Myslim Murrizi duket se do të shfrytëzojë deri në fund lëshimin e bërë nga ana e mazhorancës, që si kryetar partie mund të kandidojë në 4 qarqe në zgjedhjet e ardhshme, që i rrit mundësinë për të qenë sërish pjesë e Kuvendit.
Dy nga qarqet ku Murrizi duket se e ka ndarë mendjen që të jetë kandidat i listës janë Tirana dhe Fieri, ndërkohë që nuk kursyeu as kritikat për kryetarët e partive të tjera të mëdha.
“Politikanë nuk bëhesh me shiringë. Basha dhe Rama nuk i kanë krijuar këto vetë partitë e tyre politike. Në politikë nuk ka të rinj dhe të vjetër. Ka hajdutë dhe mashtrues. Berisha dhe Nano kishin bërë shkollë politike? Sa naftë kishin harruar Berisha dhe Topalli për të shkuar deri në Strasburg për të denoncuar Celibashin.
Në vitin 2013 vetëm 5 parti kaluan pragun e vendosur. Do të kandidojmë në 12 qarqe me 14 burra dhe gra. Nuk ka prag 3 përqind. Për të maksimalizuar votën bëhet kjo me 4 qarqe. Fier dhe Tiranë do të kandidoj ndërsa për dy qarqet e tjera do e mendoj”, tha Murrizi në një studio televizive.
Me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, kryetarëve të partive të vogla u jepet mundësia që të garojnë të parët në katër qarqe, duke bërë që të rriten shanset e të vegjëlve për të qenë në Kuvend, mbështetur kjo dhe nga ulja e pragut në 1%.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb