Përse duhet të qëndrojë i mbyllur Porti i Vlorës? Përse duhet të punojë vetëm Porti i Durrësit? Për interesat e kujt ndodh ky diskriminim? Këto janë disa nga pyetjet që shtron Partia Demokratike dega Vlorë, e cila shpreh mbështetjen e saj për protestën dhe kërkesat e kamionistëve vlonjatë. Në një deklaratë për media, PD Vlorë shprehet se është absurd, i qëllimshëm dhe dashakeq justifikimi i Qeverisë se Porti i Vlorës nuk ka kushte dhe siguri për t’u mbrojtur nga virusi!

DEKLARATA E PLOTË

Partia Demokratike Vlorë mbështet protestën dhe kërkesat e drejta të Kamionistëve Vlonjatë. Hapja e Portit të Vlorës dhe funksionimi normal i Trageteve është jetike për Vlorën.

Është absurd, i qëllimshëm dhe dashakeq justifikimi i Qeverisë se Porti i Vlorës nuk ka kushte dhe siguri për t’u mbrojtur nga virusi!

Gjithçka ndodh kur Vlora është shpallur nga vetë qeveria “zonë e gjelbër”. Prej më shumë se 40 ditë nuk raportohet asnjë i infektuar. Ndërsa në Durrës vazhdojnë ende rastet me infektim nga virusi!

Përse duhet të qëndrojë i mbyllur Porti i Vlorës?

Përse duhet të punojë vetëm Porti i Durrësit?

Për interesat e kujt ndodh ky diskriminim?

A po vuan Vlora interesat e monopoleve të miqve të Ramës?

Përse nuk reagon asnjë nga institucionet e Vlorës?

Vlora nuk mund të kuptohet pa portin, pa detin. Ekonomia e Vlorës nuk mund të kuptohet pa rrugët e tregtisë!

Partia Demokratike Vlorë denoncon politikën kriminale që po ndiqet me Vlorën. Investimet që trumbetohen me të madhe nuk mund të fshehin faktin që Vlonjatet janë pa punë, janë të anashkaluar, janë të përjashtuar nga mundësitë ekonomike, janë pa shpresë!

Partia Demokratike Vlorë do të jetë në mbështetje të çdo Reagimi e Proteste Qytetare, jo për të bërë politikë, por për t’i shërbyer Vlorës dhe Vlonjatëve!

Partia Demokratike Vlorë nuk do të reshtë të jetë zëri i çdo të shtypuri e të nëpërkëmburi nga Sekti që mban peng Vendin, Shoqërinë dhe vetë PS-në!

Vlora nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë Çifligu i jeniçerëve të Rilindjes Puniste. Nuk ishit dhe nuk do të jeni të përjetshëm!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re