Opozita dhe Aleanca për Teatrin po zhvillojnë protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës.

Qytetarët janë mbledhur para bashkisë për të protestuar, ndërsa Policia ka vënë perimetër sigurie duke marrë shkasë dhe nga protestat e shkuara ku janë hedhur molotov dhe janë djegur goma makinash.

Në protestë, pjesëmarrëse është dhe vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha. Argita Malltezi shihet e veshur me këmishë të bardhë, ndërsa përshëndet me dy gishtat lart.

Fjalën në protestë e ka mbajtur anëtari i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti, i cili u shpreh se nuk do të dorëzohen.

“Këto dy muaj e gjysmë kemi treguar se ne nuk dorëzohemi, as para gardheve policore, as ndaj presioneve, as ndaj skafandrave, as dyqanet mediatike të blera, nuk dorëzohemi sepse ne jemi me të drejtën, jemi me qytetarët.

Nuk dorëzohemi derisa ata që kanë vjedhur, që kanë tjetërsuar pronën publike dhe private, derisa të dalin para drejtësisë dhe të marrin ndëshkimin  merituar.

Ne nuk dorëzohemi për të 11 herë dhe sa herë të jetë e nevojshme, sepse e dimë që e ardhmja e fëmijëve tanë qëndron në kthimin e Bashkisë së Tiranës në shinat e demokracisë. Diktaturën ne nuk e pranojmë. Qëllimi i ndryshimit të madh arrihet me protestë periodike, ndaj duhet të qëndrojmë më të bindur se kurrë se jeni në rrugën e drejtë”, tha Teliti.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re