Nga Blendi Gashi

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka paralajmëruar protesta në ditët e ardhshme me qëllim që siç tha ai, të ndalohet ndarja e Kosovës.

Në fjalimin e tij para Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Kurti e quajti Thaçin kriminel, duke thënë se asnjëherë nuk ka qenë më i pafuqishëm.

“Situata politike është ajo që ka nevojë për forcim të organizatës në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosemi në krye të protestave qytetare dhe paqësore për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë. Ne duhet të angazhohemi për protesta dhe ta ndalojmë qëllimin e Thaçit, për ta ndalur shitjen e Kosovës. Jo të na ndryshoj kufijtë një kriminel që është i shquar për dallavere me Serbinë. Duhet të angazhohemi për largimin e Thaçit sepse ai është më i dobët se kurrë dhe po bënë marrëveshje më të këqija se kurrë ndonjëherë më parë”, tha Kurti.

Ç’dobi mund t’i sjellin Kurtit protestat?

Kryevetëvendosësi edhe pse nuk tregon datën e saktë të fillimit të protestave, shihet qartë se përmes rrugëve, duke pasur parasysh kundërshtimet e mëdha që ka marrë Thaçi për korrigjimin e kufirit po dëshiron të shfrytëzojë këtë gjë dhe t’i japë një goditje të rëndë presidentit.

Por sigurisht jo vetëm Thaçit. Duke kujtuar se Kurti nga paslufta ka organizuar protesta ndaj pushteteve, ai do mundohet ta djegë edhe Haradinajn, pra ta rrëzoi nga pushteti.

Por sa do e arrijë këtë, kjo varet nga disa faktorë.

E para nëse do i bashkangjitet LDK-ja në protesta dhe nëse nuk e tradhton rrugës, e dyta sa do jetë protesta masive, konkretisht ç’rezultat do sjellë ajo në ndaljen e Thaçit.

Nëse arrihet kjo e fundit, gjasat janë të mëdha më pas të bie nga pushteti Ramushi, duke ditur se ai së fundmi ka qenë kategorik kundër idesë së Thaçit duke thënë se sjell tragjedi në Ballkan.

Dhe në një situatë të tillë vet Thaçi nuk do rrinte rehat dhe do “urdhëronte” ish-partinë e tij ta përkrahë një mocion eventual mosbesimi ndaj qeverisë “Haradinaj” ku deputet të PDK-së do votonin pro, njëjtë siç bën me qeverinë “Mustafa”.

Javët dhe muajt në vazhdim do tregojnë qartë nëse protestat kundër Thaçit do i sjellin fat Kurtit, pra edhe rrëzimin e Ramushit nga pushteti apo jo, apo edhe një dëshpërim tjetër të kryevetëvendosësit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re