Në numrat e parë të gazetës së parë opozitare “Rilindja Demokratike” në vitin 1991, kryeredaktori i kësaj gazete në atë kohë Frrok Çupi publikoi një artikull me titull: Pse nuk çahet “Blloku”.

Ishte një shkrim që tronditi mbarë opinionin publik në fillimet e para të demokracisë, pasi zbardhi një më një jetën që bëhej në bllokun e udhëheqësve komunistë.

Ish nomenklatura e kuqe jetonte në atë kohë e shkëputur nga jeta e qytetarëve të tjerë, me të mirat materiale shumë të larta krahasuar me kohën dhe të akomoduar më së miri në shtëpitë e dhëna me qira minimale nga shteti.

Furnizimi bëhej veçmas, pa frikën e tollonit të famshëm mujor për produktet e shportës, dhe me një jetë mondane, që rezononte dukshëm me atë të shqiptarëve, pavarësisht se quhej në atë kohë “pushtet i popullit”.

Madje dhe martesat bëheshin me njëri- tjetrin, duke krijuar në këtë mënyrë një kastë sociale që jetonte mbi nivelin e shoqërisë së asaj kohe.

Artikulli bëri bujë të madhe, ndërkohë që “qiraxhinjtë” bllokmenë dolën nga këto banesa në “Bllok”, duke përfunduar dikush në burg, dikush tek ndonjë apartment fëmijësh, dikush tjetër tek ish “Pularia” në Laprakë, si Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit që u nda nga jeta këto ditë.

Mu kujtua ky artikull i Çupit të botuar në gazetën e parë opozitare, organ partiak  i partisë së parë opozitare PD, ndërsa pamë në media me zë dhe figurë bllokun e vilave në Gjirin e Lalzit ku janë akomoduar qeveritarët e pas vitit 1990. Pikërisht ata që “luftuan” bllokmenët.

Nuk janë të akomoduar me qira si bllokmenët e vjetër, por janë pronarë me të drejta të plota mbi këto vila.

Madje dhe janë në garë për t’u mburrur se cili ka vilën më të madhe, më të kushtueshme, ku janë blerë mobiljet, si janë hedhur në oborr me helikopter pemët ekzotike, dhe sa banjo kanë dhe për kafshët shtëpiake.

Që në krye të herës të bën përshtypje se “Blloku” i udhëheqësve të rinj të “demokracisë”, njësoj si ai i bllokmenëve të vjetër në mes të Tiranës, ruhet me roje të shumta, duke mos lejuar të depërtojë “as drita e diellit” brënda. Prishet qetësia e udhëheqjes.

Asnjë prej qeveritarëve dhe ish qeveritarëve pronarë të këtyre vilave nuk është marrë me biznes, kanë qënë dhe janë rrogtarë shteti tërë jetën. Qytetarët që kanë parë në ekran jetën përrallore që bëjnë “zengjinët” e rinj, janë shokuar. Pasi kanë dhe ata fëmijë në shtëpi, të cilët si çdo fëmijë kërkojnë sa më shumë të mira materiale, pavarësisht se si sigurohen.

Madje nuk mungon dhe gjykimi për prindërit e tyre, duke i vënë para përgjegjësi si të paaftë për t’ju garantuar një jetë si kjo që bëjnë bllokmenët e rinj të Lalzit, apo dhe të “Lagunës Blu”, pa harruar vilat e tjera në të gjithë vijën bregdetare dhe në periferi të Tiranë.

Na duket vetja fajtorë para fëmijëve, dhe nxitojmë të kalojmë TV në një stacion tjetër, për të fshehur paaftësinë tonë për të qënë hajdutë, abuzues, kriminelë apo siç quhet në gjuhën e përditshme vlerësuese, “birë ku…vash”, që t’ju jepnin atyre këtë jetë përrallore.

Në mes të “bllokut” të ri të udhëheqësve në Gjirin e Lalzit spikat vila ku kalon fundjavat Sali Berisha, ish presidenti dhe ish kryeministri i Shqipërisë, i cili mbahet si “atlet” i luftës kundër bllokmenëve të vjetër të ish noimenklaturës komuniste, pavarësisht se u shërbeu deri në banalitet.

Thotë se është banesa e vajzës së tij Argita, e cila ka qënë dhe ajo në fillim rrogtare dhe më pas me ardhjen e babait kryeministër filloi “punë” si seksere për bizneset vendase dhe të huaja, për t’ju garantuar siguri se do të merrnin punë publike, leje për ndërtime, dhe toka pa fund në bregdet.

Nuk mund të anashkalohen bashkëpunimet me mikun e familjes serbo-boshnjakun Damir Fazlliç, transaksionet e parave dhe toka në Porto Romano, që pasi e mori nga qeveria Berisha, përfitoi dhe “paketën” e vendimit të qeverisë për rrugën që ia 100- fishoi vlerën brenda gjashtë muajve.

Ngjitur me vilën e Berishës, gjendet vila e presidenti Ilir Meta. E “kolme” si vilë në madhësi dhe në vlerë. E cila u zbardh pas doli në shitje një vilë tjetër ngjitur me të, me vlerë 5 milionë euro.

Meta dhe Kryemadhi bëjnë një jetë përrallore e “përjetësuar” në një emision televiziv të Sonila Meços ku tregoheshin detaje për 11 banjot e famshme, dhe për macen, si dhe shpenzimet e mëdha për arrendimin dhe pemëzimin e sipërfaqes mbi 2 mijë metra katrorë.

Babai i Ilir Metës ka qënë ushtarak, nga Çepani dhe nuk ka trashëguar asnjë copë tokë në Lalz, ndërsa vetë presidenti dhe bashkëshortja e tij kanë qënë tërë jetën rrogtarë shteti. Vila përdoret për fundjavë herë pas here, pasi dhge fëmijët i kanë në shkollat më të shtrenjta të Londrës, gjithnjë duke kursyer “rëndshëm” nga rrogat e tyre.

Në Gjirin e Lalzit jeton dhe ish ministri i Brendshëm i PD Flamur Noka, të cilit babai i ka “lënë” prona jo vetëm aty por dhe në Sarandë e zona të tjera turistike. Nuk kishte si të mbetej prapa dhe ish kreu i KQZ Arben Ristani, që me rrogën e tij, kishte arritur të bënte një “copë” vile dykatëshe në Gjirin e Lalzit.

Ka dhe ish ministra të partive të tjera, por këta janë më dominantët, pasi dhe në në kompleksin e vilave “Long Hill”, në periferi të Tiranës është akomoduar Lulzim Basha me “qira”. Por dhe pasunarë të tjerë rrogtarë shteti.

I përmendëm këto fakte për të treguar se tashmë kasta e re politike ka ngritur “bllokun” e ri të udhëheqjes, dhe në gjurmët e bllokmenëve të komunizmit, kanë krijuar një “oaz” rehatie e bollëku, gjithnjë me rroga shteti. Ruhen me roje, kanë nisur të martohen mes tyre. Tamam si ata.

Por si mund të çahet “blloku” i ri i udhëheqësve të Shqipëris?!

Për të evituar qarjet e tyre për fukarallëkun e shqiptarëve dhe për t’i dhënë një dimension real drejtësisë së re, është emergjencë që të fillohet pikërisht nga “blloku” i ri i udhëheqjes verifikimi i pasurisë.

Nuk duhen shumë shpenzime, një skuadër të forcave speciale për të evituar postblloqet private të “zengjinëve” të rinj që ruajnë vilat, tre persona, një inxhinier ndërtimi, një ekonomist me laps në dorë dhe një prokuror për të bërë aktin ligjor të sekuestros. Dhe vullnet politik me shumicë.

Do të evitoheshin dhe simpoziumet, konferencat dhe tubimet kundër abuzuesve dhe pasurive të krimit, të cilat kushtojnë miliona euro që hiqen nga taksat tona.

Deri më tani dhe drejtësia e re i ka ardhur anash këtij fakti, duke e zvarritur pa fund pikërisht atë që kërkojnë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë: Dhënien fund pandëshkueshmërisë dhe goditjen e pasurive të krimit dhe të korrupsionit.

Atëherë pse nuk çahet “Blloku” i ri i udhëheqësve në Gjirin e Lalzit?! (TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re