Popullsia në shumë vende në Europën Lindore dhe Jugore tani është në rënie, për shkak të kombinimit të emigrimit dhe shkallës më të lartë të vdekjeve sesa lindshmërisë.

Për vendet e BE-së, që po e vuajnë këtë problem më herët se rajoni ynë, emigracioni është konsideruar si mënyra më e lehtë dhe më e dukshme për rritjen e popullsisë së saj.

Megjithatë, pak politikanë, veçanërisht në vendet ish-komuniste, do të pranonin këtë instrument në përmirësimin e treguesve demografikë.

Franca është modeli më i mirë në Europë për politikat pro fertilitetit. Të dhënat zyrtare nga burimet vendase tregojnë se Franca aplikoi lejen me pagesë për gratë që në vitin 2013. Në vitin 1939,  Franca miratoi Kodin e ri të Familjes. Aktualisht rregulloret franceze të pro natalizmit janë ndër më të suksesshmet në Europë.

Ato përfshijnë, ndër të tjera, përfitime financiare për fëmijët, mbështetje financiare për familjet, një shtesë për prindin e vetëm, një shtesë për birësim dhe disa lehtësi strehimi për familjet me tre ose më shumë fëmijë.

Çiftet gjithashtu marrin leje të konsiderueshme gjatë lehonisë, kjo përfshin edhe burrat. Punonjëset femra kanë të drejtë 16 javë leje të paguar dhe të mbrojtur nga puna për fëmijën e parë dhe të dytë; zgjatja e pushimit shtohet për fëmijën e tretë.

Pas skadimit të pushimit të lehonisë, prindërit mund të marrin pushim shtesë derisa fëmija të mbushë moshën tre vjeç dhe ata gjithashtu kanë të drejtë të riintegrohen në vendin e punës.

Franca ka një rrjet të gjerë objektesh publike për kujdesin ndaj fëmijëve (një nga më të mëdhenjtë në Europë), duke ofruar kujdes të plotë ditor sapo fëmija mbush moshën dy ose tre vjeç. Ndërmjet viteve 1995 dhe 1998, Franca shpenzoi 2.3% të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto për familjet me fëmijë.

Masat bujare franceze pro nataliste nuk e kanë rikthyer lindshmërinë në nivelin e zëvendësimit, megjithatë Franca kryeson Europën dhe po ecën më mirë se shumica e vendeve europiane.  Demografët europianë kanë analizuar se disa politika mund të kenë ndikim të rëndësishëm.

Leja familjare me pagesë, veçanërisht kur të dy prindërit inkurajohen ta ndajnë atë, ka mbajtur në njëfarë mase nivelet e fertilitetit në vendet skandinave, së bashku me një mekanizëm të shkëlqyer, të testuar nga mjetet e kujdesit ndaj fëmijëve.

Vendet nordike kanë arritur një zhvillim ideal të kujdesit për fëmijët në vitet e para të jetës dhe pasurimin social dhe akademik për parashkollorët.

Disa qeveri konservatore në Europë kanë marrë masa për përmirësimin e lindjeve. Hungaria është e fundit që ka miratuar masa radikale në përpjekje për të trajtuar problemin.

Kryeministri Viktor Orban i ka shpallur klinikat e fertilitetit si një sektor strategjik. Familjeve të reja tashmë u ofrohet një kredi që nuk kanë nevojë ta kthejnë, nëse kanë një fëmijë të tretë. Gratë me katër fëmijë do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat për gjithë jetën.

Qeveria konservatore e Polonisë prezantoi pagesa për të inkurajuar familjet më të mëdha. Programi i tij “Family 500+” shpërndan 500 zloty (118 €) në muaj për familjet me të ardhura të ulëta për fëmijën e tyre të parë dhe për çdo familje për fëmijët pasardhës.

Në fakt, masat më të suksesshme synojnë t’ua bëjnë jetën më të lehtë nënave që punojnë: zakonisht kur detyrohen të zgjedhin midis rritjes së fëmijëve ose karrierës, gratë kanë zgjedhur të punojnë.

Normat më të larta të lindshmërisë në Europë janë në Francën laike, falë shpenzimeve të saj bujare ndaj mirëqenies dhe kujdesit të lirë të fëmijëve.

Qeveritë e njëpasnjëshme kanë ofruar çerdhe në vend të klinikave të fertilitetit.

Pas Francës, Suedia vjen e dyta, falë edhe politikave pro familjes, si dhe nxitjes për burrat që të kujdesen më shumë për fëmijët. Politika kanë treguar se është e mundur të ndryshohet tendenca e normave të ulëta të lindshmërisë. Gjermania, ku masat për promovimin e lindshmërisë dikur ishin tabu, ka arritur të rrisë normën e lindjeve në dekadën e fundit.

Pjesërisht kjo pasqyron fluksin e fundit të refugjatëve, sidomos sirianët priren për të pasur familje të mëdha. Gjermania bëri përpjekje për të lehtësuar jetën për gratë që punojnë.

Gjatë mandatit të saj si ministre e Familjes së Gjermanisë, Ursula Von Der Leyen prezantoi politika të suksesshme për kujdesin ndaj fëmijëve dhe lejen prindërore. Reformat ndihmuan në rritjen e shkallës së lindshmërisë nga 1.33 fëmijë për grua në 2007 në 1.57 në 2017, sipas të dhënave të Eurostat.

Ndërkohë, normat globale të lindjeve vazhdojnë të bien më shpejt se sa pritej. Mesatarisht, njerëzit në mbarë botën duan rreth dy fëmijë.

Në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria situata është kontroverse. Në këto familje lindin më pak fëmijë, sesa do të dëshironin. Kjo ndodh në vendet ku shumica e familjeve gëzojnë një standard relativisht të lartë jetese.

Deri më tani, disa qeveri në Europë kanë shpallur në një “emergjencë kombëtare” nivelet e ulëta të lindjeve, ndërsa të tjera kanë mbyllur sytë. Sido që të jetë, politikëbërësit janë në një situatë të ndërlikuar: politikat e fertilitetit që funksiononin në shekullin XX mund të mos jenë më efektive.

Fatmirësisht ekziston një grup studimesh demografike dhe politikash familjare që tregojnë se cilat taktika ia vlen të ndiqen dhe cilat jo.

Studimet e fundit tregojnë se aspiratat për të pasur fëmijë nxiten nga besimi social dhe qëndrueshmëria individuale dhe dobësohen nga polarizimi politik dhe vuajtjet e tjera moderne, duke përfshirë edhe ndikimin e mediave sociale. /Monitor/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re