën bardhezi, ka pësuar vetëm një humbje në Serie A si trajner i Juventusit. Dhe ajo disfate mban firmën e Kristian Kivu-t, që tani drejton Interin. Dy trajnerët janë përballur vetëm një herë, më 23 prill të sezonit të kaluar.
Atëherë Kivu ishte në drejtimin e Parmës, ndërsa Tudor kishte marrë drejtimin pas shkarkimit të Tiago Motas. Në stadiumin “Tardini”, rumuni triumfoi falë golit të Pellegrinos, duke i dhënë një goditje të rëndë kundërshtarit dhe një frymëmarrje vendimtare skuadrës së tij në luftën për mbijetesë. Bilanci i Tudor-it me Juventusin në Serie A është mbresëlënës: 7 fitore, 5 barazime dhe vetëm ajo humbje e vetme. Një statistikë që e bën edhe më të rëndësishëm rikthimin e tij përballë Kivu-t, këtë herë në një sfidë që shkon përtej tre pikëve.
“Derby d’Italia” është gjithmonë një duel i mbushur me tension dhe histori, por fakti që rumuni është trajneri i vetëm që ka mposhtur kroatin e bën takimin të mbështillet nga një atmosferë akoma më intriguese. Në atë përballje të prillit, Kivu u tregua i zgjuar në zgjedhjet taktike. Ai përdori një skemë 3-5-2 të ngjashme me atë që pritet të shohim edhe tani, duke vendosur Pelegrino dhe Boni në qendër të sulmit dhe duke goditur vazhdimisht krahun e djathtë të Juventusit. Mek Kenie, i përdorur si mbrojtës anësor, hasi vështirësi të mëdha përballë Valerit, i cili me depërtimet e tij solli rrezik të vazhdueshëm.
Pikërisht aty Parma gjeti hapësirat vendimtare për të ndërtuar suksesin. Nga ana tjetër, Tudor kishte krijuar një identitet të fortë te skuadra e tij, por nuk arriti të reagojë ndaj manovrës agresive të Kivu-t. Tani, për kroatin, ndeshja ndaj Interit ka shije hakmarrjeje sportive. Ai e di mirë se sfida ndaj zikaltërve është testi më i madh për një Juventus që ka bërë një nisje të përsosur sezoni, por që ende duhet të provojë forcën e tij kundër një rivali historik.
Kivu, i cili pas eksperiencës së suksesit me Parmën po udhëheq tani një Inter në fazë rindërtimi, e sheh këtë ndeshje si një provë pjekurie. Humbja ndaj Udineses para pushimit tregoi disa dobësi, por rikthimi i Lautaro Martínez dhe dyshes “Thu-La” i jep skuadrës një armë të fuqishme për të sfiduar Juventusin. Në këtë kontekst, “Derby d’Italia” nuk është vetëm përballja e zakonshme mes dy gjigantëve të futbollit italian, por edhe një duel personal mes Tudor dhe Kivu. Kroati do të kërkojë të mbajë të paprekur rekordin e tij pothuajse perfekt, ndërsa rumuni do të synojë ta konfirmojë veten si “makthi” i vetëm i Tudor-it në Serie A.



