Ish-kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë në bashkinë e Tiranës, Kreshnik Çollaku ka reaguar pas publikimit të videos ku ai merrte pjesë në ceremoni e vendosjes së memorialit nga ambasada turke në një zonë të Parkut të Liqenit.

Në një reagim për median ai thotë se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Ambasadës turke, si përfaqësues i PD.

“Në ceremoni kam marrë pjesë si përfaqësues i PD në përgjigje të një ftese zyrtare nga ambasada turke në Tiranë.

Dita e 15 korrikut për Turqinë është shpallur dite zyrtare, dhe kjo e kategorizon si detyrim zyrtar respektimin e asaj date në marrëdhëniet ndërshtetërore.

PD si të gjitha vendet demokratike në botë nga ShBA, BE etj  e kanë dënuar grushtin e shtetit në Turqi. Po ashtu dhe opozita turke ka dënuar grushtin e shtetit.

Marrja e pushtetit përmes grushtit të shtetit nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme në Turqi por një çështje e parimeve demokratike të cilat mbështeten në konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është pjesë, për këtë Shqipëria dhe bota demokratike e dënuan grushtin e shtetit në Turqi.

Turqia dhe institucionet e saj kanë të drejtë të shpallin ditët kombëtare dhe dëshmoret e tyre, ky nuk është tagër i yni, dhe interpretimi subjektiv është krejt pavend. Në marrëdhëniet ndërshtetërore secila palë respekton palën tjetër në mënyrë reciproke.

Nuk kam dijeni si është zhvilluar procedura për vendosjen e memorialit, për këtë duhet t’i drejtoheni institucioneve të bashkisë ose ambasadës turke. Ne kemi respektuar ftesën zyrtare të ambasadës turke në Tiranë”, tha Çollaku për A2 CNN.

Kjo deklaratë e tij nxjerr bllof Partinë Demokratike, pasi kjo forcë politike edhe pse kishte dërguar vetë përfaqësuesin e saj në ceremoni ,nxitoi të kritikonte vendosjen e memorialit në një zonë të Parkut të Liqenit, duke nxjerrë në një deklaratë zyrtare edhe Gert Bogdanin, i cili e quajti këtë akt si gafë nga ana e Veliajt dhe Ramës. ()

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re