Në postimin e tij të fundit dy javë më parë, aktori James Van Der Beek ndau një mesazh prekës për dy nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën e tij: vajzën e tij 12-vjeçare dhe babain e tij.

Me rastin e ditëlindjeve të tyre, të cilat përkojnë në kalendar, ylli i “Dawson’s Creek”, i cili ndërroi jetë dje në moshën 48 vjeç, e shoqëroi postimin e tij në Instagram me dy foto të ëmbla.

Në të parën, ai shihet duke përqafuar vajzën e tij, ndërsa në të dytën, sipas Hollywood Reporter, e vogla Annabel pozon me gjyshin e saj.

  • “Babi dhe vajza ime kanë ditëlindjen sot. Në fillim, mendova se kjo ishte e gjitha që kishin të përbashkët: dukeshin kaq të ndryshëm”, shkroi aktori në mbishkrim.

“Por tani që je rritur dhe e ke lënë karakterin tënd të shkëlqejë, po njoh të njëjtën zemër të hapur, të ngrohtë, të dashur dhe të sjellshme. Shoh kujdesin dhe përkushtimin që tregon ndaj atyre që i do më shumë”, shkruan ai.

Më pas shton:

  • “Në këtë botë të çmendur, është një mrekulli për mua që keni arritur të qëndroni kaq të hapur, kaq të dashur dhe kaq të vërtet . Jeni të mrekullueshëm… dhe jam jashtëzakonisht mirënjohës që ju kam në jetën time. Bota është një vend më i mirë falë ju të dyve. Gëzuar ditëlindjen. Ju dua me gjithë zemër.”

Homazh nga Sarah Michelle Gellar dhe Katie Hall

Lajmi për vdekjen e James Van Der Beek shkaktoi një shpërthim emocionesh: fansat dhe kolegët në botën e argëtimit përmbytën mediat sociale me mesazhe dashurie dhe respekti në kujtim të tij.

  • “Zemra ime dhemb për familjen tuaj të bukur. Ndërsa trashëgimia e James do të jetojë përgjithmonë, humbja e tij është e pamatshme, jo vetëm për popullin e tij, por për të gjithë botën”, shkroi Sarah Michelle Gellar në një postim në Instagram.

Katie Holmes i bëri homazh bashkë-yllit të saj në “Dawson’s Creek”, duke kujtuar momentet që ndanë. Në një shënim të shkruar me dorë të postuar në Instagram, Holmes shkroi, ndër të tjera:

  • “James, faleminderit. Ndarja e hapësirës me imagjinatën tënde ishte e shenjtë: të thithnim të njëjtin ajër në tokën e krijimit dhe të besonim se zemrat tona ishin të sigurta në shprehjen e tyre. Këto janë disa nga kujtimet, që kemi kaluar së bashku me të qeshurat, bisedat për jetën, këngët e James Taylor: aventurat e një të riu unik.”

Aktorja më pas e përshkroi mikun e saj të dashur si një njeri me “guxim, dhembshuri, vetëmohim dhe forcë”.

  • “Ka qenë një udhëtim heroi. E vajtoj këtë humbje me gjithë zemër, duke përjetuar realitetin e mungesës së tij, por edhe me mirënjohje të thellë për ndikimin që la”, shtoi ajo./ CNN
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re