Nga Hoxhë Alban Gorishti

Funksioni më i rëndësishëm i qytetërimit tradicional Islam është krijimi i një bote të mbizotëruar nga e shenjta, ku njeriu të shpëtojë nga e keqja e moralit të vet dhe traditave negative që ҫojnë në humbjen e hyjnores në karakterin e tij njerëzor. Feja është ajo që e rilidh njeriun me Zotin e njëkohësisht me anëtarët e tjerë të një bashkësie pasi nëse njeriu dhe bashkësia ku ai jeton e fusin të shenjtën Islame në jetën e tyre të përditshme në mënyrë që i gjithë ambjenti rrethues i tyre të përmirsohet ndërsa brendësia e njeriut të ndjejë se vetëm nëpërmjet mbikqyrjes hyjnore jeta mundet të bëhet e sigurtë dhe e begatë. Për këtë shikojmë se besimtari i ndërgjegjshëm që në fillimin e ditës së tij dhe deri në momentin kur shkon të flejë e ka ndërmend Zotin dhe përpiqet ta përfshijë fenë të cilën ai zgjodhi për njeriun në ҫdo
sferë të jetës së tij. Kjo pasi vërtet Islami është fe universale e cila nëse zbatohet siҫ duhet e lidh njeriun me njerëzit por
vetëm pasi i ka ndërgjegjësuar se nuk duhet ti kapërcejnë kufijtë e Zotit të njerëzve. Muslimani i ndërgjegjshëm kujdeset kështu për ambjentin që e rrethon madje edhe për shpendët dhe nuk i frikëson ata. Thotë ibn Mes’udi: “Ishim në udhëtim me të Dërguarin e Allahut dhe ai i largua prej nesh për nevojë të vetën dhe ne pamë një shpend që me vete kishte dy të vegjëlit e saj. Ne i morëm dy të vegjlit e saj, dhe shpendi filloi të grithte tokën me këmbë ndërsa erdhi i Dërguari i Allahut dhe tha: Kush i morri të vegjlit e saj? Kthejani prap asaj”. Po ashtu kjo ndjesi përgjegjësie dhe mbizotrimi të së shenjtës në jetën e besimtarit e shtyn që edhe në momentin kur shkon të flejë ta përmendi Zotin, kështu thuhet se Muhamedi alejhi selam kur shtrihej për të fjetur thoshte: Allahume leke eslemtu ve bike amentu ve alejke tevekeltu ve ilejke enebtu ve bike khasamtu, Allahume ini eudhu biizetike la ilahe ila ente en tudileni, ente el haju el-ledhi la jemut vel xhinu vel insu jemutune – O Allahu im ty të jam dorzuar ty të kam besuar tek ty jam mbështetur tek jam kthyer, O Allahu im me Madhështinë tënde të lutem ty të mos humbas, Ti je i gjalli që nuk vdes kurrë ndërsa xhinët dhe njerëzit vdesin” Buhari, Muslim. E kështu e gjithë ekzistenca e tij rrethohet nga këshilla dhe orientime për një jetë sa më të këndshme dhe të drejtë. Por vështirësia më e madhe me të cilën përballemi kur edukojmë rininë tonë, është moskuptimi i seriozitetit të çështjes nga ana e atyre të cilëve u drejtohemi. Kjo do të thotë se hapi i parë i edukimit është t’i bësh ata të kuptojnë. Në këtë sens dua tju përcjell një hadith madhështor në të cilin na tregohet mënyra sesi profeti Muhamed i bënte njerëzit të kuptonin. Nga Abdullah ibën Amri tregon se ishim te Pejgamberi, alejhis-selam, dhe aty erdhi një beduin me xhube të gjatë, e qëndisur me mëndafsh dhe tha: Me të vërtetë ky shoku juaj don të përulë çdo kalorës bir kalorësi dhe të lartësojë bariun birin e bariut. Pastaj Pejgamberi, alejhis selam, e kapi për xhuben e tij dhe tha: Nuk të shoh të veshur me një petk të atyre që nuk kuptojnë. (përshkak të mëndafshit i cili është petk i veçantë për joarabët). Pastaj ai shtoi :Kur Nuhit, alejhis-selam, i erdhi vdekja i tha të birit të tij: Po të porosis me disa porosi: Të urdhëroj në dy gjëra dhe të ndaloj nga dy. Të urdhëroj në thënien La ilahe ilallah, se shtatë qiejt dhe shtatë tokat nëse vëndohen në një anë të peshores dhe nga ana tjetër vëndohet fjala La ilahe ilallah do të peshonte dhe do të anonte kjo fjalë. Sikur shtatë qiejt dhe shtatë tokat të ishin një hallkë e mbyllur fortë do ta thyente atë fjala La ilahe ilallah, kurse fjala Subhanallahi ve bi hamdihi (I madhëruar qoftë Allahu dhe Atij i takon falenderimi) është duaja e çdo krijese dhe me të furnizohen ata. Dhe të ndaloj nga shirku (Politeizmi) dhe kibri (mendjemadhësia) tha: Dikush pyeti: O i Dërguari i Allahut, për shirkun veç e kemi kuptuar dhe e dimë. Po na trego për kibrin? A mos është me pasur veshje të bukura? Tha: Jo. A mos është të keshë shokë që rinë me ta bashkë? Tha: Jo. Atëherë u pyet Pejgamberi, alejhis-selam: O i Dërguari i Allahut, e atëherë çka është kibri? Tha: Nënvlerësimi i të vërtetës dhe përçmimi i njerëzve. Transmeton
Buhariu në Edebul Mufred 548, Ahmedi 2/169-170, dhe 225, dhe Bejhakiu në El Esma 79.

Nëse e meditojmë këtë hadith do të shikojmë sesi pejgamberi e edukoi këtë person edhe pse tek ai mbizotëronin qartazi shenjat e mendjemadhësisë dhe mungesës së një perceptimi thelbësor të gjërave, ai mendonte se një shoqëri edukohet nëpërmjet njerëzve me pozitë dhe arrogantë por shoqëria e vërtetë ajo e cila i shikon të drejtat e të pasurit dhe të varfrit njësoj para Allahut është shoqëria e cila e depërton kohën dhe hapsirën duke përcjellë vlerat e veta edhe pas 1000 vitesh , ndaj edhe pejgamberi nga veshja i tha se nuk shikonte tek ai veshjen e dikujt që nuk kuptonte por është mahnitëse lidhja që ai bëri nëpërmjet edukimit hyjnor që përcollën burrat më të mirë të kësaj bote, profetët. Pasi identitet i vërtet është ai që bashkon midis edukimit të shpirtit dhe trupit, për këtë Umeri i thoshte njerëzve. Zoti iu lartësoi me këtë Kuran dhe nëse e kërkoni krenarinë diku tjetër nuk keni për të pasur sukses. Një besimtar, e ndjen si një amanet të shenjtë në supet e tij, përgjegjësinë e përçimit të vlerave shpirtërore që ka trashëguar prej të parëve tek brezi pasardhës, pra, tek bijtë e vet. Horizonti i tij i shqetësimit për të nesërmen nuk është i kufizuar me këtë botë. Të rinjve, nuk u duhen treguar kënaqësitë e përkohshme, por rruga e një lumturie të përjetshme, e cila nuk vyshket, nuk vjetrohet dhe nuk prishet. Dhe kushti i parë i kësaj, është t’i ndihmosh ata të familjarizohen fizikisht dhe mendërisht me Kuranin Fisnik dhe me edukimin që ai përcjell. Kjo pasi siç e pamë në pjesën e parë të hutbes shenjtëria e edukimit përcjell në vetvete shenjtërinë e monoteizmit Islam. Në këtë orienton edhe hadithi kur pejgamberi e morri pas vetes ibn Abasin i cili në atë kohë ishte 9 vjeç dhe e edukoi me disa këshilla që përcillen edhe sot e kësaj dite. Ai I tha : “O djalosh! Unë po të mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun që të të ruajë Ai ty (Ji korrekt me çfarë kërkon prej teje)! Ruaje Allahun që t’a gjesh Atë pranë teje! Kur të lutesh lutju vetëm Allahut, e kur të kërkosh ndihmë kërkoi vetëm Atij. Dije se sikur gjithë njerëzit të bashkohen me qëllim që të të bëjnë dobi, nuk do të të bëjnë veçse aq sa Allahu ka caktuar për ty! Madje edhe nëse të gjithë ata bashkohen për të të dëmtuar, nuk do të munden veçse aq sa Allahu ka caktuar kundër teje. Penat janë ngritur dhe fletët janë tharë (gjithçka është paracaktuar).”

Për ta përmbyllur dua tju përçoj një histori e cila përmbledh lidhjen edukative të njeriut me Zotin e vet dhe me hapsirën që e rrethon. Tregohet se një mbret e kishte zakon të dilte shpesh nëpër qytete të cilat ishin pjesë e mbretërisë së tij i veshur si një njeri i rëndomtë në mënyrë që të kontrollonte gjendjen në të cilën ndodhej populli I tij. Kështu njëherë hasi në disa hajdutë të cilët po reklamonin marifetet e veta në mënyrë që të zgjidhnin më të mirin prej tyre dhe ta vendosnin si prijës pra atë që kishte aftësinë më të mira për të bërë atë punë. Dikush prej tyre tha: marifeti im janë sytë. Nëse përballem me dikë në errësirën pus të natës, pa dyshim që e njoh atë gjatë ditës. Një tjetër tha duke u mburur: Me forcën e krahut tim mund të hap gropa ku të dua. Ndërsa një tjetër shtoi: Ndërsa sekreti im fshihet pas krahëve të mia. Me to mund ta hedh një lak deri në majën e një mali. E kështu me radhë deri tek i fundit. Më në fund radha i erdhi sulltanit, që i kishte dëgjuar marifetet e të gjithë hajdutëve. Sekreti im është koka ime. Të gjithë fajtorët vetëm prej saj shpëtojnë, – u përgjigj ai. Kjo ishte një përgjigje që ia shtoi akoma edhe më tepër kureshtjen hajdutëve. Nëse fajtorët i shpien tek xhelati, shpëtimi i tyre qëndron vetëm në një të luajtur të kokës time. Mjafton që unë ta lëviz pak dhe xhelatët heqin dorë, duke mos i vrarë… Hajdutët, me të dëgjuar fjalët e sulltanit, të gjithë në një gojë iu drejtuan duke i thënë: – Ti je prijësi ynë, se vetëm prej teje ne do të mund të shpëtojmë në ditë të vështira, – dhe të gjithë së bashku u nisën për rrugë. Të gjithë së bashku u nisën për të vjedhur thesaret në drejtim të pallatit mbretëror. Kështu që të gjithë përdorën marifetet e tyre për të mbritur deri tek dhoma e thesarit ndërsa sulltani pa u vërejtur u largua prej tyre dhe lajmëroi rojet të cilët shkuan për t’i kapur. Më në fund, të gjithë hajdutët e zbuluar prej ushtrisë së sulltanit, gjendeshin të lidhur përpara tij. Hajdutët duarlidhur, sakaq po dridheshin përpara mbretit hijerëndë. Por, me të dalë përballë mbretit, ç’të shihnin: a nuk ishte ky miku i tyre i natës, me të cilin tok ata kishin bërë plane për të vjedhur nga thesaret e sulltanit? O sulltan i fshehur, tashmë erdhi koha që të tregohesh bujar dhe të na bësh një të mirë duke luajtur kokën tënde. Të lutemi, na shpëto nga kjo gjendje ku ndodhemi! – zunë t’i përgjëroheshin ata njëzëri. Sulltani, pasi e kuptoi që hajdutët kishin marrë një mësim të mirë, e nuk do të guxonin ta përsërisnin më, i bëri shenjë me kokë xhelatëve të tij që t’i linin të lirë.

Por shembulli është vetëm për të kuptuar pasi shembujt me Allahun janë më të lartë dhe të përsosur. Kështu është shoqërimi me edukatën hyjnore dhe me ndjesinë se ke një Zot atje lart që të dëgjon të gjitha mungesat materiale apo shpirtërore nëse e merr atë shoqërues në jetën tënde. Kështu vetëm nëpërmjet këtij kujdesi edukativ përçohet e mira dhe përmirësohet edukimi i shoqërisë, edukim që siç thamë është pjesa më e rëndësishme e prezencës të së shenjtës në shoqëritë tona.
Ndërsa një shoqëri pa prezencën e të shenjtës ka për të qenë një shoqëri që mëndjemadhësia dhe arroganca ka për të zënë vendin e edukimit të drejtë. Këtë e kuptoi edhe Ibrahimi kur i tha mjeteve çedukuese të kohës së vet kur i tregoi se: Zoti që më krijoi, Ai më udhëzon mua. Dhe Ai që më ushqen dhe më jep të pijë. Dhe kur të sëmurem Ai më shëron, Ai më bën të vdesë e mandej më ngjall, Ai tek i cili kam shpresë se do t’i m’i falë mëkatet e mia në ditën e gjykimit. Zoti im, më dhuro mua urtësi dhe më bashko me të mirët! Më bën përkujtim të mirë ndër ata që vijnë pas, Më bën prej trashëguesve të xhennetit të begatshëm, Dhe fale babain tim, se ai vërtet ishte nga ata të humburit.’’ Shuara

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re