Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dënoi të premten sulmin e Izraelit ndaj Iranit, duke e quajtur atë një “provokim flagrant” që shpërfill ligjin ndërkombëtar dhe kërcënon stabilitetin rajonal dhe global.
Erdogani tha se veprimet e pamatura, të paligjshme dhe agresive të qeverisë së Benjamin Netanyahut rrezikojnë të tërheqin Lindjen e Mesme dhe botën në katastrofë.
Ai përsëriti se ata “nuk duan të shohin më shumë gjakderdhje, shkatërrim ose konflikt” në rajon.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë fund banditizmit të Izraelit, i cili kërcënon stabilitetin global dhe rajonal”, tha Erdogan në një postim në platformën X.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u takua me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Metin Gürak dhe Drejtorin e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MİT) İbrahim Kalın për të vlerësuar sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit.
Kryetari i MHP-së, Devlet Bahceli, paralajmëroi sot se paqëndrueshmëria rajonale dhe globale kishte arritur nivele të rrezikshme dhe theksoi se politikat agresive të Izraelit kërcënojnë vlerat njerëzore.
Devlet Bahceli paralajmëroi se Turqia është objektivi përfundimtar në një sulm ndaj Iranit.
“Sigurisht, Turqia është në zemër të ngjarjeve. Administrata terroriste izraelite kërkon të shfrytëzojë çdo mundësi për të ngushtuar horizontin e vendit tonë, për të minuar qëllimet e Turqisë dhe për të dënuar rajonin tonë në errësirë. Objektivi përfundimtar, i fshehur në spiralen e krizës dhe kaosit që po zgjerohet dhe forcohet duke u integruar me njëra-tjetrën, është Turqia”, tha Devlet Bahceli. /tesheshi.com/