Shefi ekzekutiv i Bajer Leverkusenit, Fenando Karro, ka bërë një propozim që mund të revolucionarizojë futbollin në kontinent e jo vetëm, me qëllimin për të ndalur dominimin e dukshëm ekonomik që Premier Liga ka në krahasim me të tjerët aktualisht.
Ai ka kërkuar që të implementohet një tavan ndërkombëtar rrogash, pasi sipas tij, dominimi financiar i Premier Ligës, po kalon edhe Ligën e Kampioneve dhe bëhet kësisoj rrezik për të gjithë sistemin futbollistik në kontinent.
“Premier Liga po mundohet të bëhet produkti numër një në Europë, edhe mbi Ligën e Kampioneve”, theksoi ai në një panel diskutimesh në një event në Frankfurt, ku detajoi idenë që kishte për ndryshimin. “Unë jam zakonisht kundër kufizimeve, por mendoj që duhet të luftojmë për një gjë të tillë”, tha Karro, duke insistuar që nuk duhet të kishte tavan vetëm në disa kampionate, por të rregullohej nga UEFA në sferën ndërkombëtare.
Sipas raporteve të fundit, Premier Liga ka siguruar 7,1 miliard euro të ardhura në sezonin 2023-2024, ndërsa në krahasim, Bundesliga ka siguruar vetëm 3,6 miliard euro. Një diferencë shumë e madhe që u ka dhënë një avantazh të ndjeshëm klubeve angleze të cilat ofrojnë rroga të papërballueshme për pjesën tjetër të kontinentit.



