Në prag të pjesëmarrjes në Botërorin për Klube, Interi ka prezantuar zyrtarisht trajnerin e ri të skuadrës, Kristian Kivu.Ceremonia e prezantimit u mbajt në Los Anxhelos dhe shënon fillimin e një epoke të re për klubin zikaltër, pas largimit të Simone Inzagit. Presidenti i klubit, Bepe Marota, ishte ai që prezantoi trajnerin e ri para mediave, duke sqaruar edhe prapaskenat e ndryshimit në pankinë.
“Kam kënaqësinë të prezantoj Kristian Kivu si trajnerin tonë të ri. Siç e dini, futbolli është një botë ku gjithçka ndryshon me ritme të shpejta. Ishim të lidhur ngushtë me Simone Inzagin, një trajner që na dha shumë dhe me të cilin ndamë katër vite të paharrueshme. Por erdhi momenti për një përfundim të natyrshëm, me një ndarje konsensuale”, deklaroi Marota.
Ai theksoi se klubi reagoi menjëherë për të gjetur një zëvendësues të denjë dhe se zgjedhja e Kivusë nuk ishte aspak një zgjidhje e detyruar apo e improvizuar.
“Vendimi për të sjellë Kivunë erdhi me shpejtësi dhe u dakordësua edhe me pronarët e klubit. Disa e komentuan si shenjë konfuzioni brenda klubit, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Kishte vetëm disa pengesa burokratike, pasi Kivu ishte i lidhur kontraktualisht me Parmën, të cilën e falënderoj për mirëkuptimin”.
Për Marotën, emërimi i Kivusë përfaqëson një moment krenarie për Interin. “Kemi një trajner ‘made in Inter’, që ka ardhur nga akademia jonë dhe që promovon një futboll argëtues, në përputhje të plotë me ambiciet e klubit”, tha ndër të tjera Marota.