Nga Borana Demiri

Fitues i medaljes së artë në përfundim të arsimit të mesëm dhe student i inteligjencës artificiale në universitetin “La Sapienza”, renditur ndër më të mirët në botë.

Një kombinim që për Egnald Çelën, shpërfaqet sfidues dhe njëkohësisht, tepër premtues për të ardhmen.

“Unë studioj inteligjencën artificiale në La Sapienza, në Romë…një universitet që ka shekuj histori dhe është universiteti më i madh i Europës. Për inteligjencën artificiale… është një fenomen që ka vite që zhvillohet nëpër botë por për shkak të chat GPT mori famën. Në fakt algoritmet e inteligjencës artificiale kanë shumë vite që janë në zhvillim dhe përdoren, madje shumë më herët se sa mendojmë ne. Perceptimi i të rinjve është i kufizuar tek chat GPT dhe robotët por shumë shpejt ne do ta kuptojmë shtrirjen e saj në të gjitha fushat e jetës”, thotë studenti i inteligjencës artificiale, “La Sapienza”, Egland Çela.

Deri më tani, rikthimi në Shqipëri duket një vendim pa dilema, ndryshe nga ai për të vazhduar studimet jashtë vendit, një prirje në rritje vitet e fundit.

“Unë patjetër dua shumë që të jem një nga personat kontribues në fushën e inteligjencës artificiale në Shqipëri, e cila është një fushë jo e mirëformuar, jo vetëm në vendin tonë, edhe në shumë vende të botës pasi është e re, por po edukohen shumë ekspertë të rinj. Ndryshon shpejt, është e paparashikueshme por ka shumë premisa për të ardhmen.  Ka varietete pafund për të zgjedhur”, shton Çela.

Edhe Suada Xholi, gjithashtu fituese e medaljes së artë, e shikon Shqipërinë si vendin e duhur për të aplikuar eksperiencat e vendeve më të zhvilluara.

“Dega që kam zgjedhur, shkenca kompjuterike, kam besim se do të më hapë shumë dyer në të ardhmen. Në fillim e kam patur shumë të vështirë të vendos nëse do të qëndroj në Shqipëri por vendosa të shkoj jashtë për të marrë një eksperiencë më të plotë. Shkenca kompjuterike është edhe e shpejtë sepse e mbaron për tre vite. Mundësitë e punësimit janë të larta dhe kjo është një ndër arsyet pse e zgjodha. Për këtë degë kërkojnë punonjës thuajse në të gjitha kompanitë”, thotë Xholi, studente e shkencave kompjuterike në Gjermani.

Në dy vitet e  fundit akademikë, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit sipas të dhënave nga INSTAT, paraqesin rritjen më të madhe të numrit të studentëve me të paktën 10% për çdo vit.

Ekspertët e punësimit argumentojnë se të rinjtë po bëhen më të ndërgjegjshëm mbi tregun e punës dhe të ardhurat që mund të përfitojnë në një kohë relativisht të shpejtë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re