Zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tha të premten se institucionet e vendit kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja për të parandaluar sulmet nga Serbia, por jo marrjen e përgjegjësisë për sigurinë në veri të vendit.

Deklarata pasoi komentet e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili një ditë më parë duke shprehur shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të situatës deri në një konflikt të armatosur, tha se “për të parandaluar në çdo mënyrë dhe me çdo mjet këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se asnjëherë më parë se deri dje, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”.

Një pjesëtar i policisë së Kosovës u vra të dielën më 24 shtator në një sulm të armatosur nga një grup serbësh në fshatin Banjskë në veri të vendit. Përleshjet që pasuan lanë pas vetes edhe tre sulmues të vrarë.

Të premten në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama tha se “atyre në Prishtinë që në vend se të përqendrohen tek sfida e jashtëzakonshme që kanë, gjejnë kohë edhe për të fryrë me fejsbuk, përmes profilesh politike apo profilesh fallco, tullumbacin e konspiracionit të “vëllaut të Vuqiqit”, duke ngatërruar për arsyet e mosarsyes së tyre kërkesën time të shpjeguar publikisht dje për KFOR-in, me paralajmërimin tim të para disa muajve për “Republikën e KFOR-it”, u kujtoj sot se: KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundrazi një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi”!

Bekim Kupina, zëdhënës i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ajo në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni themelor për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të saj.

“Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia. Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të presidentes Osmani.

Prishtina, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë e cilësuan sulmin e së dielës si veprim terrorist. Autoritetet në Kosovës thanë se prapa sulmit të cilin të premten e mori përsipër nënkryetari i deritashëm i Listës Serbe Milan Radoiçiç është Beogradi.

Serbia mohoi lidhjet me grupin ndërsa akuzoi Prishtinën për krijimin e një mjedisi të rëndë për serbët në veri.

Të martën, pas një takimi me ambasadorët e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Italisë e Gjermanisë, president serb Aleksandar Vuçiç shkroi në rrjetet sociale se ka kërkuar nga diplomatët që “KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të policisë së (Albin) Kurtit”.

Por të hënën, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke e dënuar sulmin e grupeve të armatosura serbe ndaj njësive të policisë së Kosovës, tha se “policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për të siguruar zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës”.

Të premten NATO-ja tha se ka se ka miratuar forca shtesë për Kosovën pas sulmit të 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës, por nuk dha më shumë hollësi për numrin e forcave./VOA

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re